Axhenda – Parlamenti Europian e miraton rezolutën e tij për Shqipërinë më 22 nëntor, në seancën që do të mbahet në Strasburg. Më pas rezoluta merret parasysh nga Këshilli i Ministrave të BE-së
Këshilli – Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve europiane, është institucioni i vetëm që do të vendosë për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë
Afatet – Shqipëria ka mundësi të miratojë tri ligjet që kërkohen nga Komisioni Europian deri më 20 nëntor. Deri tani mundësitë që kjo të ndodhë janë minimale
Vështirësitë – Mospërmbushja e tri kushteve bazike të vendosura nga KE-ja për statusin, jo vetëm që do e penalizojë Shqipërinë nga marrja e statusit këtë vit, por do ta ulë imazhin e Shqipërisë në Europë
Toleranca – Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit të BE-së dhënien e statusit kandidat të Shqipërisë, ndonëse vendi kishte përmbushur vetëm 9 nga 12 prioritetet
Partia Socialiste paralajmëron një skenar të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, nëpërmjet ndryshimit të mandatave të zonave zgjedhore. Alarmi u dha dje nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, që gjatë diskutimit të tij e lidhi betejën për Qarkun e Fierit me manipulim në zgjedhjet e 2013-s. Një skemë e ngjashme manipulimi, sipas tij, po përgatitet dhe në Berat e Kukës. Ai paraqiti dokumente që fiktivisht, sipas tij, paraqesin lëvizje të qytetarëve në gjendjet civile të disa qyteteve të vendit, ku qytetet më të vogla paradoksalisht kanë rritjen më të madhe të numrit të banorëve. “Me këto lëvizje, tha Ruçi, po synohet të merren tri mandate deputetësh në tavolinë, t’i shtohet një deputet Qarkut të Kukësit dhe t’i hiqet nga një mandat Beratit dhe Fierit. Këto dhe emërimet e fundit në Ministrinë e Brendshme bien ndesh me kushtin real të integrimit për Shqipërinë, zgjedhjet e lira e të ndershme”. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, theksoi gjithashtu se PS-ja nuk do të lejojë të manipulohen votimet. “Pasi dërgon njerëzit e tij gjithandej, Kryeministri jep garancinë se do të garantojë zgjedhje të lira e demokratike. Kjo është garancia? Zgjedhje do të ketë dhe ne do të jemi garancia se ti nuk do t’i vjedhësh dhe ne do të vijmë në pushtet”, theksoi Ruçi. Në argumentin e tij, kreu i grupit më të madh të opozitës, theksoi se “që nga Ministria e Brendshme dhe deri te kryetari i komunës apo i bashkisë, apo nëpunësi i gjendjes civile, e dinë që Berati të nderuar shqiptarë ka 231 mijë banorë dhe Kukësi është me 108 mijë banorë. Pra, Berati me dy herë më shumë banorë se Kukësi është rritur vetëm me 137 banorë. Kurse Kukësi, sa gjysma e Beratit me banorë, është rritur me 682 banorë. Atëherë zoti Kryeministër jepi përgjigje pyetjes. Po marr dy shembuj nga Kukësi. Lekbibaj dhe Llukaj drejtohen nga kryetarë komunash të PS-së. Edhe atje ka gra, edhe atje ka burra. Pse këtu s’paskan pjellë? Mali i Zi me 3861 banorë është pakësuar me 8 banorë, kurse Shishtaveci me 5 mijë banorë është shtuar me 88 banorë. Po të sjell shembujt nga qytetet. Në qoftë se Topojani, që është shtuar me 166 banorë ka 2700 banorë, Ura Vajgurore ka 12 mijë banorë dhe është shtuar vetëm me 9 banorë. Berati ka 63 mijë banorë dhe është shtuar vetëm me 25 banorë. Kuçova është me 30 mijë banorë dhe është pakësuar me 56 banorë. Skrapari, Çorovoda është me 6500 banorë dhe është pakësuar me 25 banorë. Poliçani është me 8461 banorë dhe është pakësuar me 47 banorë. E more zotërinj të dashur, çerdhja e okupimit të zgjedhjeve është aty”. Ruçi gjithashtu u shpreh se Kryeministrit nuk i mjaftonte “Ponia (zv.ministri i Brendshëm) me shokë që është aty, por çuam edhe sekretarin e partisë, shef të tij, çuam edhe Ristanin nga KQZ-ja, bashkë me kryetarin e partisë, Telitin, në gjendjen civile dhe gjithandej Kryeministri po jep garanci: ‘Do garantoj zgjedhje të lira dhe demokratike’. Kjo është garancia zoti Kryeministër? Prandaj në vend që të përpiqesh të më japësh ndonjë përgjigje a ndonjë shpjegim, krijo një Task-Forcë dhe kontrolloji në qoftë se ti nuk ke dorë në të. Në qoftë se ti s’e bën, këtë do ta bëjë Parlamenti. Në qoftë se dhe ai s’e bën, këtë do ta bëjnë organet e hetimit dhe organet e drejtësisë në Shqipëri”. Ndërsa Kryeministri iu drejtua nga vendi: “Po, po. Prisni 2023-shin”. B.HOTI
Opozita konteston veprimin e ministrisë për regjistrat civilë të popullsisë