Familja në Vlorë


Sipas prindërve të Mateo Bejajt, i zhdukur prej tre vitesh, ajo e di vendndodhjen


Mateo Bejaj, nga fshati Fitore i Vlorës, u zhduk më 16 korrik të vitit 2011, kur ishte 14 vjeç


Familja e djalit të zhdukur shpjegon se me hallën kanë pasur prej kohësh një konflikt pronësie


Marteo Bejaj

Marteo Bejaj


Familja e Mateo Bejajt, adoleshentit nga Vlora që prej tre vitesh rezulton i zhdukur, ka humbur shpresat për gjetjen e tij. Ata thonë se Policia e Shtetit nuk ka punuar mjaftueshëm për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa fajësojnë hallën e djalit për zhdukjen, me të cilën kanë pasur konflikte pronësie.


Mateo (Marteo), në atë kohë 14 vjeç, u zhduk pa lënë gjurmë mbrëmjen e 16 korrikut të vitit 2011, ndërsa kërkimet nga ana e policisë dhe banorëve të fshatit Fitore i Vlorës rezultuan të kota. Familjarët e tij, të zhvendosur së fundmi në qytetin e Vlorës, teksa shtojnë së nuk dinë asgjë për fatin e të birit, gishtin e drejtojnë te halla e tij, më të cilën familja Bejaj ka pasur një konflikt pronësie të pazgjidhur. Kërkimet për të riun vijojnë edhe nga Interpoli, ndërsa prindërit e Mateos tashmë shpresojnë vetëm në një mrekulli, teksa besimi te strukturat e shtetit për ta ka shteruar me kohë.


“Djali më është larguar ditën e shtunë. Ka dalë nga shtëpia në orën 4 të pasdites. Ka lozur gjithë pasditen me shokët e tij deri në orën 7 të darkës. E ka parë një komshiu ynë, 25 vjeç, është përshëndetur me të dhe i ka thënë natën e mirë. Djali për të ardhur në shtëpi nuk është sosur. Se ku shkoi, nuk di të them. Nuk kam asnjë lloj dyshimi se nuk kam asnjë lloj konflikti këtu në fshat. Përkundrazi, kemi qenë të nderuar e të respektuar me fëmijë shembullorë”, u shpreh në atë kohë nëna e të riut, Arjana Bejaj. Por, pak javë më vonë, duke qenë se djali i zhdukur nuk po gjendej, prindërit shkuan në një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. Ai u premtoi se shumë shpejt do të gjendet fëmija, ose do të mësohet për fatin e tij, por ende sot nuk ka asnjë informacion mbi këtë çështje. Për këtë arsye, para dy muajsh, familjarët e fëmijëve të humbur bënë apel ndaj ministrit Tahiri dhe Kryeministrit Rama për t’i ndihmuar në gjetjen e Mateos, por prapë nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri.


Arjana Bejaj

Arjana Bejaj


Në këto kushte, prindërit e tij kanë hedhur akuza ndaj hallës së fëmijës, me të cilën familja Bejaj ka pasur konflikt pronësie. “Ne e kemi bërë punën tonë, por ajo ballë përballë nuk ka pranuar asgjë. I kemi dërguar dajën, xhaxhain dhe motrën e saj, me qëllim që t’i japim fund kësaj historie se jemi motër e vëlla. Por, ajo nuk ka pranuar të flasë me asnjë njeri mbi këtë çështje, as me motrën e saj. Në shpërthimin e saj, ajo është shprehur se djali është marrë peng për para. Ajo ka thënë se djali ‘ha dhe pi si Duçja, por mbahet peng me maska’. Më vonë, ajo nuk ka pranuar të japë shpjegime të tjera. Ajo e di vendndodhjen e djalit”, shprehet babai i të zhdukurit, i cili sot do të ishte 17 vjeç. Megjithatë, policia thotë se i ka kryer të gjitha verifikimet që në fillim, por nuk është arritur të vërtetohet rrëmbimi i të miturit. Dje u mbushën tre vjet nga zhdukja e tij, kështu që familjarët kanë ngritur edhe një herë zërin për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Burimet policore shpjeguan se do të verifikohen akuzat e familjes për hallën e të miturit, me qëllim zbardhjen e këtij rasti.