Televizioni Top Channel ditën e djeshme ka depozituar në Prokurori një padi, ku kërkon dëmshpërblim për dëmtim imazhi nga gazetari Çim Peka.


Gjithçka lidhet me investigimin e publikuar mbrëmë në emisionin “Top Story”, ku u zbërthye skema e ndërtuar nga biznesmeni kontrovers Nadir Çausholli për të futur në konflikt televizionin “Top Channel” dhe “Ora News”.


Pjesë e skemës së Çaushollit rezulton të jetë edhe gazetari Çim Peka, i cili nëpërmjet portalit Syri.net, u vendos në shërbim të shpifjes, me një shkrim të sponsorizuar nga biznesmeni në fjalë.


Në artikullin e datës 28 Shkurt 2019 në portalin e Çim Pekës, shpifej dhe tentohej të denigrohej imazhi i “Top Story” dhe Top Channel, duke i akuzuar për vënie gjobash ndaj disa kompanive në Shqipëri.


Për ta bërë si të besueshme, portali ka publikuar një gjysmë dokumenti me vulën e Top Channel dhe me të dhënat e autorit të emisionit.


Në fakt, ai dokument është i saktë, por portali i Çim Pekës ka publikuar vetëm faqen e dytë, ku tregohet nënshkrimi, logoja dhe numri i gazetarit.


Por dokumenti i plotë, i publikuar mbrëmë ne “Top Story” tregon se kemi të bëjmë me një kërkesë për informacion, sipas ligjeve në fuqi, drejtuar kompanisë CFO Pharma të Nadir Caushollit.


Letra nuk ka kontekst kërcënues, por lidhet me një investigim për tregun e barnave, dhe kjo tregon qartë se Syri.net dhe Çim Peka e kanë nxjerrë jashtë kontekstit, duke hedhur një lum akuzash të pabaza mbi kompaninë “Top Media”.