Akuzat që Partia Demokratike ka bërë ndaj bashkëshortes së kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, sipas zyrës së shtypët të Erion Veliajt, janë shenjë qartë e panikut për zgjedhjet e 21 qershorit. Në deklaratën për mediat, sqarohet se Ajola Xoxa në harkun kohor 2012-2014, ka punuar si juriste e asociuar pranë studios ligjore Tashko Pustina dhe nuk ka pasur asnjë klient të vetin dhe asnjë marrëdhënie financiare me ndonjë klient të studios. Theksi në këtë reagim është vënë në faktin se Xoxa nuk ka qenë në asnjë moment personalisht përfaqësuese ligjore për Françesko Beketin, apo për ndonjë prej kompanive të tij.
Reagimi i plotë i Zyrës për shtyp të Erion Veliajt
Sa më shumë afron data e zgjedhjeve të 21 qershorit, aq më shumë është në panik Partia Demokratike. Në mungesë të programit dhe vizionit për Tiranën, të zhytur në dështimin e 4 viteve të fundit gjumë të Lulzim Bashës, e vetmja alternativë për Partinë Demokratike në këto zgjedhje është sulmi personal për familjen e Erion Veliajt, duke hedhur baltë mbi bashkëshorten e tij.
Siç e kemi sqaruar edhe më parë, Ajola Xoxa në harkun kohor 2012-2014 ka punuar si juriste e asociuar pranë studios ligjore Tashko Pustina. Ajo nuk ka pasur asnjë klient të vetin dhe asnjë marrëdhënie financiare me ndonjë klient të studios. Zonja Xoxa është paguar vetëm nga studio ligjore dhe ka ofruar shërbimin e saj profesional për klientët e studios, sipas kërkesës së drejtuesve të studios. Theksojmë se Ajola Xoxa nuk ka qenë në asnjë moment personalisht përfaqësuese ligjore për Françesko Beketin, apo për ndonjë prej kompanive të tij.
Nëse media të caktuara apo deputetë të opozitës do të vazhdojnë këtë sulm shpifjesh dhe fyerjesh ndaj znj. Ajola Xoxa, ajo do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të rivendosur të drejtat e saj të cenuara, duke kërkuar që shkelësit të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit! Kandidati i ASHE për Tiranën Erion Veliaj mbështet luftën pa kompromis ndaj evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, si edhe principin se një media nuk mund të jetë e lirë dhe e ndershme kur financohet nga individë apo kompani të përfshira në aktivitete të jashtëligjshme.
12 qershor 2015 (gazeta-Shqip.com)