Pas deklaratave të kreut të PS, Edi Rama se qeveria urdhëroi fshehjen e të dhënave të punësimit nga botimi i rezultateve të censusit, ka reaguar ministri i Inovacionin dhe njëkohësisht kryetar i Komisionit Qendror të Censusit, Genc Pollo.
Në një dalje për mediat, Pollo theksoi se INSTAT i ka botuar rregullisht shifrat e përqindjet e papunësisë dhe Edi Rama rregullisht i ka mohuar ato e shumë të tjera, pa dhënë shpjegime e arsye.
“Papunësia sipas censusit 2001, një dekadë më parë, u botua tre vjet më vonë, pasi kaq kohë u desh për përpunimin e të dhënave. Me censusin 2011, ky përpunim do të marrë dy vjet dhe papunësia do të publikohet në shtator 2013”, – deklaron Pollo.
Sipas Pollos, Rama mund të kishte komentuar rezultatet e publikuara të censusit që dëshmojnë zhvillimin dinamik social-ekonomik në Shqipëri, por sipas tij duke iu shmangur kësaj e duke insistuar se në vend kemi 1 milion të papunë ose 58.5% e popullsisë aktive, Edi Rama insiston të dëshmojë se ka probleme akute me aritmetikën fillestare pa folur për nocionet bazë të demografisë.
15 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)