Aleanca Kuqezi e ka pritur ministrin e Jashtëm serb, Ivan Mrkiç në aeroportin ‘Nënë Tereza’ duke protestuar. Për të shmangur një përballje me aktivistët e AK, protokolli është kujdesur që delegacioni serb të mos dilte nga dalja VIP, nga ku lëvizin zakonisht personalitet e huaja që vizitojnë vendin tonë. Është përdorur një dalje tjetër e aeroportit, nga ku eskorta nën masa të forta sigurie dhe me shpejtësi të lartë është larguar në drejtim të Tiranës.
Gjatë paradites së të hënës Aleanca Kuqezi tha se shtete të ndryshme europiane janë duke mbajtur një qëndrim të kushtëzuar me Serbinë, ndërsa Tirana zyrtare i hap dyert.
“Kemi më shumë se 12 vjet nga qeverisja socialiste dhe ajo demokratike që aplikohet teza se Republika e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë zhvillojnë marrëdhëniet bilaterale pa u kushtëzuar nga qëndrimi serb ndaj Kosovës. Informojmë opinionin publik se shtete shumë demokratike si Gjermania, Britania, Italia, Austria, madje edhe institucione të BE-së e kanë kushtëzuar në mënyrë strikte dhe të përsëritur integrimin e mëtejshëm të Serbisë vetëm me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë nuk e bën vetëm politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare”, -deklaroi përfaqësuesi i AK, Lisien Bashkurti.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkiç mbërriti në Tiranë rreth orës 14:15 minuta të së hënës, për të zhvilluar një vizitë dyditore, e para e një ministri të jashtëm serb pas shumë vitesh. Pavarësisht kontestimeve që e kanë shoqëruar ardhjen e tij në vendin tonë, vetë ministri serb, Ivan Mrkiç ka thënë se vizita e tij në Tiranë ka një rëndësi të veçantë për ripërtëritjen e marrëdhënieve në rajon.
22 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)