Deklarata


Kreshnik Spahiu paralajmëron për një stuhi politike dhe popullore në 2015-n


akAleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut parashikon një stuhi politike dhe popullore, verën e 2015-s, pasi rezultati i zgjedhjeve lokale, sipas saj, është paracaktuar qartë. Sipas Spahiut, Partia Socialiste i fiton zgjedhjet në tavolinë me 35 bashki më shumë se opozita. Duke protestuar para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Aleanca Kuqezi ka shfaqur një pankartë gjigante, në të cilën Shqipëria ndahet në Jug dhe Veri, që do të thotë se në 2015-n, Partia Socialiste i ka të fituara zgjedhjet, pasi vetëm në jug ka krijuar 35 bashki; ka izoluar Tiranën, Shqipërinë e Mesme dhe Jugun, që të gjitha bashkë përbëjnë 26 bashki. Me këtë arsyetim socialist, sipas AK-së, Tirana i bie të jetë një fshat në malësitë e veriut. Aleanca Kuqezi i bëri thirrje mazhorancës që zgjedhjet lokale nuk duhet të zhvillohen me këtë sistem të ndarjes krahinore, pasi rezultati është i paracaktuar. Sipas saj, Partia Socialiste del parti e parë me 32 Bashki, Lëvizja Socialiste për Integrim merr 20 bashki të lira bosh, Partia Nacionaliste greke 3 bashki duke e nxjerrë Partinë Demokratike ose të tretën ose të katërtën dhe duke enklavizuar gjithë getot greke në jug të Shqipërisë. “Harta e re elektorale do të ngjallë një frymë konflikti me mungesë stabiliteti në vend. Kjo dhuratë e qeverisë do të jetë molla e sherrit për 2015, për këtë arsye parashikojmë një mot me stuhi politike dhe popullore në Shqipëri”, – tha Spahiu. Duke vijuar më tej, kreu i AK-së u shpreh gjithashtu, se 2015-a do jetë viti i krizës ekonomike dhe konfliktit politik në Shqipëri. “Dhurata që qeveria u ka bërë shqiptarëve për vitin 2015 është uria ekonomike, por edhe ndarja krahinore në gegë e toskë”, – u shpreh Spahiu në protestën e djeshme. Në këtë mënyrë, Aleanca Kuqezi e përmbylli dje vitin e aktiviteteve me një protestë kundër sistemit politik shqiptar në dyert e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.