Deputeti demokrat deklaron se ai mund të mbahet brenda marsit të vitit 2013
Statusi: Alibeaj thekson se Shqipëria e meritonte ta merrte statusin e vendit kandidat shumë kohë përpara, për sa i përket zhvillimeve që ka arritur vendi
Reformat: Deputeti demokrat bën të ditur se PD ka mundësi të pranojë brenda shtatorit vetëm miratimin e kufizimit të imunitetit, pasi nuk ka kohë për shqyrtimin e nismave të tjera
Prokurori: Ish-ministri i Drejtësisë thekson se zgjedhja e Prokurorit të ri nuk pritet të krijojë asnjë konflikt mes PD-së dhe LSI-së, brenda koalicionit qeverisës
Fatjona Mejdini
Mbajtja e një referendumi popullor për çështjen e imunitetit, po mbahet ende si “asi nën mëngë” nga mazhoranca. Në një intervistë për “Shqip”, deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, bën të ditur se në rast se dështon votimi i radhës në Kuvend për këtë çështje, atëherë mazhoranca do të jetë e detyruar t’i kthejë sytë nga referendumi. Në lidhje me këtë, ish-ministri i Drejtësisë thekson se legjislacioni në fuqi e lejon mbajtjen e një referendumi deri në muajin mars të vitit 2013 dhe më pas, bëhet e pamundur për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Alibeaj flet dhe për çështjen e statusit, duke theksuar se nga pikëpamja e zhvillimit, Shqipëria e meritonte prej kohësh, por hezitimi i opozitës për të kontribuar me 12 kriteret e vendosura e ka bërë të vështirë arritjen e objektivit. Ish-ministri i Drejtësisë flet për një marrëdhënie të mirë dhe korrekte mes PD-së dhe LSI-së në koalicionin që po drejton vendin.
Z. Alibeaj, vetëm një muaj e ndan vendin nga përgjigjja e radhës e BE-së për çështjen e statusit të vendit kandidat. Mendoni se kësaj radhe janë rritur shanset e vendit për ta kapërcyer këtë fazë?
Marrja e statusit të vendit kandidat nuk është çështje shansi. Nuk është çështje as fati dhe as mëshire. Është kryekëput çështje që bazohet në performancë. Statusi i vendit kandidat në vetvete tregon një fazë të kënaqshme të emancipimit politik të një vendi, tregon zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, qëndrueshmëri dhe harmoni në veprimtarinë e përditshme të të gjithë rrjetit të institucioneve shtetërore politike apo të pavarura, tregon se kultura politike e shoqërisë shqiptare jep të gjitha garancitë e nevojshme për të orientuar zhvillimin e shtetit, pa frikën e shkarjes në deformime të pakëndshme jodemokratike. Me fjalë të tjera, është më së paku tregues i tejkalimit të fazës së tranzicionit postkomunist. Për rrjedhojë, arsyetimi i marrjes së statusit të vendit kandidat fare mirë mund të ndërtohet si analizë e tejkalimit apo jo prej shoqërisë shqiptare e kësaj faze tranzicionale. Në opinionin tim, shoqëria shqiptare demonstron mënyrë të qartë dhe bindëse se tashmë është shtruar qetësisht në hullitë e një zhvillimi linear, dinamik e të qëndrueshëm, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë shtetformues, një nga komponentët e të cilit është edhe ai politik. Është e vërtetë që dialektika politike herë pas here acarohet, apo merr tone të ndezura, por a nuk është tek e fundit demokracia si regjim shtetëror, një regjim që bazohet te pluraliteti, diversiteti dhe kontradiktoriteti i mendimit dhe i veprimit? Nuk dua të shpalosem si një optimist racional, por në tërësinë e tij zhvillimi i shoqërisë shqiptare, është i tillë, që nuk paraqet probleme apo disfunksione, në terma të funksionimit të demokracisë, siç paraqesin, për shembull, fqinjët apo vende të rajonit tonë, që tashmë e kanë marrë këtë status. Jemi një shoqëri e cila në shumë drejtime tejkalon vendet e rajonit, të vjetra apo të reja. Për këto arsye, sinqerisht dua t’ju them se vendit duhej t’i ishte akorduar ky status kohë më parë. Gjithsesi për shkak të një formule kontraktuale të thatë, pothuajse matematikore, siç është ajo e përmbushjes strikt të 12 rekomandimeve, mospërmbushja e të paktit njërit prej rekomandimeve apo nënkomponentëve të tyre do sillte më pas jo në mënyrë bindëse mosmarrjen e statusit. Kjo është një ligjësi e cila duhet pranuar, ashtu siç është dhe duhet respektuar, pavarësisht aftësisë së saj për të treguar objektivisht stadin objektiv të zhvillimit. Megjithëkëtë, kam bindjen se kriteri politik që ngërthehet në këto 12 rekomandime është tërësisht i përmbushur. Për sa i përket kritereve teknike, njëri prej të cilëve është edhe ai i heqjes së imunitetit – një komponent ky i rekomandimit 8, pra luftës kundër korrupsionit – janë bërë të gjitha përpjekjet politike dhe institucionale që të përmbushet. Ajo çfarë mund të jetë një çartje e opozitës, siç është pra mosdhënia e votës për ndryshimin kushtetues për heqjen e imunitetit, nuk tregon në të vërtetë ndonjë defekt të rëndë apo krisje të pariparueshme të klimës politike. Është po kjo klasë politike që arriti të tregojë bashkëpunim të shëndoshë në rastin e Kodit Zgjedhor apo në një sërë ligjesh të tjera. Pra në analizë të fundit, mund të thuhet që dialektika politike mund të jetë inkadenshente – siç ndodh në fazat paraelektorale – porse nuk është armiqësore dhe e pashpresë. Tek e fundit, ka ende edhe pakëz kohë për të korrigjuar çfarë ka mbetur deri në tetor. Shpresoj kështu që me marrjen e statusit, të marrim atë çka me kohë na ka takuar.
Mazhoranca duket se është lëkundur në idenë e mbajtjes së një referendumi popullor për çështjen e imunitetit. Kur mund të jetë koha më e përshtatshme për mbajtjen e tij, në një kohë kur vendin e ndajnë vetëm 10 muaj nga zgjedhjet e reja parlamentare?
Në kushtet kur opozita nuk denjoi t’i bashkëngjitej më 6 gusht kësaj nisme të fortë antikorruptive dhe në kushtet kur imuniteti është deklamuar nga prokuroria si një barrierë e fortë që pengon krijimin e një klime optimale për mobilizimin e energjive për luftën ndaj korrupsionit, është detyrim dhe jo oportunitet, që klasa politike ta pozicionojë si impenjim parësor heqjen e tij, me çfarëdo mënyre sado e kushtueshme qoftë. E mira do të ishte që të ishte një produkt parlamentar. Por në mungesë të tij, referendumi është një mjet zëvendësues. Teorikisht, sipas parashikimeve ligjore, një referendum mund të bëhet deri në mars 2013 (pra janë në dispozicion rreth 180 ditë), sepse më pas futemi në periudhën e 6 muajve para mbarimit të mandatit të këtij Kuvendi (shtator 2013). Kohë përgatitore për referendumin duhen maksimalisht rreth 110 ditë. Kështu pra që ka kohë të bollshme për caktimin dhe zhvillimin e tij. Momenti i realizimit është i ndërvarur nga momenti se kur depozitohet kërkesa për referendum në Kuvend. Hapat dhe afatet e tjera të procesit janë automatike pothuajse. Nga momenti i depozitimit, data e referendumit i bie të jetë më së paku pas 110 ditësh afërsisht.
Po qëndrimin e LSI-së për ta trajtuar këtë çështje (imunitetet) në Kuvend si e shikoni?
Është një qëndrim i matur dhe i pjekur politik. Në fakt ky qëndrim ka qenë më së pari i yni, sepse kemi qenë ne që kemi eksploruar dhe marrë iniciativa konkrete në Kuvend për këtë qëllim. E madje edhe referimi tek referendumi është një zgjedhje e detyruar siç e shpjegova më sipër, për aq kohë sa PS do të vazhdojë me kryeneçësinë e saj të pakuptimtë. Gjithsesi, ne nuk ia kemi mbyllur asnjëherë derën çfarëdo tendence për ta realizuar heqjen e imunitetit në Kuvend, edhe për kaq pak kohë sa ka mbetur. Sigurisht, në mënyrë të pakushtëzuar nga të tjera iniciativa rishikuese të Kushtetutës, jashtë çështjes së imunitetit. Kjo jo sepse jemi mendjembyllur dhe të ngurtë, apo provokativë. Jo, aspak. Kjo sepse nëse ekzistojnë vërtet edhe pika apo çështje apo fragmente të tjera të Kushtetues, nevojtare për t’u ndryshuar, atyre iu duhet kushtuar një proces i gjatë shqyrtimi, konsultimi, përtypjeje të argumenteve, studimi të përvojave ndërkombëtare, përthithja e eksperiencës së organizmave të specializuar në Këshillin e Europës, si p.sh. Komisioni i Venecias apo ekspertizës dhe prakticientëve vendas. Është tërësisht e pamundur që brenda 25 ditësh (brenda shtatorit) siç thotë PS, të mund të ezaurohet i gjithë ky proces!! Duket si një lloj tallje nga ana e PS, apo një lloj krijimi i një alibie prej tyre, prezantimi i këtij misioni të pamundur. Dhe kini parasysh që ka qenë po vetë PS, që në mënyrë sistematike, është ankuar për ligje të bëra “shpejt e shpejt” dhe të pakonsultuara. Pra kohë për të votuar heqjen e imunitetit në Kuvend ka edhe pakëz. Për çështje të tjera nuk ka kohë as për t’i diskutuar brenda shtatorit. Duke iu kthyer qëndrimit të LSI-së, më rezulton se qasja e tyre është e tillë që, kërkojnë të tentojnë edhe një herë të fundit një bashkëvotim me PS në Kuvend, vetëm për çështje të imunitetit. Më duket sjellje politike e matur dhe serioze.
Në muajin nëntor, vendi pritet të zgjedhë dhe Prokurorin e ri të Përgjithshëm, si e shikoni këtë proces dhe si i gjykoni zërat nga LSI se emri i kreut të organit të hetimit, duhet t’i përkasë kësaj force politike?
Nuk kam dëgjuar dhe nuk besoj të ketë as edhe një zë të vetëm nga LSI, që të mund të diskutojë nën këtë kontekst zgjedhjen e drejtuesit të një institucioni kushtetues. Këto janë thjesht halucinacione auditive të çdokujt që ëndërron të ketë “divergjenca antitetike” brenda koalicionit të mazhorancës. Në fakt, ajo çka është e vërtetë, është se në sjelljen e LSI-së është mbajtur gjithnjë një qëndrim parimor, deri në fanatizëm në disa raste, sa herë është bërë fjalë për mënyrën e trajtimit të institucioneve qendrore e sidomos atyre kushtetuese. Kjo ka qenë një zgjedhje e kahershme e tyre, tashmë e skalitur në linjën e tyre ideologjiko-politike. Prokurori i Përgjithshëm do të zgjidhet sipas formulës kushtetuese, e cila është jo vetëm e qartë dhe e plotë, porse është e pasuruar edhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Jo vetëm kaq, por tashmë, jo vetëm Kuvendi ka zhvilluar në rregullore, procese dhe procedura, nëpërmjet të cilave do të formësohet pëlqimi i tij për propozimin që do të ofrojë Presidenti i Republikës, porse edhe për këtë të fundit, tashmë është një imperativ moral, siç edhe prej Presidentit është firmuar tashmë, qëmtimi dhe publikimi më së pari i rregullave apo standardeve që duhen përmbushur nga kandidaturat, por edhe një proces i hapur i pritjes së aspirantëve – kandidatë dhe shqyrtimi akoma më i hapur dhe profesional i tyre, para se të formësohen si kandidaturë zyrtare. Në të gjithë këtë vorbull procesesh, procedurash, konsultash dhe analizash, ekstraktimi i opinionit të fuqive parlamentare është një komponent i rëndësishëm, i cili besoj se do të gjejë maksimumin e respektit prej Presidencës. Kështu pra që nuk do të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme në këtë proces. Do të jetë një ngjarje, së cilës do t’i rezervohet hapësira dhe koha e serioziteti i duhur, por pa tejkaluar masën e për ta shndërruar pa shkak në kauzë politike, e aq më pak brenda mazhorancës.
