Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë propozohet në Uashington
Vatikani
Presidenti refuzoi dekretimin e Ardian Ndrecës si ambasador në Vatikan, pasi ai ka lëshuar disa fyerje në adresë të tij
Emiratet
Nishani refuzoi të dekretojë edhe Emir Gjinishin si ambasador të Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, por këtë rast nuk dha shpjegim
Holanda
Pritet që Ministria e Jashtme të çojë për dekretim edhe emrin e ri të ambasadorit të Holandës, pas çdekretimit të ambasadorit që mbante këtë post
Fatjona Mejdini
Ministria e Jashtme i paraqet Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, emrat më të rinj të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë. Burimet bëjnë të ditur se pak ditë më parë, ministri Bushati ka nisur në drejtim të Presidencës tre emra të rinj ambasadorësh, përkatësisht Filloreta Luli Faber për ambasadore të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shpresa Kuretën për ambasadore në Poloni dhe Ilir Melon si ambasador në Kroaci. Tashmë i përket Nishanit të marrë vendimin në lidhje me emrat e rinj. Dy ditë më parë ai deklaroi se ishte i shqetësuar në lidhje me procedurën që po ndiqte Ministria e Jashtme, për sa i përket emërimit të ambasadorëve të rinj, të cilët përcaktoheshin pa u diskutuar me të paraprakisht.
Emrat
Ministri i Jashtëm Bushati i paraqiti Presidentit Nishani kërkesën që të dekretojë drejtoreshën e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Filloreta Luli Faber si ambasadore e re në një nga përfaqësitë më të rëndësishme të Shqipërisë, në SHBA. Luli Faber e ka mbajtur detyrën e drejtoreshës që nga nëntori i vitit 2000 dhe deri tani, kjo e bën atë që të ketë një njohje të madhe për sa u përket çështjeve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Ajo pritet të zëvendësojë në këtë pozicion, ambasadorin aktual Aleksandër Sallabanda. Ndërkaq, Shpresa Kureta që vjen si propozim për ambasadore e Shqipërisë në Poloni është një diplomate karriere. Ajo aktualisht mban pozicionin e drejtoreshës rajonale në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kureta pritet të dekretohet për të marrë këtë pozicion pas humbjes së papritur të jetës të ish-ambasadorit tonë në Poloni, Florent Çeliku. Në Kroaci, Bushati ka vendosur të propozojë për dekretim një tjetër diplomat karriere. Ai është Ilir Melo dhe aktualisht mban detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Organizatave Ndërkombëtare dhe Çështjeve Globale në Ministrinë e Jashtme. Ai pritet të zëvendësojë në këtë detyrë Pëllumb Qazimin, ambasadori aktual i cili është emëruar në gusht të vitit 2007 në këtë detyrë. Në ditët në vazhdim, pritet që Nishani të japë qëndrimin e tij në lidhje me kandidaturat e radhës.
Kontradiktat
Përpara dy ditëve, Presidenti Nishani për herë të parë shfaqi pakënaqësi në lidhje me mënyrën sesi po i vijnë propozimet për ambasadorë nga Ministria e Jashtme. Ai deklaroi se ministri Bushati nuk po diskutonte në mënyrë paraprake me të në lidhje me emrat që përzgjidhte për të përfaqësuar Shqipërinë jashtë vendit, por po i sillte ata si një fakt i kryer, duke pritur vetëm dekretimin.