Qëndrimi


Ambasadorë të shteteve të BE-së i bëjnë apel politikës që të ofrojnë bashkëpunimin në këtë moment vendimtar, kur pritet të merret statusi dhe se protestat dhe grevat janë mjaft negative. Kështu, ambasadorja e Çekisë në vendin tonë, Branislava Tomasova, gjatë një takimi me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër, ku është diskutuar rreth sfidave të integrimit në BE, është shprehur në lidhje me situatën më të fundit politike në vend, duke deklaruar se protestat dhe grevat që po zhvillohen janë mjaft negative, pasi dobësojnë mundësinë e marrjes së statusit. “Politikanët të mos punojnë për vete, por për popullin, ju do të ishit më afër BE-së po të mos e kishit këtë problem”, u shpreh Tomasova. Më tej, ambasadorja çeke i bëri apel klasës politike për bashkëpunim në këtë situatë tepër të rëndësishme të vendit, duke u shprehur se në çdo vend ka pozitë dhe opozitë, por duhet bashkëpunim dhe polarizimi i shoqërisë dobëson pozitat e Shqipërisë. Ndërsa ambasadori italian, Massimo Gaiani, u shpreh se “qeveria dhe opozita duhet të gjejnë frymën e bashkëpunimit, pasi marrja e statusit kandidat varet nga kjo çështje”. Ndërsa në lidhje me protestat e të larguarve nga puna, ambasadori italian u shpreh se ato po bëhen me një qëllim të caktuar. “Raporti i Komisionit Europian do të jetë teknik”, tha ambasadori Galiani, duke përcjellë mesazhin e bashkëpunimit mes palëve politike dhe lënien e konflikteve politike në një situatë të tillë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, kur flitet për marrjen e statusit.


A.Hoti