Konflikti
MPJ: Didi është kthyer në Shqipëri, kemi dërguar të ngarkuarin me punë
Konflikti mes Presidentit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për çështjen e ambasadorëve vijon ende. Kohët e fundit, shkak i kësaj përplasjeje është bërë moszbatimi i dekretit për lirimin nga detyra të Bujar Didit. Pas gjashtë vitesh qëndrimi në këtë detyrë, MPJ-ja kërkoi që kreu i shtetit ta lironte si ambasador, gjë që u realizua vetëm në muajin mars të këtij viti. Por Presidenca pati ngritur pretendimin se MPJ-ja nuk po zbatonte dekretin e nxjerrë nga kreu i shtetit, duke mos kthyer Didin. Por në lidhje me këtë ‘përplasje’, Ministria e Punëve të Jashtme sqaroi dje për gazetën “Shqip” se Didi është kthyer nga Tokio dhe se ndodhet në Tiranë. Ndërsa gjer në caktimin e ambasadorit të ri, ministri Bushati ka emëruar Armand Shandron si të ngarkuarin me punë të Republikës së Shqipërisë në Japoni. Burime pranë MPJ-së vijojnë të deklarojnë se çështja e emërimit të ambasadorëve vazhdon të jetë një ngërç institucional mes Presidencës dhe Ministrisë, kjo për shkak se kreu i shtetit, Nishani, ka vendosur se nuk do të kalojë asnjë emër, në rast se nuk do të ketë një konsultim paraprak mes tij dhe Bushatit.