Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, ka rikujtuar se duhen përmbushur në kohë 12 rekomandimet
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, deklaroi sot nga Shkodra se marrja e statusit kandidat për në BE është në dorë të klasës politike shqiptare. Sipas diplomatit europian, palët duhet të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për reformën zgjedhore, ndërsa rikujtoi mesazhin e Komisionerit për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fule: ” se koha nuk është e mjaftueshme dhe ora po bën tik-tak”.
“Është në dorën e opozitës dhe mazhorancës, që përmes dialogut dhe mirëkuptimit, të arrijnë të përmbushin 12 kriteret për marrjen e statusit kandidat në vjeshtë. Reformat po ecin në ritme të kënaqshme. E rëndësishme është që të përmbyllet dhe reforma zgjedhore, si një hap themelor në sigurimin e standarteve më të larta të procesit zgjedhor. Nëntori është afër dhe Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Politika duhet të punojë me përgjegjshmëri që të arrijë të përmbushë kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian, çka do lehtësojë pozitën e vendit tuaj në marrjen e statusit kandidat në vjeshtën e afërt”, tha Sequi.
Diplomati evropian i bëri deklarata gjatë inspektimeve të punimeve të një rruge pedonale në Shkodër, që financohet nga BE.
3 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)