Kreu i prezencës së OSBE-në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, ka kërkuar nga klasa politike të tregohet e matur dhe të votojë tre ligjet e kërkuara nga BE. Për ambasadorin Wollfarth koha duhet të përdoret më së miri dhe vendimet të merren në kohën e duhur.
“Prezenca e OSBE-së, përmes mandatit të saj, ndihmon në ngritjen e themeleve për të bërë të mundur progresin e reformave. Ne kontribuojmë në masë të madhe, por, në fund të fundit, ky është një vendim që duhet ta marrë vetë Shqipëria dhe ky vendim duhet marrë në parlament. Shpresoj vërtet që ky vendim të merret sot.
Më pas, reformat do të duhet të vazhdojnë, sepse lista është shumë më e gjatë dhe viti i ardhshëm do të jetë, po ashtu, një vit vendimtar, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme. Prandaj, do të ftoja që të gjitha reformat të ndërmerreshin në kohën e duhur. Në këtë rast, Komisioni Evropian e ka vënë theksin te këto tri ligje dhe, sërish, ashtu siç bëra edhe në fillim të kësaj jave, unë do t’u bashkohesha atyre që ftojnë që koha të përdoret më së miri dhe vendimet të merren në kohën e duhur. Ajo ditë është sot”, ka deklaruar Wollfarth gjatë një vizite në qendrën e romëve “Romani Bax”.
I pyetur se çfarë mund të përballet Shqipëria, nëse sot nuk miratohen tri projektligjet, Wollfarth i është përgjigjur: “Viti i ardhshëm është vit zgjedhjesh, më pas, me sa duket, do të duhet më shumë kohë për të bërë përpara në rrugën e integrimit evropian. Kjo mund të thotë, gjithashtu, që koha që po kalon nuk investohet siç duhet në procesin e reformave. Unë jam ndërkombëtar, por, nga këndvështrimi im, populli shqiptar e meriton progresin. Ai meriton, po ashtu, kornizën brenda së cilës ndodh ky progres. Një pjesë skajshmërisht e rëndësishme në këtë kornizë janë ligjet dhe shteti i së drejtës. Shqipëria do të ketë një të ardhme pavarësisht asaj që ndodh sot, por kjo e ardhme do të jetë më e shpejtë dhe më e mirë, nëse vendimet e duhura merren sot”. Gjatë ditës së djeshme, edhe ambasadorët e SHBA dhe Bashkimit Europian, Arvizu dhe Sequi, apeluan për gjetjen e një marrëveshjeje dhe votimin në kohë të tre ligjeve të vendosura si kusht për dhënie e statusit të plotë të vendit kandidat.
15 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)