Organizata – “Amnesty International” është një organizatë prestigjioze ndërkombëtare që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut


Reagimi – Deklarata e “Amnesty” ka ardhur pas 24 ditësh grevë urie të ish të burgosurve, e cila ka rënë në vesh të shurdhër nga qeveria


Dëmshpërblimi – “Amnesty International” vlerëson se ata duhet të zhdëmtohen me rimbursim të plotë të dëmit të pësuar nga regjimi komunist


Deklarata


“Shumë pak ish të burgosur janë rehabilituar”


Pas qëndrimeve të ambasadave kryesore ndërkombëtare në Shqipëri rreth grevës së urisë së ish të burgosurve politikë, dje ka reaguar fort një nga organizmat më prestigjiozë ndërkombëtarë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ka qenë organizata “Amnesty International”, e cila dje i ka kërkuar qeverisë të hyjë menjëherë në bisedime me grevistët e urisë dhe të marrë masa për rimbursimin dhe rehabilitimin e tyre. “‘Amnesty International’ vlerëson se ata duhet të zhdëmtohen me rimbursim të plotë të dëmit të pësuar, përfshirë kthimin, rehabilitimin dhe garantimin e mospërsëritjes”, thekson deklarata.


Dokumenti


“Amnesty International” i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë të takohet me Shoqatën e ish të Përndjekurve Politikë dhe të vendosë bisedime për të trajtuar menjëherë shqetësimet e tyre.


Njëzet e katër të burgosur politikë kanë qenë në grevë urie për tri javë për të protestuar ndaj vonesave të qeverisë për pagimin e kompensimit, sipas ligjit të miratuar në vitin 2007.


Sipas shoqatës, vetëm një nga tetë këstet është paguar që nga viti 2007. Shumë nga ish të burgosurit politikë jetojnë në varfëri ekstreme.


Gjatë ditëve të fundit, grupi e përshkallëzoi protestën e tyre. Më 8 tetor, njëri nga grupi, Gjergj Ndreca, i vuri flakën vetes. Një grevist tjetër, Llazi Koçi, u dëmtua rëndë. Një i tretë, Lirak Bejko, u përpoq të bënte të njëjtën gjë më 10 tetor. Shumë ish të burgosur politikë kanë protestuar para Parlamentit në solidaritet me grevistët. Shumë nga grevistët janë të moshuar dhe të dobët.


“Amnesty International” e mirëpriti takimin fillestar të zhvilluar të premten e kaluar, takim që ndodhi vetëm pas ndërhyrjes së ambasadës së SHBA-së dhe delegacionit të Bashkimit Europian mes grevistëve dhe Presidentit Bujar Nishani. Gjithsesi, Kryeministri Sali Berisha, ka vijuar të deklarojë se protestuesit janë të motivuar politikisht. “Amnesty International” i kërkon atij të trajtojë menjëherë shqetësimet e tyre dhe të sigurojë që dëmshpërblimet të paguhen sa më parë. Nën regjimin komunist, mes viteve 1944 dhe 1991, shumë kundërshtarë të qeverisë u vunë nën shënjestër, për shkak të opinioneve të tyre politike dhe u dënuan me burgim, internim apo humbje të pronave të veta apo forma të tjera persekutimi. Të burgosurit u dënuan me punë të detyrueshme, shpesh në kushte të ashpra dhe përfituan racione minimale ushqimore dhe shumë pak ndihmë mjekësore. Sipas Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë, 5577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan dhe dhjetëramijëra të tjerë u burgosën apo u dërguan në kampet e punës. Ligji u jep ish të burgosurve kompensim prej 14.3 euro për çdo ditë burg.


Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, ka bërë thirrje për dialog për të trajtuar shqetësimet e këtyre grupimeve, si dhe rastet individuale, të cilat nuk u zgjidhën me skemën e vitit 2007. Tre organizata shqiptare të të drejtave të njeriut, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Viktimave të Traumave të Torturës i kanë bërë gjithashtu thirrje Parlamentit të trajtojë problemin në seancën e ardhshme ose të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme.


Megjithëse ish të burgosurit politikë u liruan dhe u falën 20 vjet më parë, ata nuk kanë përfituar asnjë formë tjetër kompensimi nga qeveria. “Amnesty International” vlerëson se ata duhet të zhdëmtohen me rimbursim të plotë të dëmit të pësuar, përfshirë kthimin, rehabilitimin dhe garantimin e mospërsëritjes. Shumë pak të burgosur, ata që u torturuan apo qenë viktima të formave të tjera të keqtrajtimit, kanë marrë ndonjë formë rehabilitimi, përfshirë mbështetje psikologjike, me përjashtim të ndihmës së ofruar nga organizatat joqeveritare.