Diskutohet pushimi i procedimeve që parashikojnë deri në 1 vit burg
Lirimet – Ata persona që do të kenë 365 ditë dhe më pak burg do të lirohen. Lirohen gratë, të cilat janë mbi 55 vjeç dhe fëmijët nën 18 vjeç
Uljet – Për pjesën tjetër të të dënuarve do të zbritet 1/4 e dënimit. Atyre që janë përsëritës u ulet 1/8. Pushohen disa procedime penale
Amnistia me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë do të prekë edhe çështjet nën hetim nga prokuroria. Ministria e Drejtësisë po diskuton mundësinë që të pushohen procedimet penale që parashikojnë burg deri në 1 vit ose çdo lloj tjetër dënimi më të lehtë, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që të amnistohen veprat penale që parashikojnë maksimumi dënimin me dy vjet heqje lirie. Deri më tani, diskutimet kanë qenë vetëm në institucionin e drejtuar nga Eduard Halimi, ndërsa më vonë do të pyeten edhe grupet e interesit, Prokuroria e Përgjithshme apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Megjithatë, të dhënat janë ende në fazë verifikimi dhe pas konkluzioneve paraprake do të nxirret një kategori veprash penale që përfitojnë. Nga burimet paraprake mësohet se amnistia do të prekë veprat penale që kanë si maksimum dënimi deri në një vit ose çdolloj dënimi më të lehtë, madje edhe veprat penale që parashikojnë dënime me gjoba.
Veprat penale
Nga të dhënat paraprake mësohet se do të pushohet ndjekja penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat, si dhe të vendoset mosfillimi i procedimit për kallëzimet që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 28 nëntor 2012, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 1 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të lehtë, madje edhe me gjoba. Madje, kjo zgjidhje ligjore pritet t’u jepet edhe procedimeve penale të pezulluara për vepra penale që përfitojnë nga amnistia, që ndodhen në prokurori ose në shërbimet e Policisë Gjyqësore të çdo strukture, duke vendosur më parë rifillimin e hetimeve të pezulluara. Në rastet, kur nga të dhënat që ndodhen në aktet e kallëzimit, ngjarjes ose ankimit apo në aktet e hetimeve paraprake në ndjekje, nuk mund të konkludohet për kualifikimin ligjor, nëse ndodheni ose jo para veprës penale të amnistuar, duhet të kryhen hetime të nevojshme, për të provuar faktin dhe pasi të bëhet kualifikimi i drejtë i veprës penale, të vendoset për mënyrën e zgjidhjes ligjore të përfundimit të çështjes.
Një zgjidhje do t’u jepet edhe për akuzat e ngritura dhe të pashqyrtuara nga gjykata, ku prokurorët sipas juridiksionit dhe kompetentes të kërkojnë nga gjykata, pushimin e çështjeve. Në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale, prokurorët të verifikojnë urdhrat e tyre të ekzekutimit të pazbatuar.
Amnistia më 28 Nëntor
Mësohet se amnistia do të jepet më 28 Nëntor 2012, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Ministri Eduard Halimi tha se kjo falje do të lirojë 250 të burgosur. Do të lirohen gratë mbi 55 vjeç dhe fëmijët nën 18 vjeç. Gjithashtu, do të ketë falje dënimi me 1/4 dhe 1/8 për një kategori veprash penale. Nuk përfitojnë vrasësit, përdhunuesit, pengmarrësit dhe shfrytëzuesit e prostitucionit. s.ç