Të burgosurit
Do të përfitojnë mbi 3 mijë persona për 100-vjetorin e Pavarësisë
Në tryezën e Komisionit të Ligjeve ka qenë një kërkesë e Byrosë së Mbrojtjes së të Burgosurve për përmirësimin e amnistisë
BLEDAR HOTI
Nga amnistia pritet të përfitojnë mbi 3 mijë persona të dënuar apo që janë në gjykim nga gjyqësori. Lista e përfituesve prek dhe ata të dënuar që janë në shërbimin e provës. Nga falja nuk do të përfitojnë të burgosurit, të dënuar për vepra të rënda penale, si vrasje, përdhunime, që përbëjnë rrezik për shoqërinë. Listës së të përjashtuarve u janë shtuar edhe zyrtarët e dënuar për korrupsion, si dhe shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Pas propozimit të socialistëve, u zgjerua lista e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia edhe me të dënuarit për krime elektorale. Kjo është amnistia e 7 e zbatuar pas viteve ’90, përfshirë edhe trazirat e ’97-s. Aktualisht në burgjet shqiptare vuajnë dënimin 2820 persona. “Mos harrojmë që kemi një numër tjetër të dënuarish, të cilët përfitojnë nga amnistia me uljen për 1/4 e dënimit. Mos harrojmë që kemi grupin e të dënuarve që janë nën regjimin e shërbimit të provës, që përfitojnë nga amnistia, kemi grupin e të dënuarve me gjobë që përfitojnë nga amnistia dhe së fundmi është kategoria e personave që kanë kryer një vepër penale, nuk e dimë nëse janë fajtorë apo jo, dhe ata përjashtohen nga ndjekja penale. Në terma sasiorë mund të themi se kemi pesë grupe përfituesish nga kjo amnisti”, tha Marsida Xhaferllari, drejtoreshë kodifikimi në Ministrinë e Drejtësisë. Janë 1380 persona të penalizuar jo me burg, por me dënim alternativ ose gjobë, që u falet totalisht dënimi dhe fitojnë plotësisht lirinë. Ndërsa pushohen ndjekjet penale dhe çështjet në hetim për 876 persona, të cilët deri më 31 gusht të këtij viti kanë kryer krime që dënohen maksimalisht deri në 2 vjet burg. Ndër përfitueset e kësaj faljeje janë gratë deri ose mbi 55 vjeç, si dhe burrat deri ose mbi 60 vjeç. Hera e fundit që amnistia është kryer në formë ligji ka qenë viti 2007, ndërsa çdo vit është aplikuar amnistia e dhënë nga Presidenti. Drafti në Kuvend duhet të kalojë me 3/5 e votave. Mbledhja e komisionit u drejtua nga nënkryetari, socialisti Fatmir Xhafaj. Në fund të mbledhjes, deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, deklaroi se “ju përgëzoj për ecurinë e mbledhjes, kërkoj që të jeni drejtues i seancës edhe për tri ligjet që kërkon BE-ja, në mënyrë që ju të jepni konsensusin siç dhatë sot”. Ndërsa Xhafaj iu përgjigj që PD-ja të mos harrojë çështjen e Fierit.
Kërkesat e Byrosë
Në tryezën e Komisionit të Ligjeve ka qenë një kërkesë e Byrosë së Mbrojtjes së të Burgosurve për përmirësimin e amnistisë. Kryetari i kësaj byroje, Sokol Koçiu, kërkonte që “neni 3, pika i draftit të riformulohet në këtë mënyrë: përjashtohen nga vuajtja e dënimit të gjithë të dënuarit me burgim, të cilëve deri më datën 28 Nëntor 2012 u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim jo më shumë se tre vjet, si dhe u zbritet tre vjet nga dënimi i mbetur të gjithë të dënuarve të tjerë me burgim; me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji”. “Paragrafi ‘ç’ të formulohet: Të gjithë personave të dënuar me burgim të përjetshëm u zëvendësohet dënimi me 25 vjet burgim. Paragrafit ‘e’ t’i hiqet togfjalëshi: ‘nenet 77, 78, 79, e 101 të K.Penal dhe zëvendësohet me togfjalëshin: ‘nenin 4 të këtij ligji’”.
1380 vetë – 1380 persona të penalizuar jo me burg, por me dënim alternativ ose gjobë, u falet totalisht dënimi dhe fitojnë plotësisht lirinë
876 persona – Pushohen ndjekjet penale dhe çështjet në hetim për 876 persona, të cilët deri më 31 gusht, kanë kryer krime që dënohen deri në 2 vjet burg
Koçiu – Kërkoi që neni 3 të riformulohet: “Përjashtohen nga vuajtja e dënimit të gjithë të dënuarit me burgim, të cilëve deri më datën 28 nëntor 2012 u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim jo më shumë se tre vjet”