AK: Partia e Kreshnik Spahiut, me 12 për qind të përkrahjes del se u merr pjesë dy partive politike, por më shumë i bën dëm Partisë Demokratike


FRD: Partia e re e drejtuar nga ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, i merr elektoratit të djathtë të PD-së 4.1 për qind duke e rrudhur më shumë


PS:Partia Socialiste ka një problem në sondazhe, pasi bie katër pikë nga rezultatet e zgjedhjeve të 2009-s. PS ka firo dhe në elektoratin e ri


Alarmohen socialistët. Braçe: Jemi shumë pak të rikthehemi në betejë


Dy partitë kryesore shqiptare pësojnë rrjedhje të konsiderueshme në elektorat, ndërsa Aleanca Kuqezi u merr mbështetës  socialistëve, por edhe demokratëve. Dëmin më të madh, partia e Kreshnik Spahiut ia bën selisë blu që i merr 11 pikë, ndërsa selisë rozë i merr katër pikë. Këto janë të dhënat e sondazhit të publikuar dje të ballafaquar me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 të marra nga partitë kryesore në vend. Ashtu siç është diskutuar nga disa përfaqësues të opinionit publik dhe të kundërshtuar nga pjesa tjetër, Aleanca Kuqezi, duket se do të marrë vota edhe majtas edhe djathtas, por duke gërryer më shumë Partinë Demokratike, por edhe duke i hequr forcën Edi Ramës. Siç në fakt Kreshnik Spahiu premton përditë në daljet publike.


Krahasimi


Në zgjedhjet e 28 qershorit 2013, Partia Socialiste renditet si forcë politike e parë, që ka rreth 40.84 për qind të votave të shqiptarëve. Vetëm shumë pak pikë, Partia Demokratike, renditet e dyta me 40.18 për qind të votave. Duke u ballafaquar me sondazhin e publikuar dje, Partia Socialiste merr 36.5 për qind të mbështetjes, pra humb rreth 4 pikë, ose 4 për qind të elektoratit tradicional të majtë socialist janë të gatshëm të votojnë për partinë e re të Kreshnik Spahiut. Nga ana tjetër, Partia Demokratike në sondazhin e publikuar dje merr 29.6%, pra humb gjithsej 11 pikë, ose thënë ndryshe 11% të mbështetësve të djathtë të Berishës janë gati të votojnë për Kreshnik Spahiun. Por në fakt, duke u thelluar më shumë në analizën e rezultateve të sondazhit të djeshëm, duhet marrë parasysh përkrahja ndaj Frymës së Re Demokratike të Bamir Topit, e cila merr 4.1 për qind të mbështetjes. Duke e llogaritur këtë shifër, del se Topi e merr këtë shifër nga elektorati i Partisë Demokratike. Ndaj  ballafaquar me rezultatet e 28 qershorit 2009 kemi një rritje të elektoratit që shprehet kundër Berishës, por një ulje të elektoratit që voton ndaj Partisë Socialiste. Duke e llogaritur që Topi i merr Berishës 4 për qind, atëherë Spahiu i merr 7% PD-së, ndërsa PS-ja ka një humbje më të madhe, duke llogaritur një numër elektorati që mund të cilësohet i shtuar si opozitar, që nuk kanalizohet te Rama, por tek opozita e re. Pra dy partitë: Aleanca Kuqezi dhe Fryma e Re Demokratike, të paktën virtualisht paraqiten si forca e re e ndryshimit që do të jenë faktor në rrotacionin politik, por edhe në fatin e qeverisjes së re dhe Rama nuk mund ta ketë lehtë të shpallet Kryeministër i Shqipërisë.


Alarmi


Shifrat e sondazhit të publikuar dje kanë alarmuar socialistët shqiptarë. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka shkruar dje në rrjetin social “Facebook”, se “PS 26.55% thotë ky sondazh!! Parti e parë në vend!! ‘Antiregjim’- janë më tepër. Por unë mendoj se vetëm 36.5% jemi shumë pak! Duhet të kthehemi në betejë, të luftojmë për të bindur njerëzit, jo për të qenë më të mirët, por që të jemi ndryshe nga ‘njerëzit e regjimit’ T’ua tregojmë në zgjidhje konkrete dhe të realizueshme, t’ua tregojmë me njerëz të rinj, të ndershëm, të papërkulshëm e të pakorruptuar”.


Braçe: T’ua tregojmë shqiptarëve me njerëz të rinj, të ndershëm, të papërkulshëm e të pakorruptuar


PS: Partia Socialiste, më 28 qershor 2009, mori 40.84 për qind të votave, ndërsa në sondazh është 36.5


PD: Partia Demokratike, më 28 qershor 2009, mori 40.18 për qind të votave, ndërsa në sondazh është 29.6%


LSI: Në zgjedhjet e 2009-s, LSI-ja mori 4.85 të votave, ndërsa në sondazhin e djeshëm është në shifrën 4.7


PDIU: Në zgjedhjet e 2009-s ka konkurruar vetëm një parti e çamëve, PDI, e cila mori 0.95 për qind të votave