Bashkëpunimi


ushtria shqiptare_1Në kuadrin dhe zbatimin e programit të bashkëpunimit dhe aktiviteteve kryesore me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, anije ushtarake të NATO-s u ankoruan dje paradite në Portin e Vlorës, ku do të qëndrojnë tri ditë. Këto anije janë pjesë e grupit të gatshëm të Anijeve Minaheqëse të NATO-s, SNMCMG2 dhe qëllimi i vizitës portuale treditore është trajnimi dhe bashkëveprimi midis Forcave tona detare dhe atyre të NATO-s. Gjatë këtyre tri ditëve, personeli i grupit SNMCMG2 do zhvillojë takime dhe vizita në Komandën e Flotiljes Pashaliman, në Bashkinë dhe Prefekturën e Vlorës. Ky grup është angazhuar kryesisht në rajonin e Mesdheut, ndërkohë që vihet në dispozicion të programit të NATO-s për t’u dislokuar dhe për të kryer operacione në rajone të tjera. Grupi i anijeve SNMCMG 2 ka për mision të ndërmarrë një shumëllojshmëri të gjerë detyrash dhe operacionesh dhe është i aftë për të mbështetur operacionet antiterroriste, është i gatshëm për të ndihmuar në parandalimin e situatave të krizës dhe konflikteve në hapësira detare. Njësitë brenda këtij grupi janë gjithashtu në gjendje për të kryer operacione të heqjes së minave detare, kërkim-shpëtimit (SAR), operacione joushtarake të evakuimit.