Ligji që u miratua pak ditë më parë përjashton ministrat, deputetët, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Kushtetueses! 


Sokol Çobo


Komisioni i LigjeveLigjvënësit shqiptarë janë kujdesur në maksimum që të mos u hetohet pasuria, sipas ligjit “Antimafia”. Ky ligj u rimodifikua për herë të tretë brenda 10 viteve ekzistencë, ndërsa tashmë parashikon që edhe zyrtarët e hetuar për korrupsion t’u hetohet pasuria, pra t’u sekuestrohen ato të ardhura apo prona të patundshme që nuk justifikohen, megjithëse mund të marrin pafajësi. Tashmë 140 deputetët në Parlamentin shqiptar, ministrat (megjithëse janë pa mandat), gjyqtarët e Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese ashtu si Presidenti dhe Kryeministri, nuk mund të preken nga ky ligj, i cili u bë posaçërisht për këtë kategori zyrtarësh. Madje, për këtë reformë, siç u cilësua ky ligj, u bënë edhe deklarata se “tashmë të gjithë do të hetohen”, megjithëse në realitet është krejt e kundërta, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda do t’i ketë “duart e lidhura” për këta zyrtarë të lartë, ndaj të cilëve nuk mund të bëhet asnjë verifikim, pasi provat do të cilësohen si të paligjshme. Ende nuk dihet sesi e kanë formuluar ligjvënësit shqiptarë këtë ligj, pasi nuk është botuar akoma në Fletoren Zyrtare me ndryshimet përkatëse, por ajo që bie në sy, është heqja e tyre nga ky ligj.


1 -dt 5 mars


Tashmë prokuroria do të hetojë, si gjithmonë, vetëm “peshqit e vegjël”, ashtu siç ka bërë deri më tani, duke përjashtuar këta zyrtarë të lartë, për të cilët është kërkuar me ngulm hetimi, megjithëse jo penal, por pasuror. Vitet e fundit ka pasur diskutime në lidhje me standardin e lartë të jetesës së kësaj kategorie zyrtarësh, me vila, apartamente luksoze dhe llogari bankare të majme, ku në të kaluarën, vetëm ILDKPKI-ja mund t’u hetonte pasurinë, gjithmonë nëse do t’u binte shorti. Lindi nevoja që këta zyrtarë të hetoheshin si të gjithë shtetasit e Shqipërisë, duke nisur nga Presidenti i Republikës, madje kjo u trumbetua me të madhe nga ligjvënësit shqiptarë të të dyja krahëve politike. U rihartua i famshmi ligji “Antimafia”, ai i cili ishte shfuqizuar më parë nga Gjykata e Lartë, duke “favorizuar” anëtarët e bandave kriminale apo atyre që hetoheshin për trafiqe të ndryshme, i cili u sekuestronte pasurinë kriminelëve më të rrezikshëm. Ligjvënësit menduan që edhe zyrtarëve të lartë t’u hetohej pasuria, ashtu si edhe anëtarëve të bandave kriminale, madje në Parlament u dërgua një projektligj që prekte edhe zyrtarët e lartë të hetuar më parë për korrupsion. Pas “alarmit” se ky ligj prekte “peshq të mëdhenj” që ishin hetuar apo që mund të hetoheshin më pas, u kryen me shpejtësi ndryshimet përkatëse. U pranua kërkesa e prokurorisë që jo cilindo mund të hetohej te Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi në këtë mënyrë do të kishim një superstrukturë, ndërsa në ligj u vendos një përjashtim, gjithmonë në fazat e fundit të diskutimeve, pra në Komisionin e Ligjeve. Ndryshimi konsistonte vetëm me një nen të Kushtetutës, por që është domethënës, pasi në këtë mënyrë përjashton të gjithë zyrtarët e lartë nga ky ligj. “Ky ligj prek të gjithë zyrtarët e lartë të administratës qendrore dhe vendore, në përjashtim të nenit 141 të Kushtetutës”, do të deklaronin deputetët pas miratimit të ligjit “Antimafia”. Por çfarë thotë pikërisht Kushtetuta. “Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të caktuara gjyqësore”, pra e thënë ndryshe, përjashtohen pikërisht zyrtarët e lartë, Presidenti, Kryeministri, ministrat, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Kushtetueses. Por kush zyrtar mund të hetohet? Zëvendësministrat dhe drejtorët e rëndësishëm në ministritë, si dhe kryetarët e institucioneve të pavarura, ashtu si edhe krerët bashkiakë. Pra, një numër tepër i vogël.