Testimi në Korçë zbulon cilësinë e ulët të veshjeve speciale
Një testim nga kufitarët e Korçës zbuloi se antiplumbët e rinj çpohen nga kallashnikovi
Kallashnikovët janë edhe lloji më i përhapur i armëve në duart e kriminelëve në Shqipëri
Uniforma e re e Policisë së Shtetit, për të cilën mangësitë kanë qenë të dukshme, si për veshjet dimërore me xhupa mbi brez apo edhe këpucë uniforme, mësohet se ka defekte edhe në atë që është pjesë mbrojtëse e uniformave blu. Jelekët antiplumb, me të cilat është pajisur një pjesë e Policisë së Shtetit, siç janë strukturat operacionale, ato të ndërhyrjes së shpejtë apo efektivët që janë pjesë e aksioneve me rrezik për jetën, nuk i përmbushin kushtet e duhura.
Gjatë stërvitjes me qitje që ka kaluar një pjesë e Policisë Rajonale të Korçës, janë provuar edhe jelekët e rinj antiplumb se sa rezistentë janë kur qëllohen me armë të ndryshme. Shkalla e rezistencës së këtyre jelekëve antiplumb ka rezultuar e kategorisë së dytë, ose mesatare, kur fortësia apo qëndrueshmëria e tyre vlerësohet nga 1 deri në 3. Provat e jelekëve antiplumb janë kryer me armë pistoletë dhe ka dalë se rezistenca e tyre është deri në atë që njihet si shkalla e dytë. Ndërsa provës me kallashnikov, jelekët antiplumb nuk i kanë qëndruar, duke e zbritur në shkallën 1 qëndrueshmërinë e tyre.
Sipas të dhënave që ka Policia e Korçës, si pjesë e uniformës së re të policisë, tek efektivat e saj janë shpërndarë një numër jo i konsiderueshëm jelekësh antiplumb të prodhimit të ri, me të cilin janë pajisur strukturat e saj, që e kanë më të nevojshme këtë mbrojtje. Në reparte të caktuara të Policisë së Shtetit vazhdojnë të funksionojnë edhe jelekë antiplumb që nuk janë prodhim i ri, por që mbahen si pajisje mbrojtëse nga efektivat që kanë rrezikshmëri më të lartë në përballje me krimin.
Jelekët antiplumb janë provuar me qitje nga Policia Kufitare e Rajonit të Korçës, ndërsa pritet që edhe sektorë të tjerë të Policisë së Shtetit, siç është Policia Kriminale, ajo e Rendit etj. të vënë në provë këtë veshje të re mbrojtëse, e cila deri tani nuk ka rezultuar e cilësisë së lartë, sipas parametrave të vendosura nga vetë policia.
Vlen të theksohet se lloji më i përhapur i armëve pa leje në Shqipëri janë automatikët kallashnikovë të kalibrit 7.62 mm, për shkak të trazirave të vitit 1997 në vend. Kjo lloj arme, që mund të sigurohet lehtësisht nga çdo kriminel, nuk përballohet nga jelekët antiplumb me të cilët është pajisur së fundi policia shqiptare. Në bazë të testimit të kryer nga kufitarët e Korçës, rezulton se një polic i pajisur me jelekun e ri antiplumb është njësoj sikur të ketë veshur kanotiere pambuku përballë kriminelit me kallashnikov.
Cilësia e veshjeve mbrojtëse të Policisë së Shtetit nuk ishte diskutuar deri më sot, ndërkohë që çështja e uniformave të reja është bërë objekt edhe i prokurorisë. Përpos parregullsive në tender, specialistë të fushës dhe punonjës të policisë kanë ngritur shqetësimin se uniformat e reja mbajnë simbole që nuk janë të miratuara, si dhe kanë probleme serioze të cilësisë. Ankesat për uniformën e re janë bërë nga oficerë e punonjës të Forcës së Posaçme në polici, sidomos në Qarkun e Tiranës dhe lidhen kryesisht me cilësinë. Por testimi i kufitarëve të Korçës zbulon një problem shumë më të rëndë, që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e jetës së policëve.
Jelekët antiplumb
Testimi: Një pjesë e forcave të Policisë së Korçës testuan jelekët e rinj antiplumb, duke bërë qitje mbi ta, me armë të kalibrave të ndryshëm
Pistoleta: Nga testimi rezultoi se jelekët e rinj kishin një rezistencë të shkallës së dytë nga gjuajtjet me pistoletë, çka konsiderohet mesatare
Kallashnikovi: Jelekët e rinj kanë rezultuar të pafuqishëm përballë plumbave të kallashnikovit, me një qëndrueshmëri të shkallës 1, që është më e ulëta
Siguria
Jelekët: Veshja speciale nuk është shpërndarë për të gjithë efektivët e policisë, por vetëm për strukturat që kryejnë operacione me rrezikshmëri
Uniformat
Tenderi: Prokurimi prej afro 1,9 miliardë lekësh për uniformat e reja të Policisë së Shtetit u bë objekt i hetimeve të prokurorisë
Dyshimet: Sipas specialistëve, firma që fitoi tenderin për uniformën e re ishte përcaktuar përpara se të kryheshin procedurat ligjore
SIMBOLET
Në uniformat e reja që iu shpërndanë punonjësve të policisë gjenden simbole të cilat ishin shfuqizuar në kohën kur u bë tenderi
MBROJTJA
Bashkë me veshjet normale, një pjesë e punonjësve të policisë u pajisën edhe me jelekë antiplumb, që po rezultojnë gjithashtu me probleme
Raporti
Edhe forcat RENEA përdornin jelekë jashtë standardit
Në gusht të vitit 2011, gazeta “Shqip” zbuloi një raport të policisë që fliste për mungesa të theksuara të armatimeve dhe mjeteve mbrojtëse që kishte në dispozicion reparti elitë i policisë shqiptare, RENEA. Në raportin që ishte hartuar pas një inspektimi në ambientet e repartit, vërehej mes të tjerave se efektivët e RENEA-s kishin jelekë antiplumb në një gjendje teknike dhe mbrojtëse me mangësi, që në raste serioze të goditjes me armë zjarri të një kalibri 7.62 mm, me një municion të mbushjes së plotë, nuk do të ofronin mbrojtjen e nevojshme. Të gjithë jelekët ishin në përdorim mbi 10 vjet që është koha maksimale, si dhe koha e garantuar dhe e dhënë nga firma prodhuese, që mund të përdoret për mbrojtje. Në raport thuhej se shumica e jelekëve ishin të konsumuar dhe të dëmtuar në pjesën e jashtme, por edhe në pjesën funksionale të brendshme. Në raport evidentoheshin gjithashtu probleme edhe me helmetat mbrojtëse. Pas publikimit të këtij raporti nga gazeta “Shqip”, Policia e Shtetit njoftoi se kishte bërë zëvendësimin e jelekëve dhe helmetave të pasigurta, si dhe kishte pajisur repartin special me armatime të kohës.
Dosja
Drejtori i Policisë së Shtetit, nën hetim për uniformat
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, po ndiqet penalisht për shpërdorim detyre për tenderin e uniformave të policisë. Shkelje dhe dëm financiar për këtë tender janë gjetur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndërkohë që hetim ka kryer edhe antikorrupsioni i Kryeministrit. Skandali u zbulua nga gazeta “Shqip”, gjatë një investigimi për tenderin e uniformave të policisë, dhe nuk u pranua asnjëherë nga zyrtarët e kësaj strukture, duke pretenduar se nuk ka pasur abuzime me këtë tender. Por dyshimet për abuzime bënë që të hetohet më tej mbi tenderin e firmosur mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, dhe shoqërisë “Gjergjefi” sh.p.k, pikërisht më 20 qershor të vitit 2011. Kallëzimi për këtë çështje është bërë nga nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Ilir Gjoni.