Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaron se disa armatime janë shitur me çmim minimal, për shkak se kostoja për demontimin e tyre ishte e lartë.
Duke folur në Kuvend, pas akuzave të bëra nga deputeti socialist Erjon Braçe, ministri Imami deklaroi se armatimet u shitën me çmim të lirë për të shmangur edhe pasojat në njerëz.
“Shumë dokumente të publikuara nga deputeti Braçe janë sekrete shtetërore. Ai duhet të tregojë se si i ka mbledhur këto dokumente në mënyrë të jashtëligjshme”, – tha Imami, i cili theksoi se Braçe do të japë llogari ligjore për nxjerrjen e këtyre dokumenteve.
Në një deklaratë pak më herët përpara mediave, Imami ka mohuar të ketë njohje me biznesmenin serb, Tesiç për të cilin opozita e akuzon se ka nënshkruar kontrata për tregtimin e municioneve ndërsa i ka kujtuar deputetit të PS, Erion Braçe se do të ndjekë rrugën ligjore për akuzat që i janë bërë.
“Është një emër që nuk e njoh personalisht dhe s`kam ndonjë njohje me të. Kështu përveç padisë së Ministrisë së Mbrojtjes, zotit Braçe i është bërë edhe një padi personale. Ministria e Mbrojtjes nuk e njeh dhe s`ka asnjë lloj kontakti me shtetasin serb që mund të jetë Tesiç. Tre akuza të njëpasnjëshme kanë rënë dhe kanë dështuar për shkak se informacioni i Braçes është marrë në rrugë të kundërligjshme, është i mangët dhe i cungët”, shtoi ministri.
4 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)