“Liami i propozon live Evelinës për martesë”
Arbri është fituesi i edicionit të pestë të “Big Brother Albania”. Pas shumë ditësh qëndrimi në shtëpi, ai triumfoi duke u shpërblyer edhe me çmimin e madh. Duke qenë se Arbri ka hyrë më vonë në shtëpi, çmimi prej 100 milionësh do të reduktohet në bazë të ditëve të qëndrimit, ndërsa pjesa tjetër u kalon finalistëve. Arbri është i pari konkurrent nga Kosova që shkon në finalen e “Big Brother Albania”. Emocione, fishekzjarrë dhe në një atmosferë festive, Arbri ka dalë i fundit nga shtëpia më e famshme në Shqipëri. Ermali, Genta, Françeksa dhe Liami, qenë katër finalistët që tentuan drejt çmimit të madh, por ndonëse nuk e fituan, i shkuan deri në fund një eksperience të paharrueshme. Arbri e ka shprehur disa herë se do t’i përdorte lekët e çmimit të madh për të blerë një shtëpi dhe për të ndihmuar prindërit, pasi ata kanë sakrifikuar shumë për fëmijët e tyre. Pas një loje të fortë në shtëpi, Arbri kthehet në Kosovë si fituesi i parë i këtij ‘reality show’.
Emocione, lot, të papritura…Pas një spektakli madhështor, dritat janë fikur në shtëpinë më të famshme në Shqipëri. “Big Brother Albania 5” e ka tashmë një fitues.
Shtëpia e transformuar
Shtëpia e “Big Brother Albania 5” ishte tërësisht e transformuar për finalen e madhe. Ambiente të reja të përshtatura për banorët, një oborr me ekran të madh, ambient i zbukuruar me lule dhe një atmosferë shumë e ndezur jashtë shtëpisë, ku shumë fansa prisnin fituesin e “Big Brother Albania”. Arbana po ashtu ka qenë krejtësisht rrëzëllitëse natën finale, duke mbyllur një maratonë të gjatë transmetimi. Arian Konomi po ashtu ka qenë gjatë të shtunave protagonist i mbrëmjeve live me opinionet e tij. “Ky ka qenë një ‘Big Brother’ shumë i veçantë. Unë kam krijuar edhe afeksione shpirtërore duke folur për ta. Ka pasur shumë të papritura, risi edhe për sa u përket pesë finalistëve. Të pestë finalistët do të mbahen mend për atë çfarë janë, pavarësisht se të ndryshëm nga njëri-tjetri”, ka thënë Ariani.
Françeska, në sfilatë me fustan nuseje
Françeska ka qenë zbulimi i këtij edicioni. Vetëm 18-vjeçare, vajza nga Vlora ka përballuar çdo situatë brenda shtëpisë, duke arritur në finale. “Nuk kam pasur ndonjë moment shumë të vështirë, paksa te nominimi i Ermalit nuk e di si u ndjeva”, ka thënë Françeksa. Arbana e ka ftuar në kopsht të shohë një klip me rrugëtimin e saj në “Big Brother”, teksa e pyet për motrën Denisën, lidhjen me të dhe nëse ajo ka marrë pjesë në ndonjë sfilatë si Françeska. “Ajo është tip shumë ndryshe nga unë, është më serioze. Nuk ka dashur të marrë pjesë në sfilata, edhe pse është më e mirë se unë”, ka thënë Françeska, teksa më parë qe shprehur se nuk e dinte nëse ajo do ta pëlqente Ermalin. Teksa Françi sheh një sfilatë live, në fund të saj vjen Denisa e veshur me një fustan nuseje. Motrat janë takuar me njëra-tjetrën, ndërsa Arbana i ka dhënë lajmin e mirë që Françeska do të jetë pjesë e sfilatës së ardhshme me fustanet e nuseve të “Geraldina Sposa” më 5 qershor. Françeska shijoi kështu frytet e para të spektaklit.
Ermali përjeton kujtimet nga Memaliaj
Ermali është i vetmi banor që nuk doli asnjëherë në nominim. Nata e madhe e finales qe përballja e tij e parë dhe e fundit me publikun. “Fakti që nuk kam qenë në nominim, do të thotë se banorët më kanë parë si konkurrent të fortë, por jashtë nuk e di. Jam shumë i lumtur që kam njohur 25 konkurrentë, fakti që jam me 4 konkurrentët më të mirë është një vlerësim më i madh. Është një nga eksperiencat më të bukura dhe i ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë ta provojnë, sepse njohin veten”, ka thënë Ermali. Ai është shprehur se nuk ka pasur asnjë lloj strategjie, por ka pasur si qëllim të jetë vetëm. “Unë kam qenë i hapur dhe i qartë, ndonëse banorët kanë menduar se jam kamufluar. Françeska ka qenë një pjesë e rëndësishme. Nëse do kisha këtë lidhje të ngushtë që në fillim me Françeskën, nuk do ta kisha lënë të rrinte në shtëpi, prandaj bëra kompromis me veten që ta lija të bënte lojën e saj”, ka thënë ai. Në këtë mbrëmje, Vëllai i Madh kishte vendosur t’i sillte kujtime nga qyteti i lindjes, Memaliaj. Në oborr ai sheh disa kuti. Teksa hap të parën, gjen aty një biçikletë. Ia ka dhuruar tezja para 15 vjetësh. Në kutinë e dytë ka gjetur një karrocë me kushineta të ndërtuar vetë me djalin e hallës, në të tretën gjen një unazë që ia ka dhënë gjyshe Hurmaja që nuk jeton më, ndërsa nga një kuti e madhe dalin shokët e tij Nesti, Klodi dhe Eraldi.
Liami i propozon live të dashurës, Evelinës
Liami erdhi nga Gjermania për t’u bërë pjesë e “Big Brother”. Ai nuk pati as kohë të çmallej me familjarët e tij, ndërkohë që në dhomën e rrëfimit ka folur për të dashurën e tij gjermane Evelinën dhe për një propozim që donte t’i bënte. “Unë i kam pasur të 100 ditët e bukura, vetëm momenti që i kam thënë Françeskës që nuk doja të isha si prindërit e saj që shohin vajzën që hyn që në javën e parë në krevatin e një mashkulli”, ka thënë Liami. Ai ka thënë se është sjellë ashtu siç është sjellë edhe jashtë. Liami thotë se personi që i mungon më shumë është Evelina. “Po fitova, pas 5-6 muajsh dua të martohem. Do ta sjell edhe këtu. Kam menduar një self servis, ku çdo gjë shërbehet në mënyrë perfekte, vetëm me muzikë xhaz. Do të jem njeriu më i lumtur”, ka thënë Liami në klipin për të dashurën. Arbana e fton të dalë te fusha ku ka një atmosferë shumë romantike me lule dhe pemë. Liami sheh një klip me Evelinën, e cila ka veshur fustan nuseje dhe hip në makinë dhe gjatë gjithë kohës ai përjeton emocione të forta. Menjëherë pas klipit, Evelina çan perden dhe del me makinë. Liami e takon për herë të parë Evelinën pas 100 ditësh dhe ka përjetuar emocione të forta dhe përlotet. “Në qoftë se do bëhet fjalë për një propozim për martesë, të jesh 100% që unë do të pranoj”, ka thënë Evelina. Arbana i ka thënë Liamit se nëse do të donte të bënte një propozim, mes luleve ai kishte një unazë. Liami e ka marrë unazën, ai është ulur në gjunjë dhe e ka propozuar shqip. Një situatë shumë romantike dhe një propozim live në “Big Brother”. Evelina ka pranuar dhe të dy kanë shkëmbyer puthje të gjata. Arbana i ka dhënë urimet nga studioja, ndërsa Evelina ka thënë se ishte shumë e lumtur. Ndërsa ka hyrë në shtëpi, banorët i këndojnë “O dhëndër, ku shkon kështu..”.
Genta takon vëllain
Genta ka qenë një nga banoret më të diskutuara të këtij edicioni. Përveç faktit që ajo vinte nga një fshat i vogël, batutat e vazhdueshme dhe pastaj dalja e fotove intime e kanë bërë shumë të diskutuar brenda dhe jashtë shtëpisë. “Unë kam hyrë për të mësuar më shumë, si të diskutoj, si të përballoj situatat, që njerëzit të më njohin kështu siç jam, pa komplekse”, ka thënë Genta. Arbana e ka pyetur se kur kanë qenë momentet më të gëzuara dhe Genta i është referuar javës së parë, ndërsa momentin më të keq ka konsideruar takimin me Rubensin. “Unë e kisha menduar më të vështirë jetesën në ‘Big Brother’, nuk besoja se do të përshtatesha kaq mirë. Më vonë nisën të lindnin debatet e para,
nuk u kam pëlqyer të gjithëve, sepse ndoshta ata me lojtar kuptojnë një njeri që vetëm debaton”, ka thënë Genta. Vëllai i Madh i kishte bërë edhe asaj një surprizë. Genta ka folur shumë për vëllain e saj, Eltonin, i cili ka hyrë në shtëpi duke i kushtuar edhe një këngë. Ai tashmë është bërë i famshëm, duke realizuar edhe një videoklip.
Arbri takon të ëmën
Arbri është një tjetër finalist, i pari që arrin në këtë fazë nga Kosova. Ashtu si të tjerët, në një ambient të përshtatur për ta me një ekran të madh, ai sheh rrugëtimin e tij brenda shtëpisë. “Kur futem në një garë, futem që të luftoj deri në pikën e fundit, me besimin që do ia dal. Përveç fillimit që kam qenë pak skeptik, pastaj kam pasur besim të plotë. Nuk do kisha ndryshuar asgjë po ta kisha nisur nga fillimi. Kjo është një eksperiencë që do të na përcjellë për vite të tëra. Nuk kam bërë lojë, kam qenë i hapur ndaj gjërave që më kanë ardhur dhe jam mundur t’i përball në mënyrën më të mirë. Njerëzit kanë menduar se jam me Liamin në lojë, por nuk ka qenë kështu”, ka thënë Arbri. Arbana i ka thënë se sa i ka munguar komunikimi me familjarët, e veçanërisht me të ëmën. Ajo e fton të dalë në oborr ku gjenden gjashtë telefona. Arbri fillon të flasë me të ëmën, por linja shkëputet. Ai kthehet në sallon ku njoftohet se e ëma e pret në oborr. Teksa ata çmallen, Rina Abdyli, shoqja e Arbrit, këndon “Oh Mother”.
Djemtë interpretojnë sërish “Single lady”
Arbana i njofton djemtë se performanca e tyre e “Single lady” është pëlqyer aq shumë sa ata do ta interpretojnë sërish. Më parë Arbri pati thënë se ky ishte momenti i tij më i vështirë. Në oborr hyn Graciano me një zarf në dorë, i cili ka qenë koreografi i pjesës dhe i ndihmon sërish djemtë. Arbana u thotë se ata do të kenë sfidues përballë dhe nëse e humbin provën do të ulet me 20% çmimi i madh. Djemtë ndihen të sikletosur nga ky lajm, por më vonë Arbana u tregon se kjo ishte shaka. Përballë tyre dalin balerinat që kërcejnë “Single lady” duke krijuar situata gazmore.
Tre televotime
Vëllai i Madh ka menduar t’i mbajë në tension banorët, por edhe publikun për fituesin e këtij edicioni. Pas mbylljes së televotimit të parë e ndërsa janë larguar dy nga banorët, Arbana ka hapur sërish televotimin, nga i cili është larguar edhe një tjetër banor, ndërkohë që publiku ka votuar sërish për të zgjedhur fituesin e “Big Brother Albania 5”.

