Dy shpatat e heroit, përkrenarja, një gravurë, një pikturë dhe disa kodeks rikthehen pas më shumë se katër shekujsh në Shqipëri. Specialistët e Muzeut Historik të Artit në Vjenë kanë kërkuar masa të rrepta sigurie. Reliket do të ekspozohen për publikun në Muzeun Historik Kombëtar nga data 12 nëntor 2012 deri më 13 janar të vitit 2013
Austriakët: Roje 24 orë dhe lidhje direkte interneti me Muzeun e Vjenës
Oliverta Lila
Dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut mbërrijnë sot në Tiranë. Pas më shumë se 4 shekujsh rikthehen në Shqipëri. Prej vitit 1590, inventari më i hershëm që ekziston, ndodhen në Muzeun Historik të Artit në Vjenë. Së bashku me armët, nga Vjena vijnë edhe disa kodeks(fletë të një kodiku ku në gjermanisht ka të dhëna për jetën e Skënderbeut), një gravurë dhe një pikturë që tregon heroin në profil dhe shpatën në këmbët e tij. Të gjitha këto objekte së bashku me vitrinën e Muzeut të Vjenës do të zbarkojnë në mëngjes në Portin e Durrësit, ku do të priten nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi. Nën masa të forta sigurie do të shoqërohen drejt Tiranës ku do të vendosen në Muzeun Historik Kombëtar. Sipas kërkesës së specialistëve austriakë, të cilët në muajin korrik të këtij viti bënë të parën vizitë në muze për të parë kushtet klimatike, arka që mban armët, nuk do të hapet për 24 orë. Shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut, do të ekspozohen për publikun prej datës 22 nëntor, ora 14.00, në Pavijonin e Mesjetës.
Specialistët austriakë (Christian Beaufort, Sylvia Ferino dhe Caridad Nieto) e konsideruan si pavijonin më të përshtatshëm duke qenë se pas vitrinës së ekspozimit, ndodhet një afresk i madh për Skënderbeun, gjendet një shtatore e heroit, imitacione armësh, botime origjinale në disa gjuhë etj. Ndërkohë, duke e konsideruar një ngjarje të veçantë, Muzeu Historik Kombëtar ka ngritur një infrastrukturë informative përgjatë rrugës që të çon në katin e dytë të muzeut, aty ku do të ekspozohen këto relike. Në pjesën ballore, dy banesa të mëdhenj me imazhin e përkrenares dhe njërës shpatë ku shkruhet “Armët e Skënderbeut në Shqipëri”. Nga kati i parë deri në Pavijonin e Mesjetës, përfshirë edhe shkallët, janë vendosur panele që tregojnë rrugëtimin e këtyre armëve nga Shqipëria drejt Italisë fillimisht e më pas se si përfunduan në Muzeun e Vjenës. Imazhe të Skënderbeut, kopertina e zmadhuar e botimit “Historia e Skënderbeut” e Barletit për të mbërritur në një ambient të krijuar enkas për këtë ekspozitë. Në një hapësirë prej 11 metrash, në mënyrë rrethore janë vendosur imazhe të marra nga botimi origjinal në gjermanisht i “Historisë së Skënderbeut”, për të krijuar ndjesinë e përjetimit të asaj epoke. Në një ekran të madh, në bashkëpunim me TVSH-në, në rreth 17 minuta transmetohen skenat e betejave nga filmi i njohur “Skënderbeu”, ndërkohë që në banera nuk janë lënë jashtë as vargjet e Naim Frashërit nga “Historia e Skënderbeut”. Naim Frashëri, pas vizitës që ka bërë në Muzeun e Vjenës ka hedhur në letër vargjet: “Lum ti moj Shqipëri, thashë Armët e ti’ kur i pashë Ndë Belvedere, në VjenëSikur pashë Skënderbenë”. Specialistët austriakë kanë kërkuar kujdes maksimal për armët, por edhe transportimin e vitrinës prej xhami, të cilat përveç rojeve të muzeut, do të shoqërohen gjatë gjithë kohës edhe nga Policia e Shtetit. Në kërkesat e tyre specialistët austriakë kanë kërkuar një roje të armatosur që të qëndrojë gjatë gjithë kohës pranë vitrinës, ndriçimin e duhur, por edhe një lidhje të drejtpërdrejtë interneti, përmes së cilës, specialistët e muzeut të Vjenës, përmes një pajisje të posaçme do të kontrollojnë temperaturën dhe nivelin e lagështisë brenda vitrinës së armëve. Kërkesat vijojnë me një sistem alarmi të vitrinës që të lidhet drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit(përveç sistemit të alarmit që ka vetë muzeu) dhe një sistem alarmi kundra zjarrit të lidhur me shërbimin zjarrfikës. Specialistët austriakë kanë kërkuar që të gjitha këto masa të rrepta sigurie të garantohen gjatë gjithë kohës që reliket do të jenë të ekspozuara në Muzeun Kombëtar, deri më 13 janar të vitit 2013. Sjellja në Tiranë u mundësua nga një marrëveshjeje e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj austriake në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë. Për herë të parë publiku i gjerë do të shohë nga afër shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut në dimensionet e tyre reale. Për vite me radhë, historia e shpatës së heroit kombëtar është kthyer në një legjendë. Siç ndodhi me “Mesharin” e Gjon Buzukut, pritet që interesi i publikut për të parë këto relike të jetë shumë i madh. Më parë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi pati theksuar se transportimi i tyre do të kushtonte rreth 100 mijë dollarë, por të gjitha kërkesat për masat e sigurisë duket se do ta tejkalojnë.
Kërkesat
Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria kërkon të kthehen armët e Skënderbeut në atdhe. Nga dokumentet e arkivit dëshmohet se kërkesa e parë për të kthyer simbolet e heroit është bërë që në vitin 1924. Ministri i Punëve të Jashtme, në kohën e mbretërisë, Sulejman Delvina, porosiste konsullin tonë në Vjenë që të vazhdonte negociatat me një inxhinier të quajtur Hubert Hassler, për të bërë të mundur kthimin e dy shpatave dhe përkrenares së Skënderbeut. Edhe në vitin 1968, në festimet për 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut është bërë një tjetër kërkesë për të sjellë armët, e cila është refuzuar nga austriakët.
Historia e armëve
Helmeta dhe shpata kanë një histori të errët dhe ngatërruese. Pas vdekjes së Skënderbeut, ato u morën në Itali nga gruaja e Skënderbeut, Donika, dhe djali i tij, Gjoni. Kush i trashëgoi pas vdekjes nuk dihet. Armët u rishfaqën në dekadën e fundit të shekullit të 16-të. Në 1590 një helmetë dhe një shpatë ishin në pronësinë e Kontit Eolfgang i Sturnbergut, kurse shpata tjetër ishte në Inventarin e Muzeut të Armëve të Arqidukës Karl të Stirisë, djalë i Perandorit të Shenjtë Romak në Gratz të Austrisë (ato paraqiten në inventarin e 30 tetorit 1590). Personi që i grumbulloi të gjitha armët bashkë ishte djali i Perandorit dhe vëllai i Karlit, Arqiduka Ferdinand i Tirolit, i cili, duke vepruar me këshillën e Kancelarit të tij, Jacob Shrenk von Gotzing, i bleu armët dhe i mbajti në të njëjtin vend. Më vonë, ky princ ngriti Muzeun e Ambrasit, pranë Tirolit, të cilin e mbushin me lloj-lloj materialesh ushtarake, ashtu si edhe me piktura dhe portrete të personaliteteve të kohës. Në 1806, armët u transferuan në Muzeun Perandorak në Vjenë.
