Dritan Zagani, ish-shefi për Narkotikët dhe Trafiqet në Fier, i arrestuar 1 vit më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe trafikut të lëndëve narkotike dyshohet se është arratisur jashtë vendit. Zagani u arrestua më 2 maj 2014 dhe çështja në ngarkim të tij u gjykua fillimisht nga gjykata e krimeve të rëndë. Pas rënies së njërës akuzë çështja i kaloi prokurorisë së Fierit. Tre muaj më parë gjykata kishte vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie për Zaganin. Mungesa e 42 vjeçarit është konstatuar gjatë seancës së sotme në ngarkim të tij. Policia e shtetit e ka shpallur sot në kërkim ish-funksionarin e lartë të policisë së Fierit.
Ish-shefi i antidrogës, dyshohet se “shiste” sekretet te një i huaj
Shefi i antidrogës në Fier ka përfunduar në prangat e kolegëve të tij, bashkë me gjashtë të dyshuar për trafik droge, pasi dyshohet se ka prishur një operacion të krimeve të rënda për kapjen e këtyre trafikantëve, si dhe “shiste” informacione” te një shtetas i huaj. Dritan Zagani, i kapur bashkë me grupin që për Krishtlindjet e vitit të kaluar tentoi trafikimin e një toni drogë nga Vlora drejt Italisë, dyshohet paraprakisht vetëm për shpërdorim detyre, por po hetohet edhe për bashkëpunim në trafikun e kanabisit. Gazeta “Shqip” ka zbardhur dosjen e plotë të Krimeve të Rënda për oficerin dhe grupin e goditur gjatë operacionit të koduar “Merry Christmas 2”, nga i cili mësohet se Dritan Zagani kishte komunikim të shpeshtë me një nga të arrestuarit dhe në bazë të informacioneve të marra prej tij, në janar të këtij viti, ka organizuar një operacion, duke sjellë shkatërrimin e një hetimi më të zgjeruar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Zanafilla e hetimit
Nga dosja penale mësohet se hetimi për këtë rast ka nisur më 24 dhjetor të vitit 2013. Pikërisht në këtë kohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të Vehbi Bajramajt, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim. Ky procedim ka nisur në bazë të materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Vlorës natën e Krishtlindjeve, lidhur me sekuestrimin e një sasie prej afro 908 kg lëndë narkotike në afërsi të vijës bregdetare, pranë zonës së Hidrovorit në Vlorë. Konkretisht, më datë 24 dhjetor 2013, midis orës 20:00 e 21:00, në zonën e njohur si Hidrovori, efektivë të Drejtorisë së Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me forcat e policisë kufitare, kanë ndërmarrë një kontroll të përgjithshëm të zonës, pasi kishin sinjalizime se një gomone po i afrohej bregut të detit për të ngarkuar lëndë narkotike dhe për t’u larguar drejt Italisë. Gjatë këtij kontrolli është gjetur i braktisur një automjet i markës “Mercedes Benz Vito”, me targa shqiptare, ku brenda tij gjendeshin të ngarkuara disa çanta. Kur janë kontrolluar çantat, ka rezultuar se ato kishin kanabis. Nga peshimi i këtyre pakove rezultoi se ishin 710.7 kg. Krahas këtyre pakove në këtë automjet janë gjetur edhe tre bidonë plastikë, të mbushur me karburant që shërbejnë për gomonen, e cila mendohet se do të bënte transportin.
Në vijim të kontrollit në këtë territor është bërë i mundur pas pak çastesh në një largësi prej afro 1 km në vijë ajrore gjetja edhe e një tjetër automjeti të braktisur, me ngjyrë të bardhë, i tipit Fiat Ducato, me targa taksie të Fierit. Vetëm një metër larg këtij mjeti ishin të hedhura gjashtë çanta me ngjyrë të zezë, brenda të cilave kishte disa pako më lëndë narkotike të llojit kanabis. Në një distancë prej afro 15 metrash nga ky automjet u gjetën edhe dy çanta të tjera të zeza të mbushura me pako me lëndë narkotike. Nga peshimi i tyre së bashku rezultoi se peshonin 205.6 kg.
Rreth orës 20:45, në vendin e quajtur “derdhja e Pashait”, në bregdetin e Vlorës, afro 500 metra pa shkuar aty, u konstatua i braktisur në anë të detit një mjet lundrues gomone, ngjyrë gri, rreth gjashtë metra i gjatë me një motor të madh. Anës së detit, afër gomones, u gjet edhe një motor i vogël i braktisur, i cili nuk kishte mbishkrime. Dy automjetet e mësipërme, çantat e mbushura me pako me lëndë narkotike e llojit “kanabis sativa”, tre bidonët e mbushur me karburant, gomonia dhe motori i ujit u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
1 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)