Vijon zbatim i planit të masave për “Kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e autorëve të ndryshëm të veprave penale”. Këtë herë aksioni është zhvilluar në qytetin e Fierit, ku janë kryer kontrolle të befasishme.


Kontrollet  janë kryer në lokale nate, ambiente të ndryshme dhe në akset rrugore të qytetit të Fierit, Patosit e Roskovecit. Si rezultat i kontrolleve janë arrestuar 5 shtetas, 1 është proceduar në gjendje të lirë dhe 1 tjetër  është shpallur  në kërkim.


Po gjatë kontrolleve u shoqëruan për verifikim 13 persona kryesisht me precedent penal të dyshuar për “Shpërndarje të lëndëve  narkotike” dhe për “Vjedhje”.


Gjatë kontrolleve u kapën dhe u  arrestuan në flagrancë 4 shtetas të cilëve gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë iu gjetën doza lëndë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa, konkretisht shtetasit:



  • D.D, banues në Roskovec

  • J.Ç, banues në Roskovec

  • M.H, banues në Roskove

  • O.V, banues në Patos.


Gjithashtu, u kap  shtetasi i shpallur në kërkim Petrit H., 27 vjeç, banues në Mallakastër për veprën penale “Vjedhje”.


Po në kuadër të kontrolleve të lokaleve, filloi procedimi penal për shtetasin R.S, banues në Roskovec për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” si edhe u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi S.R, për veprat penale “Vënie në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizim i lotarive të palejuara”.


Kontrollet do vijojnë në gjithë Qarkun e Fierit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.


Policia e Fierit falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit duke u garantuar ruajtjen e anonimatit si dhe një reagim në kohë të Policisë.


27 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)