Operacioni – I kërkuari Gjergji Cukali u kap te lulishtja “1 Maji”, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, teksa lëvizte i vetëm në këmbë
Denoncimi – Më 5 maj të këtij viti, një polic privat denoncoi se Cukali, bashkë me një shok të tij e dhunuan, për shkak të një vendparkimi
Arratisja – Pak ditë më vonë, Cukali u identifikua nga policia, por ai nuk i ndaloi një postblloku dhe deri dje, arriti të qëndronte në arrati
Ishte në kërkim për dhunë dhe kërcënime ndaj një polici privat
Gjatë arrestimit, forcat policore i kanë gjetur 33-vjeçarit një pistoletë “Glock”, me 17 fishekë
Rikthehet në qelitë e burgut i forti i “Myslym Shyrit”, Gjergji Cukali, i njohur që në vitin 2004 për marrjen peng të Fatjon Demirlikës, për lirimin e të cilit u kërkuan 100 mijë euro. Gjergji Cukali, një prej personazheve të njohur të botës kriminale të kryeqytetit, është arrestuar në një operacion të realizuar dje në mesditë në kryeqytet, pasi ai ishte shpallur në kërkim për kërcënimin dhe dhunimin e një polici privat tre muaj më parë pranë Shkollës së Baletit në Tiranë.
Arrestimi
Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ai është kapur pranë lulishtes “1 Maji” përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, teksa po lëvizte në këmbë. Sipas të dhënave, policia ishte vënë në ndjekje të një motori pa targa, me dy persona në të. Motori ka ndaluar në vendin e lartpërmendur, ndërkohë që Cukali ka nisur të largohet në këmbë. Dy punonjës policie, të cilët e kanë njohur dhe e dinin që ishte person në kërkim, kanë ndërhyrë, duke e vendosur në pranga. Gatë arrestimit, atij i është gjetur e sekuestruar edhe një pistoletë tip “Glock” me 17 fishekë, që e mbante në një çantë të vogël. Arrestimi i Cukalit u bë i mundur nga forcat e Komisariatit numër 2 Tiranë, ndërkohë që mësohet se 33-vjeçari kërkohej që më 5 maj 2012, kur në bashkëpunim me një shokun e tij, po me precedentë të mëparshëm penalë, kishte dhunuar dhe kërcënuar një polic privat. Pak ditë pas ngjarjes së 5 majit, Cukali ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij, por nuk i ka ndaluar një postblloku policie dhe gjatë ndjekjes, ka mundur të arratiset. Që në ato momente, policia i kishte humbur gjurmët e tij, deri dje, kur u arrestua nga forcat e Komisariatit nr. 2.
Kallëzimi
Historia e fundit e personit të njohur nga ana e policisë zë fill në muajin maj, kur një person ka kërkuar ndihmën e policisë. Pikërisht rreth orës 16:00 të 5 majit, Shpend Kadiu, 43 vjeç, punonjës sigurie, në një kompani private, ka bërë kallëzim se në rrugën “Mihal Grameno”, pranë Shkollës së Baletit, është dhunuar fizikisht dhe është kërcënuar me armë për jetën nga dy persona të panjohur. Ai ka treguar për oficerët e policisë së Komisariatit Nr. 1 në Tiranë se kërcënimi dhe dhunimi ndaj tij ka ardhur si pasojë e një debati për një vend parkimi të parapaguar. Teksa bënte roje, te polici privat ka ardhur një makinë luksoze, duke parkuar pa të drejtë, kështu që ai u ka kërkuar të largohen. Dy personat që ndodheshin në makinë kanë debatuar me të dhe më pas e kanë rrahur me grushte dhe shqelma, duke e kërcënuar me pistoletë.
Hetimet
Policia tha në atë kohë se nga puna e bërë dhe deklarimet e marra është arritur të identifikohen autorët e ngjarjes, të cilët janë Gjergji Pjerin Cukali, 33 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Myslym Shyri”, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale dhe Kataldo Françesko Lezhja, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, edhe ky i proceduar më parë për vepra të ndryshme penale. Më tej, grupi hetimor shpjegoi se u kryen veprimet e para verifikuese dhe nisi puna për gjetjen e personave të mësipërm, të cilët vazhdonin t’u fshiheshin hetimeve. Kjo nuk ishte hera e parë për policinë, që Gjergji Cukali bëhet protagonist i ngjarjeve të rënda në Tiranë, ndërkohë që edhe në vitin 2011, ai u dyshua për një plagosje me armë, por më pas u shpjegua që ai kishte qenë i pranishëm në ngjarje, por krimi ishte kryer nga një i njohuri i tij. Ndërsa më 21 qershor 2008, kur ai kishte marrë leje nga burgu, pasi vuante dënimin për pengmarrjen e vitit 2004, u kap duke lëvizur me një mjet luksoz, që rezultonte i trafikuar. Policia tha se pas shoqërimit të tij, ai nuk ka pranuar të japë shpjegime për armën e sekuestruar apo për konfliktin, për të cilin ishte shpallur në kërkim më parë. Madje, sipas të dhënave policore, ai e ka mohuar dhunimin e policit privat. Red. Akt.
Historia
Kush është Gjergj Cukali
Gjergj Cukali është një prej personazheve të njohur të botës kriminale të kryeqytetit, pasi ai së bashku me miqtë e tij Florian Metalla, Ledio Lito, Ilir Kodumi, Eduart Skuka dhe Durim Gurzi, morën peng Fatjon Demirlikën dhe kërkuan 100 mijë euro për lirimin e tij. Por plani i tyre dështoi, pasi u arrestuan në kohë nga Policia e Tiranës. Në korrik të vitit 2004, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, pranë një karburanti, merret peng Fatjon Demirlika. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së Demirlikës një shumë prej 100 mijë eurosh në këmbim të lirimit të të afërmit të tyre. Vendi i dorëzimit të parave ishte lënë në varrezat e Tufinës. Familjarët e Demirlikës njoftuan policinë, e cila vendosi të dërgojë një agjent të sajin për të dorëzuar gjobën e vendosur nga pengmarrësit. Në momentin e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh, policia arrestoi Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika. Pak orë më vonë, falë një tjetër operacioni policor, u bë lirimi i pengut si dhe u arrestuan Gjergj Cukali, Florian Metalla, Ilir Kodumi e Eduard Skuka. Në përpjekje për të shpëtuar nga duart e policisë, banda e pengmarrësve vrau Endri Shimën, mik i ngushtë me pengun Fatjon Demirlika. Nga hetimet rezultoi se autori i vrasjes së Shimës ishte Durim Gurzi. Ky i fundit mundi t’u shpëtojë prangave, për t’u kapur tre vjet më vonë.