Prokuroria: Rasim Doda i dha vendimin ndërtuesit një ditë para seancës. Pasi nuk u pagua gjoba, i dha të drejtë palës tjetër. Kompjuteri e “fundos”
CV – Rasim Doda ka qenë pedagog në Juridik dhe më vonë kryetar i Gjykatës së Sarandës deri në vitin 2008. Prej 7 vitesh është gjyqtar i thjeshtë.
Bashkëshortja – Në një rreth të vogël, siç është Saranda, rezulton se burrë e grua punonin si gjyqtarë. Rasim Doda e ka pasur bashkëshorten kolege
Një gjyqtar i Sarandës është arrestuar me akuzën e korrupsionit. Rasim Doda i kërkoi 80 mijë euro një ndërtuesi pallatesh, i cili ishte në një çështje gjyqësore civile me një shtetase, për pronësinë e një trualli. Pazaret janë bërë një ditë para seancës që do të merrej vendimi, madje gjyqtari i ka dhënë në dorë ndërtuesit edhe një vendim të argumentuar në favor të tij. Megjithatë, ata nuk kanë rënë dakord për gjobën e majme, ndërsa ditën e nesërme, Rasim Doda i dha të drejtë palës kundërshtare. Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi hetimet më 21 prill të këtij viti dhe pas verifikimeve të para zbuloi edhe korrupsionin. Në fakt, prova më e fortë e akuzës ka qenë vendimi që i dha ndërtuesit, pasi një kopje i është gjetur edhe në kompjuterin e punës, pavarësisht se ka tentuar ta fshinte më vonë.
Hetimet për korrupsion
Ditën e djeshme, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë autorizimin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për arrestimin e gjyqtarit Rasim Doda. Më pas është nxjerrë një urdhër ndalimi, me akuzën e korrupsionit pasiv. Urdhri i ndalimit është zbatuar mesditën e së premtes nga Policia e Tiranës. Burime nga akuza qendrore thanë se procedimi penal është regjistruar në datë 21 prill 2015, ku janë krijuar dyshime të arsyeshme se Rasim Doda, në një çështje civile, ka kontaktuar me njërën prej palëve një ditë para dhënies së një vendimi civil që po e gjykonte ai dhe, në këmbim të vendimit në favor të kësaj pale, dyshohet se i ka kërkuar një shumë të konsiderueshme parash. Madje, për ta bërë më të besueshëm faktin se vendimi do të ishte në favor të kësaj pale, gjyqtari, një ditë para seancës përfundimtare, i ka vënë në dispozicion palës dispozitivin e vendimit, i cili do të ishte në favor të tij.
Nga burime pranë prokurorisë mësohet se shkak ka qenë pazari që Doda ka bërë për një çështje gjyqësore të kompanisë ndërtuese “K…”. Kompania do të merrte vendim gjyqësor që e nxirrte fituese në procesin gjyqësor me një qytetare të Sarandës, lidhur me të drejtën pronësore mbi dy pallate shumëkatëshe në ndërtim e sipër, që pretendoheshin nga të dyja palët. Gjyqtari ka rënë dakord që procesi gjyqësor në shkallë të parë të fitohej nga “K…”. Por e kushtëzoi këtë me pagesën e shumës prej 80 mijë euro, që iu kërkua biznesmenit.
“Pala e kontaktuar nga gjyqtari ka kuptuar shumën që kërkonte gjyqtari për dhënien e këtij vendimi dhe i ka deklaruar se nuk mund të paguante shumën që i kërkohej. Pas këtij diskutimi, gjyqtari dhe personi që përfaqësonte njërën palë janë ndarë, pasi diskutimi ishte bërë gjatë një takimi rastësor në mbrëmjen e së dielës, datë 19 prill 2015. Të nesërmen, ditën e vendimit, pra të hënën më 20 prill 2015, gjyqtari Rasim Doda ka shpallur vendimin, duke i dhënë të drejtë palës tjetër, pra jo personit të kontaktuar një ditë më parë”, pohojnë burime zyrtare nga akuza qendrore.
“Gabimi” i Dodës
Akuza thotë se për të provuar pretendimet e kallëzuesit, pra personi që nuk kishte pranuar të jepte shumën e kërkuar, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ekspertimin e kompjuterit të gjyqtarit Rasim Doda. Sipas aktit të ekspertimit teknik-kompjuterik është konkluduar se në njësinë kompjuterike të sekuestruar gjyqtarit Rasim Doda, nga të dhënat e fshira, u rikuperua një dokument i tipit Microsoft Word, ku pjesa e fundit e tij është identike me dokumentin objekt ekspertimi, që ishte një fletë format A4 me përmbajtje dispozitivin në favor të kallëzuesit. “Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se gjyqtari ka konsumuar elementet e veprës penale ‘korrupsioni pasiv i gjyqtarit’ dhe ka nxjerrë urdhrin e ndalimit në datë 5 qershor 2015, i cili është ekzekutuar brenda të njëjtës datë”, thanë burimet zyrtare.