Kapet me armë
Përgjimet e nxorën të njohur me Bledar Balliun. Bashkë me të, pranga edhe Elidon Harizajt
Bledi Gilaj
Në më pak se dy muaj liri, Emiljano Shullazi ka përfunduar sërish në qeli, bashkë me një shok të tij, teksa lëviznin me makinë të blinduar. Ai është kapur nga forcat RENEA me pistoletë pa leje gjatë verifikimeve, vëzhgimeve dhe kontrolleve që policia po kryente për vrasjen e fierakut Bledar Balliu, ndërkohë që armët janë dërguar për ekspertizë në laboratorin e kriminalistikës. Ndërkaq, policia ka ushtruar edhe kontroll në banesën e tij, duke gjetur edhe sende të tjera me vlerë për hetime të mëtejshme ndaj këtij personi, i njohur si kontingjent i policisë.
Verifikimet
Vrasja e Balliut, ish-trafikant droge, ka ngritur në këmbë të gjithë policinë e kryeqytetit, me qëllim për zbardhjen sa më shpejt të këtij krimi të rëndë. Fillimisht, policia ka shoqëruar dy shkodranë, të cilët janë lënë të lirë dhe procedohen penalisht vetëm për kundërshtim të urdhrit të policisë, ndërkohë që pas tyre janë shoqëruar edhe dy fierakë, pasi pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes për pazaret e drogës ose konflikte të tjera të viktimës. Por më vonë, policia ka sekuestruar disa pamje nga kamera sigurie të vendosura në zonën pranë shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, ku ndodhi ekzekutimi mafioz, duke e analizuar të gjithë personat e dyshimtë që kanë kaluar pranë vendit të ngjarjes, afër kohës kur mendohet se ka ndodhur krimi.
Filmimet
Nga këto pamje janë analizuar fytyrat e personave me precedentë penalë në Tiranë, duke nxjerrë edhe emra konkretë. Më tej, policia ka analizuar dhe mbajtur nën kontroll edhe personat e konsideruar me rrezikshmëri të lartë, siç është edhe Emiljano Shullazi. Duke mbajtur nën vëzhgim 36-vjeçarin, ekspertët kanë ngritur dyshime se ai mund të jetë i armatosur, kështu që është ndjekur gjatë gjithë ditës. Ndërsa dje, atë e ka ndjekur RENEA, deri në Lezhë, rrugës për në Shëngjin, kur kanë ndaluar makinën, me të cilën udhëtonte Shullazi. Gjatë kontrollit, në mjet janë gjetur dy pistoleta. Menjëherë, i janë vendosur prangat Shullazit dhe shokut të tij, Edison Harizaj. Ata janë shoqëruar për në Policinë e Tiranës, ku janë marrë në pyetje nga oficerët e hetimit të krimit, ndërkohë që shërbimet e Komisariatit nr. 2 kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, jo shumë larg zonës së “21 Dhjetorit”, pranë ish-Parkut të Autobusëve, duke gjetur edhe objekte të tjera që mund të ndihmojnë hetimin. Sipas të dhënave, në polici është dërguar edhe makina e blinduar, me të cilën udhëtonte Shullazi. Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka pranuar pronësinë e asnjërës prej armëve, të sekuestruar nga policia.
Përgjimet
Bledar Balliu rezulton të jetë njohur më parë me Emiljano Shullazin. Kjo gjë vërtetohet në dosjet e prokurorisë, që bëjnë fjalë për hetimet që janë kryer mbi trafikun e lëndëve narkotike, ku akuzohej Shullazi. Gjatë këtyre hetimeve është përgjuar një telefonatë mes Bledar Balliut dhe Emiljano Shullazit, gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në burg, i dënuar me dy vite burg për “armëmbajtje pa leje”. Në dosjen e prokurorisë shkruhet: “Biseda e transkriptuar mes tyre mban datën 29.06.2006, ora 12:15:20 kohë në të cilën Emiljano Shullazi ka qenë i arrestuar për llogari të gjykimit nr. 621, datë 16.06.2006. Nga procesverbali i transkriptimit të bisedës, datë 03.07.2006 i oficerit të policisë gjyqësore telefonuesi i drejtohet: “Mili: Bledi, Mili jam. Bledar: I mbylle gjërat? Mili: Po më dënuan dy vjet”. Këtë përgjim, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka përdorur për të provuar se Emiljano Shullazi thirrej nga miqtë e tij me emrin “Mili”. Shullazi u lirua nga burgu më datë 12 maj të këtij viti, pasi gjykata e nxori të pafajshëm, ndërkohë që prokuroria kishte lëshuar për të urdhër-arresti për armëmbajtje pa leje. Ai ishte arrestuar bashkë me mikun e tij, Gilmando Dani.