Tiranë


Halit Shahini e qëlloi me pistoletë në kokë për një borxh të pashlyer. Autori, i dënuar më parë


drejtoria e policise tiranePolicia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar për vrasjen e producentit të mirënjohur të filmave shqiptarë, Bujar Barçi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 12 shkurt të këtij viti, rreth orës 22:00, në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, ku Halit Shahini ka qëlluar me armë zjarri 51-vjeçarin. Shkak për konfliktin dyshohet të ketë qenë një borxh i vjetër që viktima ia kishte Shahinit. Burime nga policia bëjnë me dije se Bujar Barçi ka gjetur vdekjen disa ditë më vonë, në Spitalin Ushtarak. Mësohet se producenti i mirënjohur, para katër vitesh i ka marrë autorit të dyshuar për vrasjen e tij, një shumë të konsiderueshme parash, për të hapur një biznes. Ai do t’ia paguante paratë brenda një afati të caktuar, i cili ishte kaluar. Prej më shumë se tre vitesh, Shahini kërkonte paratë e dhëna hua, por Barçi nuk kishte mundësi që t’ia kthente, duke i kërkuar shtyrjen e afateve. E njëjta histori ka nisur edhe mbrëmjen e 12 shkurtit, e cila përfundoi me vrasje.


Huadhënësi së bashku me Barçin janë takuar pranë zonës ku ndodhi vrasja, për të folur për të njëjtën temë. Ai ka kërkuar me ngulm paratë, por Barçi sërish ka thënë se nuk ka mundësi që t’ia kthejë. Si pasojë e kësaj përgjigje, situata është tensionuar mjaft dhe 51-vjeçari nuk ka nguruar që ta qëllojë në një distancë të afërt me armë zjarri në kokë. Policia thotë se autori, pas kryerjes së krimit, është larguar me makinë nga vendi i ngjarjes, për t’iu fshehur policisë. Arrestimi i tij është bërë vetëm dje. Halit Shahini ka qenë i dënuar më parë për vrasjen e Besnik Pashajt, rojës së një banke të nivelit të dytë, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në muajin maj të vitit 2005, pas një grindjeje banale për vendin e parkingut. Në këtë periudhë Shahini ka qenë truproja i një ish-ministri. Gjykata e Tiranës e ka dënuar me një vit e dy muaj burg, për akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Autori i vrasjes ka qëlluar me grusht rojën, i cili ka rënë nga trotuari dhe është përplasur me kokë në asfaltin e rrugës. Si pasojë, Besnik Pashaj ka gjetur vdekjen disa orë më vonë në Spitalin Ushtarak.


 


Kush ishte Bujar Barçi


Shumë prej kolegëve do ta cilësonin Bujar Barçin si “mendja” e kinemasë shqiptare. Ai ka kontribuar në realizimin e pjesës më të madhe të filmave të bërë në Kinostudio. Angazhohej me filmat më të vështirë, sidomos në ata historikë dhe emri i tij do të figurojë gjithnjë si njeriu që gjendej pas çdo filmi. Studimet e larta do t’i përfundonte për ekonomik, por pasioni për artin do të bënte që ai të arrinte majat, duke punuar me regjisorët e njohur të kohës, si Dhimitër Anagnosti, Gëzim Erebara, Kujtim Çashku, Pirro Milkani, Vladimir Prifti, Artan Minarolli etj. Në filmat më të dashur për publikun shqiptar, si “Fushë e blertë, fushë e kuqe”, “Vendimi”, “Tre njerëz me guna” 1985, “Dhe vjen një ditë” 1986, “Përrallë nga e kaluara”, 1987, “Flutura në kabinën time”, 1988, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989 etj., ai ka qenë drejtor. Pas viteve ‘90, ai nuk u shkëput nga pasioni për filmin, pavarësisht kushteve të vështira financiare me të cilat përballje arti. Edhe pas kësaj periudhe janë me dhjetëra filmat që Barçi ka marrë pjesë si producent. Për të gjithë publikun shqiptar, Bujar Barçi do të mbetet një personazh që nuk do të harrohet lehtë. S.Muça