Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka zgjedhur që përmes rrjetit social Facebook t’u përgjigjet virtualisht pyetjeve të dhjetëra qytetarëve dhe gazetarëve për çështje të ndryshme përmes një konference online të quajtur “Pyet ambasadorin”.
Në pyetjen drejtuar nga gazeta “Shqip”, lidhur me “këshillat” që i jep ai si ambasador aktorëve politikë shqiptarë në prag të fushatës së ardhshme elektorale, Arvizu risolli në vëmendje mesazhin e dhënë nga sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton gjatë qëndrimit të saj disaorësh në Tiranë në muajin nëntor.
“Zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftë ndaj korrupsionit dhe bashkëpunim më i mirë mes partive politike”, u shpreh Arvizu. Ambasadori theksoi se kryesorja është interesi kombëtar shqiptar dhe të gjitha partitë duhet të punojnë për këtë gjë.
Kreu i prezencës amerikane në vend është ndalur edhe tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku ka shprehur shqetësimin lidhur me punën e këtij institucioni, pasi sipas tij disa çështje janë politizuar dhe kjo sipas Arvizut nuk është një ogur i mirë për zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit.
I pyetur për procesin gjyqësor të 21 Janarit, Ambasadori Arvizu tha se: “Kanë kaluar tashmë dy vjet dhe shqiptarët meritojnë të kenë përgjigje, meritojnë veprim dhe meritojnë të ketë drejtësi”.
“A ia vlen të vish e të investosh në Shqipëri, Ju si do t’i përgjigjeshit?”, ishte një prej pyetjeve.
Ambasadori Arvizu e ka cilësuar këtë si një pyetje të vështirë, por tha se: “Historia e privatizimeve se fundmi ka qene shumë e përzier. Unë mendoj se ka akoma shumë mundësi të mira biznesi, por unë do t’i këshilloja çdo investitori që të gjente një ortak shqiptar të respektuar dhe që të bënte detyrat e shtëpisë. Mundësitë ekzistojnë këtu, por ka edhe të meta. Mjedisi i biznesit/investimeve nuk është ai që duhet të jetë”.
8 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)