Një KQZ funksionale e arritur me marrëveshje të palëve politike që mund të garantojë zgjedhje të mira, është kërkesa e ndërkombëtarëve. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, gjatë një vizite të mërkurën në qytetin e Korçës, ka vënë theksin tek arritja sa më parë e një marrëveshjeje për të rikonstituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit të shkohet me institucione që funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve politike. Duke i konsideruar si të një rëndësie të madhe këto zgjedhje, ambasadori Arvizu kërkoi që të shprehet vullneti politik dhe të arrihet marrëveshja për KQZ-në dhe më pas për KZAZ-të. “Në mënyrë që të kemi zgjedhje të mira, duhet të ketë një KQZ funksionale, e jo një KQZ të bazuar në farsë”, u shpreh ambasadori amerikan, sipas të cilit kjo KQZ e rikonstituar duhet të jetë produkt i një marrëveshjeje politike. Duke vazhduar më tej prononcimin e tij, ai tha se këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për popullin shqiptar, dhe populli i meriton ato, ndërsa të gjithë duan që të zhvillohen të rregullta. Z. Arvizu shtoi se nuk duhet humbur kohë në shprehjen e vullnetit politik. “Sa më shpejt, të dyja palët të vijnë dhe të rikonstituojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e prej kësaj do të vijë edhe formimi i 89 KZAZ-ve në përputhje me Kodin Zgjedhor”, tha z. Arvizu. Ai theksoi gjithashtu se ky vullnet politik duhet të shprehet sa më shpejt, pasi askush nga palët nuk po flet për bojkot të zgjedhjeve, në një kohë që situata e krijuar në institucionin e administrimit të zgjedhjeve duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt dhe në përputhje me rregullat. G.A.