Qëndrimi


Ambasadori: Jo ndryshimit të rregullave gjatë rrugës


Clinton – SHBA-ja e dha sinjalin e fortë se do të përqendrohej te zgjedhjet shqiptare të 23 qershorit përmes vizitës së ish-sekretares amerikane, Hillary Clinton më 1 nëntor në Tiranë


“Podesta” – Por, pavarësisht ambasadës së SHBA-së në Tiranë, forca lobuese e kompanive amerikane që veprojnë për llogari të qeverisë shqiptare po rivalizon fort, në mbrojtje të qëndrimeve të PD-së për zgjedhjet


Takimi i Berishes me ArvizuAmbasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje, se politika duhet të heqë dorë nga cenimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si një institucion i pavarur, i cili meriton të respektohet. Në mënyrë të qartë, Arvizu shprehu qëndrimin amerikan, i cili, sipas tij, është besimi i plotë te KQZ-ja aktuale se mund të kryejë punën që Kodi Zgjedhor i ka caktuar për të kryer, pa pasur nevojë ta ndryshojë përbërjen e saj. Sipas tij, politika në këto momente duhet të shqetësohet vetëm për të rritur besimin e qytetarëve te zgjedhjet dhe duhet të lërë mënjanë çdo hap politik, i cili do të sjellë acarimin e klimës politike në vend. Ai shprehu bindjen se asnjë parti politike në vend nuk do të marrë përsipër të prishë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë qëndrim, Arvizu la të kuptohej se mazhoranca në vend duhet të matet mirë përpara se të ndërmarrë një vendim, i cili do të shkelë rekomandimet e aleatit të ngushtë të saj, SHBA-së.


Ambasador, duket se PD-ja është e vendosur të ndryshojë përbërjen e KQZ-së. Cilat janë pasojat e një veprimi të tillë?


Faleminderit që e mbuluat këtë aktivitet. ADRF-ja po bën punë të shkëlqyer; e di cili do të jetë lajmi kryesor sonte (mbrëmë), por shpresoj se do të gjeni kohë për ta përfshirë këtë aktivitet në lajme. Mendoj se rreth një javë më parë, ambasada e SHBA-së nxori një deklaratë mbi situatën, por duke pasur parasysh vëmendjen dhe fokusin gjatë kësaj periudhe në procesin e zgjedhjeve, mendoj se është me rëndësi të jemi shumë të qartë mbi pozicionin e SHBA-së, ndaj e vlerësoj këtë mundësi. KQZ-ja ka përgjegjësinë parësore për të zhvilluar zgjedhjet e 23 qershorit. KQZ-ja është ngritur dhe mandatuar siç duhet dhe ligjërisht. Ai është institucioni përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve dhe, si i tillë, është me rëndësi që pavarësia e këtij institucioni të respektohet. KQZ-ja duhet të jetë e lirë nga çfarëdo ndërhyrjeje prej ndonjë individi, apo ndonjë institucioni dhe këtu përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë. Nuk ka diskutim që kur LSI-ja vendosi të tërhiqej nga koalicioni qeverisës dhe të hynte në koalicion me Partinë Socialiste, kjo solli rrethana të ndryshuara, përfshirë edhe në 89 KZAZ-të. Kur flas për rrethana të ndryshuara, kam parasysh pikërisht këto, rrethanat e ndryshuara. Por, pozicioni i SHBA-së është që KQZ-ja, siç është e ndërtuar aktualisht, ka jo vetëm kapacitetin, por edhe përgjegjësinë për të trajtuar çështjet që lindin nga administrimi i zgjedhjeve. Dhe kjo sigurisht përfshin, edhe pse nuk kufizohet, vetëm përbërjen e 89 KZAZ-ve. Me fjalë të tjera, struktura ekziston, e rëndësishme është të lejohet KQZ-ja që të kryejë punën e saj. Është e qartë që do të ketë diskutime, negociata, por ky është thelbi i çfarëdo shoqërie demokratike, marrja dhe dhënia politike; kjo ndodh në çdo demokraci funksionale dhe që demokracia shqiptare të ketë sukses, ka nevojë që të ndodhë edhe këtu. Pika e fundit që do të sillja, është që së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ajo që kemi theksuar në mënyrë konsekuente dhe të përsëritur, është apeli për të gjithë personalitetet, për të gjitha institucionet, për njerëzit në qeveri, për njerëzit në opozitë, të veprojnë në mënyra që rrisin besimin e njerëzve, besim jo te rezultati, por te procesi, në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. Pra, është një thirrje shumë e thjeshtë dhe bazike që e kemi bërë dhe, ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit, është pikërisht mënyra e gabuar për të frymëzuar besimin për të cilin flasim.


Ambasador, a është e drejtë të thuhet që PD-ja ka kapërcyer vijën e kuqe, duke ndryshuar rregullat e lojës, siç sapo e thatë? Dhe ky ndryshim, a do t’i dëmtojë zgjedhjet e ardhshme, si e shikoni këtë zhvillim?


Nuk e kanë bërë ende, apo jo?


Do të përpiqen ta bëjnë.


Nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA-në dhe komunitetin ndërkombëtar, sepse synimi këtu janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. E gjitha ka të bëjë me procesin, nuk ka të bëjë me rezultatin. Ju faleminderit.