Kriza ekonomike, korrupsioni, mungesa e shtetit ligjor, abuzimet e qeveritarëve, dështimi i marrjes së statusit të vendit kandidat dhe zgjedhjet e vitit 2013 ishin temat që mbizotëruan fjalimet e deputetëve të Partisë Socialiste, në Asamblenë e saj të degës Tiranë.
Në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi vendosi theksin e fjalës së tij tek buxheti i 2013-s, i cili do të paraqitet për votim ditën e hënë.
“Buxheti që do të votohet nen për ne, me siguri nesër, është një buxhet që jo vetëm që nuk e ul varfërinë dhe borxhin, por e rrit atë. Ai është buxheti i mëtejshëm i mjerimit të shqiptarëve, që pas kësaj qeverisje 8-vjeçare festojnë më të varfër se kurrë festat e fundvitit”, deklaroi Ruçi.
Duke krahasuar kryeministrin Berisha me Mbretin Ahmet Zogu I, Ruçi vendosi një paralele, “midis dy liderëve që janë përpjekur të mbajnë pushtetin me përçarje, intriga dhe frikë”.
Duke u rikthyer tek festimet e 100-vjetorit, Ruçi akuzoi kryeministrin për “glorifikimin e monarkisë, shpërfilljen e Vlorës” dhe “mosmbajtjen e asnjë prej premtimeve, si Parlamenti, stadiumi i ri, teatri, muzeu për Nënë Terezën, mbërritjen e eshtrave të saj në vend e shumë të tjerë. Të vetmin premtim që realizoi ishte ai i mbërritjes së eshtrave të Ismail Qemalit, por edhe ato sepse i kishin sjellë të tjerë përpara tij”.
Nga ana e tij, deputeti Saimir Tahiri, ndërsa shprehu sigurinë tek fitorja në zgjedhjet e 23 qershorit, e konsideroi rrënimin e këtyre 8-viteve qeverisje të gjithanshëm dhe korrupsionin galopant.
“Kryebashkiaku Basha, i cili na mburret se ka inauguruar pemën më të madhe të Vitit të Ri, nuk sheh listat e ushqimeve, që janë edhe ato më të mëdhatë ndonjëherë. Fundja, ai është mësuar vetëm me premtime boshe dhe qesharake, ndërsa nuk ka bërë ende asnjë gram punë për kryeqytetin. Ashtu si Berisha dhe të tjerët, suksesi i vetëm i të cilëve qëndron në rritjen e pabesueshme të abuzimeve dhe vjedhjeve”.
Në fjalën e tij, deputeti Blendi Klosi vendosi gjithashtu theksin tek mungesa e drejtësisë dhe shtetit ligjor, të konsideruar prej tij si arsyeja kryesore e dështimit të tretë radhazi në aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat.
16 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)