Plagosja në Kukës


Funksionari i PD-së, Bujar Shehu, qëllohet me automatik në pritë teksa po shkonte në shtëpi


28-vjeçarit Shehu, me detyrë drejtor i Bordit të Kullimit, i kishin zënë rrugën me disa gurë


Sulejman Dida


bujar shehu Vëllai i Drejtorit të Përgjithshëm të SHKB-së ka rënë pre e një atentati dy net më parë në Kukës, ku ka mbetur i plagosur rëndë, ndërkohë që policia ka nisur hetimet në disa pista për zbardhjen e këtij krimi të rëndë. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku ndaj 28-vjeçarit Bujar Shehu, i cili është me funksion drejtor i Bordit të Kullimit në Kukës dhe kryetar i PD-së për Komunën Shtiqën të këtij qarku. Viktima ka marrë katër plumba, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe po kurohet në Spitalin Ushtarak në Tiranë.


Atentati në rrugë


rruga e Shtiqnit ku u qellua shehu


Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesit të natës në rrugën Kukës-Shtiqën, kur Shehu, i cili është vëllai i Bashkim Shehut, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, po kthehej në shtëpi pas një dite të ngjeshur me aktivitete dhe një mbrëmje të kaluar me miqtë në kafetë e qytetit. Në orën 01:00 të natës, duke gdhirë dita e enjte, 28-vjeçari ka qenë i vetëm në makinën e tij, kur ka parë se rruga ishte zënë me gurë të mëdhenj. Ka zbritur për të pastruar rrugën, duke menduar se mund të ishte një lojë kalamajsh, kur papritur kundër tij janë zbrazur plumbat e një automatiku. Ai ka hyrë me shpejtësi në makinë, ku përsëri është qëlluar me breshëri, por ai i ka mbijetuar sulmit. Sipas të dhënave të marra nga Policia e Kukësit, atë e kanë zënë katër plumba, por pa e dëmtuar në organe jetike. Nga informacionet pranë spitalit të Kukësit mësohet se një plumb e ka në dorë, një tjetër i ka gërvishtur qafën e dy të tjerë në shpatull. Megjithatë, Shehu, pas atentatit ka mundur të udhëtojë vetë me makinën e tij edhe rreth 2 kilometra, deri te shtëpia e tij. Aty i ka kërkuar ndihmë familjes, e cila e ka dërguar në spitalin rrethit. Mjekët thanë se 28-vjeçari, vazhdimisht e ka ruajtur vetëdijen edhe pse po humbte shumë gjak nga plagët e marra. Për një mjekim të specializuar, ata e kanë nisur me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku siç merret vesh, është jashtë rrezikut për jetën.


Dëshmia e Shehut


Shkaqet e kësaj prite askush nuk i di për momentin, pasi vetë Shehu, sapo ka mbërritur në spitalin e Kukësit, ndoshta më pak se 20 minuta pas ngjarjes, ka thënë se nuk di asgjë rreth pritës që i kishin vënë në rrugë, “Nuk kam asnjë ide se kush mund të ketë qenë, di vetëm se u gjenda nën breshërinë e një automatiku, por nuk kam parë askënd, pasi në skarpatën e rrugës ndodhen disa shkurre, ku mund të kenë qenë të fshehur keqbërësit”, mësohet të jetë shprehur i plagosuri në dëshminë e tij paraprake. Ai ka thënë gjithashtu se nuk ka ndonjë ngatërresë me askënd dhe nuk është në gjendje ta klasifikojë në kuptimin politik apo ordiner këtë atentat. Plumbat, siç dëshmohet nga burimet jozyrtare të policisë, kanë bërë disa vrima në automjetin që ai drejtonte dhe duket sheshit se ai i ka shpëtuar për mrekulli një atentati të përgatitur për ta vrarë.


Motivet e krimit


Burimet zyrtare të policisë pohojnë për ngjarjen duke thënë se po punohet për të zbardhur autorët e mundshëm dhe motivet, por deri në orët e vona të së enjtes asgjë konkrete nuk ka pasur në këtë aspekt. Ngas ana tjetër, burimet e komisariatit tregojnë se “makina e zotit Shehu është bërë shoshë nga plumbat” dhe është një mrekulli që ai ka mbijetuar. Sipas policisë, ngjarja po hetohet në disa pista, por do të jetë dëshmia e tij, ajo që mund të sjellë fakte të reja për këtë atentat. Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët mund të ndihmojnë në zbardhjen e krimit, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për arrestimin e ndonjë të dyshuari për atentatin ndaj funksionarit të Partisë Demokratike në Kukës. Njerëzit e komentojnë si një ngjarje shumë dramatike atentatin në rrugë ndaj drejtorit të Bordit të Kullimit, por askush nuk jep ndonjë ide se nga kush dhe përse mund të jetë qëlluar. Shehu dhe familjarët e tij njihen si njerëz me sjellje korrekte dhe në tërësi të respektuar nga komuniteti. Sido që të jetë, njerëzit janë gjithashtu skeptikë lidhur me hetimet për këtë ngjarje. Shumë njerëz mendojnë se ky atentat do të arkivohet ashtu si shumë ngjarje të tjera të pazbardhura në Kukës, siç janë zhdukja misterioze e Bleona Matës në Zapod, apo vrasja e ish-kryetarit të Komunës Tërthore, Remzi Veseli, në derën shtëpisë tij.


 


Prita


Bujar Shehu ka zbritur për të pastruar rrugën, duke menduar se mund të ishte një lojë kalamajsh, kur papritur kundër tij janë zbrazur plumbat e një automatiku


 


 


Në spital


 


Familjarët e 28-vjeçarit nuk kanë asnjë motiv për krimin


 


“Bujari po kthehej nga një


takim elektoral kur e qëlluan”


 


“Bujari nuk ka pasur probleme në të shkuarën e tij. Ai është një njëri i respektuar, me shkollë, me punë të mirë. Të gjithë në zonën e Kukësit e duan. Nuk e di se nga na erdhi kjo gjë, por do të merret vesh. Do të gjenden autorët që e bënë atentatin se nuk kanë ku të shkojnë dhe do ta marrim vesh shumë shpejt arsyen e kësaj pune. Deri më tani nuk kemi asnjë motiv dhe qëndrim ndaj atentatit që i është bërë. Ai po vinte nga një takim elektoral, kur i kanë dalë para dhe e kanë qëlluar”. Kështu shprehen familjarët e Bujar Shehut, i cili mbeti i plagosur gjatë një atentati mbrëmjen e së mërkurës në Komunën Shtiqen të Kukësit. Kushëriri i parë i 28-vjeçarit thotë se katër ditë para atentatit ka qenë në shoqërinë e tij. Ai pretendon se nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë. “Para disa ditësh, kam qëndruar shumë orë me Bujarin. Ai ishte shumë i qetë sepse nuk ruhej nga askush. Nuk e dimë se nga i ka ardhur kjo gjë. Natën e atentatit unë e kam dëgjuar breshërinë e kallashnikovit, pavarësisht se kam qenë larg nga vendi i ngjarjes. Gjithsesi nuk mendova që ato krisma kishin lidhje me të afërmin tim. Sot në mëngjes dola për të pirë kafenë dhe pashë në televizor që Bujar Shehut i ishte bërë një atentat. Erdha me shpejtësi në Tiranë, për të marrë vesh për shëndetin e tij. Fatmirësisht ka shpëtuar për mrekulli sepse mora vesh që ndaj tij është derdhur i gjithë karikatori i kallashnikovit. Atë e ka ndihmuar Zoti, sepse vështirë t’i shpëtoje atij atentati. Bujari është njeri i mirë, andaj ka shpëtuar nga plumbat. Nuk di të them me saktësi se sa herë është qëlluar ndaj tij. Nuk di as plagët që ka në trup, por më thanë që ka një plagë tek dora”, shprehet kushëriri i parë i kreut të PD-së për Komunën Shtiqen. Të afërmit e Shehut për orë të tëra kanë qëndruar pas derës së reanimacionit. Nuk kanë mundur që të flasin me 28-vjeçarin, por mjekët i kanë thënë se fatmirësisht ai është jashtë rrezikut për jetën. Pas një ndërhyrje kirurgjikale, kreu i PD-së së Shtiqenit, mesditën e së enjtes është dërguar për kurim më të specializuar në një prej spitaleve private. Për disa ditë ai do të qëndrojë nën kujdesin maksimal të mjekëve, prej plagëve të marra në trup nga plumbat. S. Muça