Pas vrasjes, viktimës i telefonuan dy herë me numër të fshehtë
Tetë goditje kanë qenë të forta dhe kanë shkaktuar plagë të thella në trupin e viktimës
Grupi hetimor ka ngritur dyshimet se ekzekutori ka shprehur urrejtje në kryerjen e krimit
Janë 14 goditje thike që kanë përshkuar trupin e 49-vjeçares Ahsinja Krytha, duke i marrë asaj jetën mbrëmjen e së mërkurës në Fier. Nga burime të policisë mësohet se 8 goditje kanë qenë të forta dhe kanë shkaktuar plagë të thella në trupin e viktimës, duke dëmtuar edhe organet jetësore. Mësohet se një prej goditjeve, që mendohet të ketë qenë e para, është dhënë në anën e majtë të qafës, aty ku lidhet me shpatullat. Më pas, autori e ka goditur edhe 13 herë të tjera në kraharor e pranë diafragmës të ndjerën, duke i shkaktuar plagë të rënda në mushkëri e organe të tjera jetësore. Por, çuditërisht askush nuk ka dëgjuar të bërtitura. Kjo, ka ngritur dyshimet e policisë se autori mund t’i ketë zënë gojën viktimës duke mos e lënë të nxjerrë zë. E gjithë skena e tmerrshme e krimit mendohet se ka ardhur pas një urrejtje të madhe që autori mund të ketë pasur për viktimën, duke e konsideruar vrasjen si një krim pasioni.
Urrejtja
Nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes, policia ka ngritur dyshimet se ekzekutori ka shprehur urrejtje në kryerjen e krimit. Kjo, pasi ndonëse e ka parë që e ka goditur për vdekje disa herë në qafë e në zemër, nuk është mjaftuar me kaq, por ka vazhduar pa mëshirë ta masakrojë 49-vjeçaren. Pikërisht në këtë element të nxjerrë nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes, është përqendruar hetimi i policisë për të zbardhur autorin dhe motivin e krimit.
Telefonatat
Hetuesit kanë verifikuar edhe dy telefonata të dyshimta që janë kryer në numrin celular të viktimës pak çaste pas ngjarjes. Janë dy thirrje të kryera njëra pas tjetrës nga një numër i panjohur. Sipas burimeve të sipërcituara, këto thirrje dyshohet të jenë kryer pak çaste pas ngjarjes. Nga verifikimet e mëtejshme nuk është arritur që në celularin e së ndjerës të jenë gjetur mesazhe kërcënuese. Por, hetuesit dyshojnë se dy thirrjet e humbura të kryera nga një numër i fshehtë mund të jenë kryer nga autori i vrasjes, me qëllim që të konstatonte nëse viktima e tij ishte në gjendje të përgjigjej, apo ishte gjetur ose jo nga kalimtarët e rastit. Zbulimi i poseduesit të celularit prej nga janë kryer thirrjet me numër të fshehtë mund të çojë edhe në zbulimin e autorësisë së krimit, pohojnë burimet.
Ish-bashkëshorti
Ndërkaq, nga hetimet paraprake është konkluduar se ish-bashkëshorti i së ndjerës ndodhet prej kohësh jashtë shtetit, në Greqi. Burimet konfidenciale të policisë thonë se ky fakt është konstatuar nga verifikimi i sistemit TIMS. Hetuesit janë duke verifikuar çdo konflikt të mundshëm të së ndjerës dhe janë duke marrë në pyetje familjarët e saj. Nga burime të gazetës mësohet se 49-vjeçarja Ahsinja Krytha kishte ndërruar vite më parë identitetin e saj. “Nga Athina, ajo e ka ndërruar emrin në Ahsinja”, pohojnë burimet.
Familjarët
Prej tyre është mësuar se ajo ka qenë duke ndjekur një telenovelë para se të dilte nga shtëpia, rreth orës 16:30 të pasdites së të mërkurës. Sipas familjarëve të saj, ajo ka dalë për të blerë disa fruta dhe ushqime dhe për këtë arsye ka veshur një xhup të zi dhe ka dalë me shapka. Por kur është kthyer, ajo është sulmuar dhe është qëlluar për vdekje 14 herë me thikë. Familjarët e viktimës kanë deklaruar në polici se nuk ishin në dijeni të asnjë konflikti të saj. Sipas tyre ajo ishte punëtore, dashamirëse dhe punonte për të rritur dy fëmijët e saj. Në këto kushte blutë janë duke marrë deklarime edhe të shoqeve të viktimës, për të zbuluar ndonjë konflikt të mundshëm të saj.
Re. Rre.
