Hateme Haxhialiu: Djemtë e mi, Iglendi dhe Sokoli, po treten në dhe, policia lë autorin të lirë
Silvana Muça
“Djemtë e mi kanë rreth 6 muaj që po treten dhe policia ende nuk e ka arrestuar autorin e vrasjes. Shteti duhet të vërë dorë, se mua më ikën dy djem. Vrasësi lëviz i lirë dhe kjo na shqetëson. Kam shumë frikë se ai mos kthehet. Nuk kam frikë për veten, por për Desin, nusen e djalit dhe mbesën time. Unë nuk e dua jetën dhe as që më dhimbset fare, pas tragjedisë që më ndodhi. Le të vinë që të më vrasin, hiç nuk u trembem. Në jetën time ka ndodhur një tragjedi e madhe”. Këto janë fjalët që nëna e vëllezërve Iglend dhe Sokol Haxhialiu, 44 dhe 41 vjeç, thotë vazhdimisht, teksa bisedon përtej pragut të derës. Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 dhjetor të këtij viti, në vendin e quajtur kryqëzimi i ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re dhe vrasësi vazhdon të jetë ende i lirë. Vëllezërit janë ekzekutuar me armë zjarri, në mjetin i cili rezultonte në pronësi të Sokolit dhe i dyshuari kryesor është Eduart Kurti. Ndonëse ka rreth 6 muaj që ka ndodhur krimi i rëndë, ngjarja ende nuk është zbardhur. Sipas policisë, motivi i sherrit dyshohet se ka të bëjë me një borxh prej 200 mijë dollarësh, që viktimat ia kanë marrë Kurtit. Familjarët e vëllezërve Haxhialiu prej kohësh kanë pritur arrestimin e vrasësit, por tashmë besimi u ka humbur. Nëna e të ndjerëve, nuk ka dëshirë të komunikojë me mediat, por zhgënjimi që ka ndaj policisë, për mos arrestimin e autorit të krimit të dyfishtë, bën që ajo të derdhë gjithë zemërimin që ka në shpirt. Nëna fatkeqe akuzon policinë për abuzim në punën e saj, duke thënë se i dyshuari për vrasje, Eduart Kurti e ka “blerë” policinë me para, në mënyrë që të mos arrestohet. “Ai që më vrau djemtë është i lirë. Presim arrestimin e tij, por nuk kemi besim. Kërkoj prej organeve të shtetit që vrasësi të dënohet me burgim të përjetshëm. Djemtë e mi nuk bënë vrasje dhe as ai nuk kishte pse t’u merrte jetën. Kam mbetur qyqe e vetme. Më ka mbetur vetëm nusja e djalit me mbesën. Te kjo i kam sytë, por sërish jetojmë me frikë”, shprehet ajo, e cila është mjaft e rezervuar në ato që thotë. Gjendja shëndetësore e të moshuarës, është e rëndë. Pas tragjedisë që i ka ndodhur, nuk e ka marrë veten dhe vuan nga një kompleks sëmundjesh.
Bashkëshortja e Sokolit
Bashkëshortja e Sokolit, i njohur ndryshe si Nikola, Desi, thotë se po jeton në një situatë të frikshme. Pret me padurim që drejtësia të arrestojë autorin e vrasjes. Në një bisedë të shkurtër, e veja ka folur për jetën e saj, pas vdekjes së të shoqit.
Çfarë ju ka thënë grupi hetimor në lidhje me vrasjen e dyfishtë?
Nuk është se na kanë thënë shumë rreth hetimeve dhe nuk jemi shumë në dijeni të asaj që është bërë. Di të them që gjërat nuk po ecin. Shteti duhet të vërë dorë në arrestimin e vrasësit. Para dy muajsh, erdhën dhe na morën sërish në pyetje.
Ishit në dijeni të problemeve që Sokoli dhe Iglendi kishte me vrasësin?
Ishim në dijeni që ata kishin disa para borxh, por nuk na kishin thënë gjë që personi në fjalë i kërcënonte. Im shoq nuk më thoshte gjë për shqetësimet e tij. Ne gratë në pjesën më të madhe të gjërave, nuk jemi përfshirë. Nuk kam qenë kurrë në dijeni për kërcënimet që Nikola ka pasur.
Po atë natë që ai u vra, ju tha gjë?
Jo. Nikola mori në telefon të vëllain, Iglendin për t’u takuar. Ata kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe takoheshin çdo natë bashkë. Nuk më lanë dyshime se diçka nuk po shkonte siç duhej. Vetëm kur na erdhi lajmi që ata ishin vrarë.
Si është jeta juaj pas kësaj tragjedie?
E tmerrshme. Përveç humbjes të tim shoqi, kam edhe probleme të tjera. Nuk kam para që të ha bukë. Po jetojmë me lëmoshën e të tjerëve. Kjo bluza e zezë me mëngë të gjata nuk mbahet më e veshur në këtë kohë të nxehtë. E mbaj veshur se nuk kam rroba të tjera. Edhe këtë ma kanë dhënë. Kam një vajzë jetime për të rritur dhe nuk i siguroj dot as bukën e gojës.
Nuk punoni?
Punë! Po kush më merr mua në punë, pas kësaj ngjarjeje të frikshme. Kam kërkuar, por nuk kam gjetur askund. Jeta më është bërë shumë e vështirë.
Çfarë kërkon?
Kërkoj arrestimin e vrasësit të tim shoqi dhe kunatit. Nikola dhe Iglendi nuk vranë njeri. Ata nuk ishin vrasës, thjesht kishin për të paguar disa para borxh. Mosmarrëveshjet mund të zgjidheshin edhe në rrugë të tjera, por jo me vrasje. Shteti duhet të arrestojë personin që u mori jetën dhe t’i dënojë maksimalisht. Ne ia kemi lënë në dorë drejtësisë këtë krim të rëndë.
Ngjarja
Policia: Vrasja për borxhin 200 mijë USD
Vrasja e vëllezërve Sokol (Nikol) dhe Iglend Haxhialiu ka ndodhur më 1 dhjetor 2012, në bulevardin “Bajram Curri”, në vendin e quajtur ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re. E gjithë ngjarja është kryer në mjetin tip “Mazda”, ngjyrë gri, me targa të Tiranës, në pronësi të Sokol Haxhialiut. Motivi i vrasjes së dyfishtë është për shkak të një borxhi prej 200 mijë dollarësh, që viktimat ia kishin marrë disa vite më parë Eduart Kurtit. Vëllezërit me këto para do të ndërtonin një hotel në zonën e bregdetit dhe përveç borxhit të marrë, ata do t’i jepnin Kurtit edhe përqindjen. Efektet e krizës ekonomike çuan në falimentin e biznesit të tyre, duke mos u dhënë mundësi që t’i shlyenin, ndonëse e premtonin vazhdimisht një gjë të tillë. Natën e krimit, viktimat kanë debatuar ashpër me Eduart Kurtin, ku ky i fundit, pasi ka humbur shpresën e marrjes së parave, i ka ekzekutuar me armë zjarri, tip pistoletë. Vrasësi ka qenë ulur në vendin e parë të pasagjerit, Sokoli në vendin e shoferit dhe Iglendi në sediljen e pasme. Fillimisht i dyshuari Kurti ka qëlluar mbi Iglendin. Ndonëse është nisur me urgjencë në spital, nuk ka mundur që t’u mbijetojë plagëve, por humbi jetën rrugës. Pas kësaj, ai ka qëlluar dy herë mbi Sokolin dhe plumbat e kanë prekur në kokë dhe qafë. Ai gjeti vdekjen disa orë pas ngjarjes.
