Përplasja


Reagon policia: Avokati ka futur ushqime në çadrën e ish të përndjekurve


Silvana Muça


Greva e ish të përndjekurve politikë, ka marrë të tjera përmasa, në dëm të shëndetit të 6 grevistëve. Gjatë inspektimit të bërë në ambientet e çadrave, mëngjesin e së dielës nga komisioneri i Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, është vënë re se policia ka kryer disa vepra penale, duke dëmtuar seriozisht jetën e personave në fjalë. Në një dalje publike, Nushi i ka kërkuar prokurorisë që të hetojë sjelljen e policisë, sepse ndaj grevistëve po kryhen shkelje të rënda. Si pasojë e kësaj, ditën e sotme, pritet që Zyra e Avokatit të Popullit, të dorëzojë me shkrim, pranë Prokurorisë së Tiranës, rekomandimin për nisjen e hetimeve ndaj Policisë së Tiranës me akuzën e torturës. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i policisë duke thënë se, deklaratat e Avokatit të Popullit, janë të pavërteta dhe se ndaj grevistëve të urisë është treguar vigjilencë e madhe, për rritjen e sigurisë së jetës së tyre dhe shokëve. Ajo mohon që t’u ketë ndërprerë grevistëve, ilaçet, lëngjet apo ndërhyrjen mjekësore. Nga ana tjetër, policia akuzon Nushin, si person që furnizon me bukë individët që ndodhen në grevë.


 


“Policia, nën akuzë për torturë”


Në një prononcim për gazetën “Shqip”, komisioneri i Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, ka sqaruar me detaje situatën në  ambientet e çadrave. Sipas tij, greva e urisë, po zhvillohet në kushte çnjerëzore dhe se policia po kryen shkelje të rënda, në dëm të jetëve, të personave që ndodhen në çadra. Ai thotë se në orët e vona të së shtunës, disa oficerë policie janë futur në ambientet e çadrave dhe kanë larguar prej andej, ilaçet, trisolin, sheqerin dhe çajin. Sipas Nushit, situata është dramatike, sepse nuk po sigurohet jeta e grevistëve, por po dëmtohet rëndë. Ndaj tyre, po kryhet vepra penale e “torturës”, e cila parashikohet në nenin 86, i Kodit Penal. Pas inspektimit të bërë në çadrat e urisë, komisioneri i Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, i bëri thirrje qeverisë që të lejojë futjen e lëngjeve dhe medikamenteve të nevojshme, në mjediset e grevës, ndërsa policisë i bëri thirrje të ruajë qetësinë. Gjithashtu, Nushi tha se grevistët po trajtohen në mënyrën më çnjerëzore dhe se me qëndrimin e saj, po shkelen hapur të drejtat e njeriut. Nushi ka sqaruar edhe akuzën e policisë, për depërtimin e ilaçeve në ambientet e çadrave, duke e quajtur veprimin e kryer, një akt human. “Dje në prezencën time, Lavdosh Beqo, i cili është person që ka probleme me shëndetin, nuk është lejuar që të marrë ilaçet e tij. Unë pyeta mjekët se përse bëhet kjo pengesë dhe ata m’u përgjigjën se ilaçet janë ndërprerë pasi një urdhri të ardhur nga lart. Më konfirmuan se kjo gjë bëhej, pasi grevistët duhet të dërgohen, në spital. Kjo më duket e padrejtë, sepse bluzat e bardha po shkelin betimin e Hipokratit dhe nuk po lejohen që të bëjnë detyrën e tyre. U detyrova që të shkoj në farmaci dhe ta blejë vetë ilaçin, pasi u konsultova me mjekët”, ka sqaruar Nushi.


 


“Avokati futi ushqime në çadër”


Në një deklaratë për shtyp, policia ka akuzuar dhe mohuar akuzat e ngritura nga zyra e Avokatit të Popullit mëngjesin e së dielës. Sipas saj, grevistëve të urisë, nuk u janë ndërprerë ilaçet, mjekimet apo ndërhyrja mjekësore, duke thënë së pranë ambienteve të grevës është atashuar gjithë kohën një autoambulancë, e pajisur me staf mjekësor me të gjitha medikamentet e nevojshme. “Në këtë kontekst, i bëjmë apel Institucionit të Avokatit të Popullit, si një institucion i pavarur në kuptim të Kushtetutës, të respektojë integritetin e tij dhe të mos bjerë pre e manipuluesve të kësaj greve të paligjshme dhe të kërkojë ndjesë publike për akuzat e rënda dhe të pavërteta të ushtrimit të torturës, apo keqtrajtimit të grevistëve, nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Avokatit të Popullit, të heqë dorë nga roli i furnitorit me ushqime të individëve që kanë hyrë në një grevë, të pretenduar si grevë urie”, ka apeluar Polica e Tiranës. Ajo pretendon se masat e forta janë marrë për të shmangur çdo provokim, si edhe për të mos lejuar personat që nuk kanë lidhje me grevën që të afrohen, apo të fusin në ambientet e grevës mjete apo materiale që mund të vënë në rrezik jetën e tyre. Në deklaratë thuhet se janë marrë të gjitha masat, për mbajtjen në kontroll të situatës, duke organizuar shërbime policore, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe parandalimit të çdo incidenti të padëshiruar, në vendin ku zhvillohet greva. Policia pretendon se rritja e masave të sigurisë, ka ardhur menjëherë pas tentativave, për dëmtim, nëpërmjet djegies apo vetëdjegies, nga dy prej pjesëmarrësve në grevë, në kushte të rënduara psikologjike dhe me ndikime politike.


 


Sotiraq Nushi


Greva e urisë, po zhvillohet në kushte çnjerëzore dhe se policia po kryen shkelje të rënda, në dëm të jetëve, të personave që ndodhen në çadra