Shkarkimi i anëtarëve të KLD-së 


Komisioni hetimor do i kërkojë informacion prokurorisë për veprimtarinë e Çefës tek AKKP-ja


Spartak Braho – “Zoti Çefa ka një begraund moral dhe këto, midis tyre kanë ndodhur, dhe s’është çudi se zoti Çefa mbahet dhe me material shtrëngues dhe është detyruar apo emëruar në atë vend me qëllim që t’u shërbejë ‘Agronëve’ të tjerë”


Ulsi Manja – “Propozoj që ne të vazhdojmë të procedojmë strikt me objektin e përcaktuar, sepse Kuvendi ka përcaktuar si objekt të tij veprimtarinë e zotit Çefa dhe Lelçaj si anëtarë të KLD-së”


Armando Subashi – “Objekti i hetimit është mirëpërcaktuar dhe ne nuk mund ta shtrijmë objektin përtej afatit të veprimtarisë që kanë kryer qoftë zoti Çefa qoftë zoti Lelçaj në funksione të tjera shtetërore”


Herion Mesi


Adriatik-LllallaKomisioni hetimor parlamentar që u ngrit javën e kaluar për hetimin e veprimtarisë së dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, pasi mori në dorëzim dokumentacionin e dorëzuar nga KLD-ja dy ditë më parë, vendosi që t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme informacion shtesë nëse ka ndonjë procedim penal të nisur nga organi i akuzës lidhur me veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, gjatë kohës që ai ishte drejtor i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Vendimi u mor pas kërkesës së anëtarit socialist Taulant Balla për shtrirjen e objektit të hetimit të këtij komisioni, i cili kërkoi zhvillimin e një hetimi edhe ndaj një letërkëmbimi mes zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, dhe ministrit të Brendshëm së asaj kohe, Bujar Nishani.


Kërkesa e Ballës


Letërkëmbimi i denoncuar nga deputeti i PS-së, Taulant Balla, në mbledhjen e djeshme të komisionit hetimor, bëhej fjalë për disa raste korruptive nga ish-drejtori i AKKP-së, Çefa, duke e akuzuar këtë të fundit për tjetërsim dhe përvetësim të pronave publike dhe private. “Do të doja që komisionit t’i vija në dijeni dhe pastaj të vendosim së bashku nëse mund ta përfshijmë si pjesë të hetimit një shkresë, informacion, drejtuar ministrit të Brendshëm të asaj kohe, zotit Bujar Nishani nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, i cili në këtë shkresë e vendos në dijeni ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Bujar Nishani, për disa praktika korruptive të kryera nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, zotit Elvis Çefa, në drejtimin e këtij institucioni. Bëhet fjalë për përvetësime pronash shtetërore, tjetërsim pronash nga një person privat te një person tjetër privat. Hetimi i kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nën drejtimin e zotit Kuliçi, ka qenë i shtrirë për disa muaj dhe zoti Kuliçi e informon zotin Nishani që në këtë çështje, zoti Çefa është tërësisht i përfshirë në këto tjetërsime dhe siç i quan vetë zoti Kuliçi në letrën që i drejtohet zotit Nishani, thotë: grabitje të disa pronave edhe shtetërore. Pra bëhet fjalë për disa mijëra hektarë tokë”, tha Balla. Nisur nga ky letërkëmbim, ai i kërkoi komisionit që pjesë e hetimit të tij të jetë dhe ky hetim në AKKP, i cili, siç tha Balla, është kryer nga Policia e Shtetit gjatë viteve 2011-2012 kur Çefa ishte në AKKP. Duke propozuar kërkesën e tij, Balla theksoi se praktika e zgjerimit të objektit të hetimit, ka ndodhur edhe më parë nga komisioni i ngjashëm i demokratëve në 2012-n, kur shkarkuan numrin dy të KLD-së në atë kohë, Kreshnik Spahiun. Por, duke u mjaftuar me vetëm një kërkesë informacioni nga organi i akuzës, komisioni do ta rrëzonte kërkesën e Ballës për hetimin e Çefës në kohën që ai ishte në krye të AKKP-së, duke argumentuar se kërkesa e tij është jashtë objektit të hetimit të përcaktuar nga Kuvendi. Fillimisht do të ishte përfaqësuesi i LSI-së në këtë komision, Spartak Braho, që kundërshtoi kërkesën për zgjerimin e objektit të hetimit nga komisioni. “Ndonëse duhet thënë që këto gjëra janë diskutuar dhe më parë, por unë mendoj se nuk kanë të bëjnë këto me objektin e hetimit. Mendoj se ne duhet të procedojmë duke i kërkuar prokurorisë që të na vërë në dijeni nëse ka çështje penale të nisura ndaj zotit Çefa”, tha Braho, propozimi i të cilit u pranua edhe nga dy deputetët e PS-së në këtë komision, Ulsi Manja dhe Armando Subashi. “Meqenëse objekti i punës i këtij komisioni është përcaktuar në vendimin e Kuvendit, propozoj që ne të vazhdojmë të procedojmë strikt me objektin e përcaktuar. Sepse, Kuvendi ka përcaktuar si objekt të tij veprimtarinë e zotit Çefa dhe Lelçaj si anëtarë të KLD-së, ndaj ne duhet të fokusohemi pikërisht tek objekti i hetimit”, tha Manja. Ndërkohë, kreu i komisionit, Armando Subashi, i ka kthyer përgjigje edhe akuzave se procedura e hetimit të dy anëtarëve të KLD-së është antikushtetuese, teksa theksoi se praktika e ndjekur për ngritjen e këtij komisioni është tërësisht ligjore dhe kushtetuese.


 


[callout]Hetimi parlamentar 


Subashi: Komisioni do të thërrasë sërish Çefën e Lelçajn në seancë dëgjimore


Në mbledhjen e tij të dytë, që u zhvillua mesditën e djeshme, komisioni hetimor administroi dokumentacionin e ardhur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndërkohë që sërish mazhoranca i bëri apel opozitës që të kthehet në Kuvend e të bëhet pjesë e komisionit. “I bëj thirrje edhe njëherë zotit Halimi, dhe m’u bë shumë qejfi që kanë pranuar të marrin pjesë në reformën për drejtësi, të vijnë në komision hetimor. Të mos e lënë Elvis Çefën në baltë”, tha deputeti i LSI-së në këtë komision, Spartak Braho. Ndërkaq, gjatë mbledhjes së djeshme, kreu i këtij komisioni, Armando Subashi, bëri të ditur se do të shqyrtohet nëse dokumentacioni i mbërritur, nëse është i plotë dhe do të shikohet mundësia e kërkimit të ndonjë materiali tjetër shtesë. Gjithashtu, ai bëri me dije se në varësi të shpejtësisë së shqyrtimit të materialit voluminoz prej më shumë se 7000 faqesh të vëna në dispozicion nga KLD-ja, Subashi theksoi se mbledhja tjetër e komisionit hetimor do të zhvillohet më datë 7 tetor, ku do të vijojë punën me seancat dëgjimore me dy anëtarët e KLD-së dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.[/callout]