Eshtrat e Ahmet Zogut“Mendo për Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Avni Rustemin e Gjon Gazullin,” i thotë deputeti socialist Taulant Balla presidentes së Kosovës.


Qeveria ka marrë masat të rivarrosë me ceremonial zyrtar eshtrat e ish-mbretit nesër në një ceremoni që do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Në ceremoni pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Kosovës. Deputeti socialist Taulant Balla i drejtoi një letër Jahjagës duke i kërkuar të mendojë për viktimat e regjimit të Zogut para se të marrë përsipër të nderojë ish-presidentin që u vetëshpall mbret dhe që ngriti një regjim totalitar të stilit fashist në Shqipërinë e viteve ’30.


Letër e hapur Presidentes së Republikës së Kosovës


E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga,


Po të drejtohem ty, sepse për Presidentin e Shqipërisë, nuk dua të harxhoj as frymën dhe as mendimet.


Nesër, sic është njoftuar Ju do të jeni në Tiranë për të nderuar ngritjen e maozoleut të Ahmet Zogut dhe të zogollëve të tjerë.


Sigurisht kjo është zgjedhja Juaj personale. Por përpara se të bësh një gjë të tillë unë, si një qytetar i thjeshtë shqiptar, jo si politikan, as si deputet, unë sot dua të të sugjeroj që si një Presidente e një republike shqiptare, si një kryetare shteti, përpara se të përulesh para Ahmet Zogut, duhet t’i kërkosh leje Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rustemit apo edhe priftit Gjon Gazulli.


Që të jem më i qartë, duhet të sqarosh pozicionin Tënd zonja Presidente e Republikës së Kosovës mbi jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rustemit.


Meqenësë të gjithë shqiptarët i njohin të tre këta kalorës të shqiptarizmit, më lejoni t’ju informoj se i këtërti prifti Gjon Gazulli është edhe ai një emër i nderuar, që vinte nga një familje patriote mirditore, por që zogistët e varën në litar.


Pak ditë më parë Univeristeti i Prishtinës mori emrin e Hasan Prishtinës, duhet t’ju sqarosh studentëve dhe profesorëve të Prishtinës pozicionën tënd për Hasan Prishtinëm përpara se të jesh nesër në Tiranë.


Në vend që të nderonit nesër mauzoleun, mund të ndiznit një qiri në shpellën e Dragobisë për të nderuar trimin e maleve Bajram Curri. Përpara se të shkosh nesër te mauzoleu, kalo te busti i Avni Rustemit, të cilin kosovarët e duan dhe e kanë respektuar për dekada me radhë.


Së fundmi e nderuar zonja Presidente, shpresoj ta mirëkuptoni këtë lëter të hapur. Mos ngatërroni respektin ndaj homolgut Tuaj të Shqipërisë, me respektin që duhet të keni për shqiptarët e vërtetë.