Reagojnë socialistët. Braçe: Shaqiri sot është i papunë


 


Përfaqësuesit e opozitës shqiptare vijuan dje sulmet ndaj emërimit në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror të Visho Ajazi Likës. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Lika është zgjedhur të drejtojë SHISH-in pa miratimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nisur nga kjo, ai nuk plotëson kriterin e të qenët i besueshëm me partnerët e Shqipërisë, siç është NATO. Nga ana tjetër, deputeti socialist, Erjon Braçe, e konsideroi të çuditshëm faktin se ndonëse Bahri Shaqiri bëri një performancë të vlerësuar nga SHBA-ja në krye të SHISH-it, ai tashmë është një i papunë dhe nuk ka gjasa të jetë pjesë e administratës shqiptare.


Balla


Deputeti socialist, Taulant Balla, deklaroi dje, se emërimi i Visho Likës vetëm me iniciativë të kryeministrit Berisha është një ogur i keq për përdorimin politik të këtij institucioni nga Kryeministri Sali Berisha. “Zëvendësimi i kreut të SHISH-it pa një konsultim paraprak me partnerin tonë të madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konfirmon synimet e errëta të Sali Berishës për ta rivendosur këtë shërbim të inteligjencës në shërbim të pushtetit”, deklaroi Balla. Sipas tij, socialistët e kishin zgjedhur ish-drejtuesin e SHISH-it, Bahri Shaqirin, në përputhje të plotë me kërkesat e SHBA-së. “Dua të kujtoj se emërimi i drejtorit të larguar, zoti Shaqiri, në vitin 2005 u krye në konsultim të plotë me ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Ky konsultim është i detyrueshëm për shkak të angazhimeve dhe detyrimeve që burojnë nga të qenët vend anëtar i NATO-s”, theksoi deputeti i PS-së. Sipas tij, kjo mënyrë zgjedhjeje e Likës në krye të SHISH-it pritet të jetë problematik për sa i përket ruajtjes së konfidencialitetit të informacioneve që kalojnë nga SHISH-i dhe që kanë të bëjnë me NATO-n. “Zëvendësuesi i zotit Shaqiri nuk i plotëson kriteret e besueshmërisë së mbajtjes dhe transmetimit të informacioneve të klasifikuara”, argumentoi socialisti Taulant Balla.


Braçe


Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, deklaroi dje, se ish-drejtuesi i SHISH-it, Bahri Shaqiri, pas drejtimit të suksesshëm të SHISH-it, sot është i papunë. Sipas Braçes, në administratën shqiptare promovohen njerëz që janë shërbëtorë të pushtetit. “Ambasadori Arvizu vlerësoi punën dhe shërbimin e ish-drejtorit të SHISH-it Bahri Shaqiri, shkarkuar rrufe nga Sali Berisha dhe Bujar Nishani. Në fakt, në mënyrë të vazhdueshme Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar transformimin, rolin, punën e SHISH-it pas 1997-s, veçmas në luftë kundër terrorizmit, celulave që zunë rrënjë edhe këtu. Por Bahri Shaqiri prej një jave është i papunë. Besoj se do të mbesë jashtë çdo segmenti të administratës së këtij shteti. Është traditë shqiptare: shërbëtori i shtetit flaket, i partisë promovohet!”, theksoi Braçe.


Vlerësimi: Socialistët u shprehën dje të çuditur, për faktin se Bahri Shaqiri, pas shkarkimit, nuk u vlerësua për punën nga asnjë zyrtar shqiptar


Bregu: Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, deklaroi pak ditë më parë, se Visho Ajazi Lika është një profesionist i fushës së informatikës dhe i përshtatshëm për drejtimin e SHISH-it


Nishani: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, është shprehur zyrtarisht në lidhje me arsyet se pse vendosi të shkarkonte Bahri Shaqirin nga drejtimi i SHISH-it


Klosi: Ish-drejtuesi i SHISH-it, Fatos Klosi, e ka konsideruar emërimin e Likës në krye të këtij institucioni si jo të përshtatshëm dhe të paargumentuar


Moisiu: Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu, e konsideroi si të nxituar dhe jo të konsultuar mirë me partnerët ndërkombëtarë vendimin për zëvendësimin e drejtuesit të SHISH-it