Deputeti i PS-së: Shkëlzeni, konsulent i kompanive të privatizimit të 4 HEC-eve
Partia Socialiste zgjeroi dje rrethin e të akuzuarve për shuma parash të pajustifikuara brenda familjes Berisha. Deputeti socialist, Taulant Balla, deklaroi dje se pasuri marramendëse nuk kanë vetëm fëmijët e Kryeministrit Berisha, por dhe të afërmit e tyre. Sipas Ballës, pa asnjë dyshim, kjo familje ka dhe koeficientin më të lartë në botë të kthimit të pasurisë publike në pasuri dhe mirëqenie personale familjare. “Në familjen e Sali Berishës, vajza dhe djali i tij, fitojnë 1,034 miliardë lekë në një vit të vetëm, ose 3 milionë lekë në ditë. Kjo është familja e ngushtë e Kryeministrit. Por sot, po iu tregojmë shqiptarëve që edhe të afërmit e brezit të parë të Sali Berishës qenkan edhe këta miliarderë. Daja i fëmijëve të Sali Berishës, Agim Rama, ka pasuri përrallore disa miliarda lekë. Mbesa e bashkëshortes së Sali Berishës, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, ka pasuri përrallore disa miliarda lekë”, deklaroi Balla, duke shtuar se në familjen biologjike të Sali Berishës, çdo anëtar i saj është një miliarder. Sipas tij, Kryeministri i vendit duhet të japë përgjigje në lidhje me krijimin e këtyre pasurive, të cilat as mund të krahasohen me ato të shqiptarëve të thjeshtë. Balla theksoi se Berisha duhet të japë llogari për këto të ardhura. “Si ka mundësi që çdo anëtar i familjes së Sali Berishës paska vënë gjatë këtyre viteve pasuri të tilla përrallore, ndërsa shqiptarët e thjeshtë jetojnë pasojat e krizës së thellë ekonomike dhe sociale ku i ka zhytur Sali Berisha. I ripërsërisim sot Sali Berishës kërkesën për t’u dhënë përgjigje shqiptarëve se cilat janë bizneset që kanë ndihmuar, apo konsultuar juristja Argita dhe ndërmjetësi Shkëlzen?”, përsëriti Balla, duke e ftuar Kryeministrin për sqarime. Prej javësh, PS ka filluar një fushatë kundër familjarëve të Kryeministrit Berisha, nisur nga pasuritë që ata kanë deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Taulant Balla deklaroi dje se Kryeministri Berisha duhet t’i japë përgjigje pyetjes nëse djali i tij, Shkëlzen Berisha, ka lidhje me ndonjë prej kompanive që kanë marrë pjesë në privatizimin e katër hidrocentraleve në vend. “Kemi dhe një pyetje që lidhet me privatizimin më të fundit të qeverisë së Sali Berishës. Po në privatizimin e katër hidrocentraleve, a ka dhënë konsulencë ndërmjetësi Shkëlzen Berisha për njërën prej kompanive, që mund të jetë edhe kompania fituese. I themi përsëri sot Sali Berishës se ai i detyrohet një përgjigje shqiptarëve. Në të kundërt, ai duhet të marrë përsipër fajësinë publike të pasurimit korruptiv, të marrë përsipër përgjegjësinë ligjore dhe të dorëhiqet, për t’i hapur rrugën hetimit të plotë dhe gjykimit të paanshëm të pasurimit të familjes së tij”, deklaroi Balla.