Socialisti vijon denoncimet për shitjet e pasurisë kombëtare nga Imami


BLEDAR HOTI


Taulant Balla vazhdon denoncimetReparti ushtarak i ndodhur në një nga zonat bregdetare të Shëngjinit shitet në një shifër qesharake. Vlera e saj në këtë zonë të virgjër të bregdetit shqiptar, është disa herë më e lartë sesa çmimi i shitur. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, në vijimin e denoncimeve për shitjen e pasurisë kombëtare në vlera të ulëta dhe korruptive nga Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se “në zonën e quajtur “Rana e Hedhun”, në Shëngjin, ish-reparti i artilerisë bregdetare është shitur për 2.8 milionë lekë”. Ai shkoi vetë pranë repartit ushtarak, në mënyrë që i gjithë opinioni publik të mund të shihte vetë pozicionin fantastik, buzë detit, që ka ky repart. “Po u tregojmë shqiptarëve një pronë tjetër që dy vjet më parë ishte në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes. Sot në pronësi të disa privatëve, të cilët sipas dokumentacionit që na ka dhënë vetë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ia kanë blerë këtë pronë Ministrisë së Mbrojtjes për 2.8 milionë lekë. Këtu është letra me firmë dhe me vulë e Arben Imamit, ku na vë në dispozicion këtë listë të pronave të shitura ‘Lista e objekteve në pronësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, të shitura gjatë vitit 2010- 2011’. Shëngjin – Lezhë, ish-bateri e artilerisë bregdetare “Rëra e Hedhur”- Shëngjin, për 2.8 milionë lekë, këtu në një ndër brigjet më të bukura të bregdetit shqiptar”, tha Balla. Ky repart ushtarak që deri dy vite më parë ishte pronë e ushtrisë shqiptare i pozicionuar në një prej zonave më turistike të Shqipërisë, është shitur disa dhjetëra herë nën vlerën reale të tregut. Ky repart, sipas Ballës është pjesë e skandalit të shitjes së plot 17 milionë metra katrorë objekte dhe troje prona të ushtrisë, të cilat Arben Imami po i tjetërson nga pronësia e shtetit dhe qytetarëve në drejtim të disa privatëve, mbi bazën e një procesi tërësisht jotransparent dhe të paligjshëm. Sipas tij, për asnjë moment nuk janë marrë fare në konsideratë nevojat sociale të forcave të armatosura. “Si ka mundësi që në tjetërsimin e këtyre pronave, nuk u kujtuan qoftë edhe një herë të vetme për statusin e ish-ushtarakëve, për ushtarakët e pastrehë. Si nuk u kujtuat për nevojat sociale të komuniteteve pranë këtyre pronave. Fare mirë një pjesë e pronave të ushtrisë që Arben Imami ka shitur dhe po shet, mund të përdoren për nevoja strehimi, për ambiente mësimore apo shërbim mjekësor, qendra sociale për fëmijët apo moshat e treta”, ka theksuar Balla. Duke vijuar denoncimin e tij, deputeti socialist është ndalur pranë disa mitralozave të rëndë dhe një grumbulli të madh predhash artilerie, të cilat të lëna në mëshirë të fatit ishin ndryshkur dhe dëmtuar nga koha. “Këto që shihni janë mitraloza të rëndë kundërajror, të cilat pasi Arben Imami shiti pronën e repartit ushtarak të artilerisë bregdetare janë lënë këtu në mëshirë të fatit duke i shërbyer tani vetëm historisë dhe jo për t’u vënë në dispozicion të pronës së përbashkët të qytetarëve shqiptarë. Sot më shumë se kurrë të ardhurat reale që duhet të siguronte shteti nga privatizimi i këtyre pronave mund të ishin përdorur për dëmshpërblimin e ish të burgosurve që po vetëflijohen ndërkohë që Saliu me Bujarin, dhe të tjerë si ai, nuk denjojnë të dëgjojnë kërkesat e tyre”, theksoi Balla.