Replikat


Reagon Argita Malltezi: Tarifat i vendos tregu, Rama të sqarojë 100 milionëshin


Balla –  “Siç rezulton nga fatura që i drejtohet zotit Zafar Ansar, Argita Berisha faturon 280 mijë lekë orën e saj të punës”


Malltezi – “Tarifat e subjekteve private, vetëm në diktatura i caktojnë qeveritë; në vende të lira ato i nënshtrohen tregut të lirë”


Argita Malltezi


Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe vajza e Kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, vijuan sërish dje replikat e tyre në lidhje me çështjen e deklarimit të pasurisë. Balla ka denoncuar dje nga foltorja e PS-së të ardhurat e pajustifikueshme të vajzës së Kryeministrit përmes punës së saj si juriste. Deputeti socialist theksoi se, me shifrat që Argita Berisha punon, rezulton si një nga avokatet më të paguara në botë. Për të mbështetur këtë qëndrim, ai bëri publik edhe faturën që studioja ligjore e Malltezit i kishte dërguar biznesmenit palestinez Zafar Ansar, ku për një orë punë kërkohej 28 mijë lekë të reja. “Përveç se profesoresha më e mirëpaguar në botë, zonja Argita Berisha na del edhe avokatja më e shtrenjtë në botë. Siç rezulton nga fatura që i drejtohet zotit Zafar Ansar, Argita Berisha faturon 280 mijë lekë orën e saj të punës. 280 mijë lekë, aq sa paguhet një jurist i administratës në Shqipëri në muaj, Argita Berisha paguhet në një orë”, evidentoi Balla. Ai shtoi se përveç kësaj, Malltezi kërkonte nga investitori dhe 3% të vlerës së investimit, pra disa miliona euro në rast se projekti i tij për një termocentral do të ishte i suksesshëm. Sipas Ballës, nuk ka dyshime se Argita Malltezi përfiton miliona nisur nga influenca vendimmarrëse që ka i ati Kryeministër për projekte investimi. Pak orë më vonë, vajza e Kryeministrit, përmes një email-i, deklaroi se Rama ishte në panik, sepse pritej që për bashkëshorten e tij do të dilnin fakte tronditëse në lidhje me deklaratën e pasurisë. Sipas saj, deklaratat e Ballës janë shpifje të mirëfillta, të cilat vijnë nga presioni në të cilën ndodhet familja Rama. Argita Malltezi deklaroi se ajo dispononte një studio private ligjore dhe të sajat ishin tarifa tregu. “Tarifat e subjekteve private, vetëm në diktatura i caktojnë qeveritë; në vende të lira ato i nënshtrohen tregut të lirë. Dje, ti bëre akuzën qesharake për pengesë të investimeve private, sot çirresh për tarifat e një aktiviteti privat, njëlloj si 7 vjet me parë bërtisje për rrogën time nga organizata e OKB-së. Të kujtoj gjithashtu se shqiptaret e dinë mirë se as rroga në OKB dhe as tarifat private, nuk janë hua 100 milionëshe pa interes dhe as pallate në Tiranë”, deklaroi ajo. Sipas zonjës Malltezi, shqiptarët presin që Rama të bëjë transparencën e 100 milionëve të huas pa interes të gruas të tij. “Mesa duket, përgjigjja dashka shumë kohë për t’u gatuar!”, thekson Argita Malltezi në deklaratën e saj.


 


Selia blu


PD: Rama, shantazh Ballës me dosjen


Partia Demokratike ka reaguar sërish gjatë ditës së djeshme për akuzat e deputetit socialist Taulant Balla ndaj fëmijëve të Kryeministrit Berisha. Duke mos iu përgjigjur akuzave, zëdhënësja e PD-së ka thënë se Balla po shpif, i shantazhuar nga Rama me një dosje trafiku droge në ngarkim të tij. “Përse z. Rama nuk lejon shpifësin tënd të paguar të paraqitet para trupit gjykues për të faktuar shpifjet e porositura nga ti dhe… a përdorni ju ndonjë dosje hetimi për trafik droge të zëdhënësit tuaj për ta detyruar të shpifë çdo ditë me gojën tënde? Në rast se ju z. Rama keni nevojë për ndihmë për përgjigje të hapura ndaj këtyre pyetjeve, ne edhe mund t’ju ndihmojmë”, tha zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.