Autori, bashkëmoshatar me viktimën. Fëmijët ishin duke luajtur futboll


Një fëmijë, vetëm 13 vjeç nga qyteti i Ballshit, është qëlluar për vdekje me thikë, gjatë një sherri banal me një bashkëmoshatarin e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak para mesnatës së djeshme, kur 13-vjeçari me inicialet B.L është grindur me një shokun e tij, me inicialet Y.K.


Fëmijët janë grindur në qendër të qytetit, pranë ish-kinemasë. Dëshmitarë në vendngjarje bënë të ditur se rreth orës 22:30 të së premtes, një grup fëmijësh të së njëjtës lagjeje kanë qenë duke luajtur futboll.


Ata luanin gjithnjë në një fushë të improvizuar prej tyre dhe me ndriçim të mjaftueshëm për të zhvilluar ndeshjen. Por gjatë lojës së mbrëmshme, për shkaqe ende të pakonfirmuara, dy të miturit, të cilët kanë qenë në skuadra të ndryshme nga njëri-tjetri, kanë nisur të debatojnë.


Në fillim janë grindur me fjalë e gjuajtur me grushte, por më pas ngjarja precipitoi tragjikisht. 13-vjeçari B.L. krejt papritur ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete duke qëlluar shokun e tij.


Gjithçka ndodhi në sy të fëmijëve të tjerë, të cilët fillimisht nuk kanë kuptuar se çfarë po ndodhte. Ata mbetën të tmerruar dhe dhanë alarmin kur panë shokun e tyre që ra në fushën e lojës dhe ishte i përgjakur. Ndonëse ai është transportuar me urgjencë për në spitalin e qytetit, i mituri ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Autori i ngjarjes, është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar pak minuta më vonë nga policia.


7 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)