Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka pranuar se ka rënë besim i popullit te sistemi i drejtësisë dhe ka kërkuar nevojën për më shumë transparencë në procedurat e inspektimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Nishani iu referua me këtë rast dosjes së Ilir Xhakjas, personi që vrau shefin e komisariatit të Shijakut, i cili me gjithë precedentët penalë ishte lënë i lirë nga gjykata në shkelje të proceduarve të gjykimit dhe ka premtuar se gjatë mandatit të tij do të përkushtohet për një fuksionim më të mirë të organeve të drejtësisë dhe koordinimin siç duhet të tyre.
“Ajo çka u mund të them është si e shoh unë. Ka të bëjë shumë mënyra e adresimit të prioriteteve në kuadër të inspektimit të KLD. Ne duhet të kemi strukturë transparentë për të verifikuar të gjitha shkeljet, por edhe për të mos abuzuar me inspektimet. Nga ana tjetër po punohet ngushtësisht edhe me institucione të tjera dhe unë do e orientoja drejt një komunikimi dhe koordinimi mes institucionesh. Koordinimi mes institucioneve do e ndihmonte shumë transparencën”, – deklaroi Nishani për Zërin e Amerikës.
Nishani më tej, duke iu referuar ngecjes së kalimit në Parlament të ligjit për Gjykatën e Lartë, shprehu bindjen se palët politike në Shqipëri do të vijojnë në përmbushjen e detyrimet e tyre lidhur me reformën në drejtës, e cila është e një rëndësie të veçantë dhe mbi palët politike.
Ban Ki Moon pret Presidentin Nishani: Shqipëria, angazhim dinamik në OKB
Në ditën përmbyllëse të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
Sekretari i Përgjithshëm e përgëzoi Presidentin Nishani për zgjedhjen e tij në krye të shtetit dhe shprehu vlerësime për kontributin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të veçantë për angazhimin konkret të saj në procesin e reformës së OKB-së.
Ban Ki Moon e përgëzoi Presidentin për organizimin e suksesshëm në Tiranë të Konferencës mbi procesin “Një OKB” dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit dinamik të Shqipërisë në këtë proces. Ai vlerësoi zhvillimin e deritanishëm të vendit tonë, duke e cilësuar vend modern dhe me përparim të shpejtë.
Presidenti i Republikës nga ana e tij e uroi Sekretarin e Përgjithshëm për mandatin e dytë në detyrë dhe e siguroi për mbështetjen pa rezervë të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit vlerësoi lart mënyrën me të cilën Sekretari i Përgjithshëm drejton organizatën universale dhe rolin e veçantë që ai ka luajtur në disa nga çështjet më të rëndësishme të agjendës ndërkombëtare, si lufta kundër varfërisë, mbështetja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe barazia gjinore.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu qëndrimin koherent të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi zhvillimet në rajon, paqen dhe sigurinë atje dhe në mënyrë të veçantë të gjitha aspektet që lidhen me Kosovën dhe e ftoi shefin e Kombeve të Bashkuara për një vizitë në Shqipëri.
28 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)