Ekspozita 


Pas një sërë ekspozitash në kremtim të 100–vjetorit të Pavarësisë, Banka e Shqipërisë ka çelur dje në Muzeun Kombëtar ekspozitën “100 vjet Pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare”. Historia e monedhës dhe kartëmonedhës kombëtare është ndërtuar përmes pasqyrimit të emetimeve të bëra ndër vite, një histori që pasqyron njëkohësisht edhe zhvillimin e Bankës Qendrore në Shqipëri, duke filluar me përpjekjet e para të Ismail Qemalit për krijimin e një banke qendrore shqiptare e deri në ditët e sotme. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, gjatë ceremonisë ku ishte e pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, e shumë personalitete të tjera, ka bërë edhe prezantimin e serisë së monedhave përkujtimore me tematikë “100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, që Banka e Shqipërisë ka emetuar me këtë rast. Seria përbëhet prej tri monedhash: monedhë ari 200 lekë. Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit dhe nën të është shkruar vlera emërore 200 lekë. Në pamjen e pasme është vendosur portreti i Ismail Qemalit, ndërsa poshtë portretit është shkruar emri i tij.



Emetimi i dytë është një monedhë argjendi 100 lekë. Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, ndërsa në pjesën e pasme monedha ndahet në dy rrathë. Në pjesën qendrore të saj ka të vendosur Aktin e Pavarësisë. Në rrethin e dytë shkruhet “Shqipëri-Albania 2012” dhe “Akti i shpalljes së Pavarësisë”. E treta është një monedhë me metal të thjeshtë 50 lekë. Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, ndërsa në pjesën e pasme të monedhës zë vend skulptura simbolike me dy duar të bashkuara fort me njëra-tjetrën. Në kuadër të kësaj ngjarjeje të shënuar të historisë së vendit, është shtypur edhe Medaljoni i Bankës së Shqipërisë “100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”. Medaljoni paraqet një stilizim të shqiponjës dykrenore, në krahët e së cilës valëvitet flamuri shqiptar që mban të shkruar vitet 1912-2012. Pasi monedhat dhe kartëmonedhat janë paraqitur më parë në Gjirokastër, Korçë, Elbasan dhe Shkodër, ekspozita e fundit do të zhvillohet në qytetin e flamurit në Vlorë, në muajin nëntor. Kjo ekspozitë është realizuar si bashkëpunim i Bankës së Shqipërisë me MHK-në, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Bibliotekën Kombëtare, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, dhe koleksionistët shqiptarë.