Tension disa orësh në Tiranë, disa të plagosur dhe të shoqëruar në komisariat


Silvana Muça



Një polic privat ka rrezikuar jetën e disa banorëve, në tentativë për t’i nxjerrë nga banesat. Ai ka nxjerrë armën e punës dhe, megjithëse ishte ambient i mbyllur, ka qëlluar tri herë, duke shkaktuar panik. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën “Margarita Tutulani” në Tiranë, ku përmbaruesit privatë do të nxirrnin nga banesat 14 familje. Ata kishin kërkuar ndihmën e një shoqërie të ruajtjes fizike private, ndërsa më pas janë mbështetur edhe nga forcat e rendit. Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, shoqëria private është në pronësi të disa familjarëve të një zyrtari të policisë. Pas konfliktit të ashpër, në vendin e ngjarjes kanë shkuar disa deputetë të Partisë Socialiste, të cilët janë përplasur verbalisht me nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.


Burimet policore thanë se një person është shoqëruar, me akuzën e kundërshtimit të përmbarimit. Ai është Igli Lulja. Ndërkohë, sipas banorëve, Genci Lulja ka marrë një plagë në pjesën e kokës dhe familjarët thonë se ai është qëlluar me qytën e pistoletës nga përmbaruesit. Si pasojë e terrorit të ushtruar nga përmbaruesit, 72-vjeçares Zeqine Meçanit i ka rënë të fikët. Tensioni mes banorëve dhe përmbarueseve ka zgjatur për orë të tëra. Një pjesë e tyre janë ngujuar në banesa, duke kërcënuar se vetëm të vdekur do të dalin prej andej. Familjet që janë nxjerrë forcërisht nga godina, thonë së pretenduesi i godinës prej 1100 metra katrorë, ka falsifikuar dokumentet, duke përfituar nga pushteti dhe korrupsioni. “Pronari” dhe 14 familjet ndodhen në një proces gjyqësor që ende nuk ka përfunduar.


 


Pretendimet e banorëve


Banorët tregojnë se e gjithë historia e tyre ka nisur që në vitin 1993, ku çështja e pronësisë është hedhur në gjyq dhe ende nuk ka përfunduar. Ardian Pojani ka treguar për gazetën “Shqip” të gjithë zanafillën e konfliktit mes 14 familjeve dhe pretenduesit të pronës, Ferdinand Caka, duke e akuzuar këtë të fundit për falsifikim të dokumenteve. “Godina është ndërtuar që në vitin 1941, nga Lazaros Palazani, ish-komandant i aviacionit në atë kohë, për punonjësit e tij. Palazani e kishte marrë pronën me koncesion. Pas ikjes së tij, ne u strehuam dhe gjatë gjithë jetës kemi paguar qiranë në shtet. Në vitin 1993 tentuam që të legalizojmë banesat tona, por nuk na lejoi Caka, i cili kërkoi që të merrte të gjithë objektin. Personi për të cilin po flasim ka qenë punonjës në Gjykatën e Lartë. Kjo e ka lejuar që ai të bëjë të gjitha procedurat ligjore pa na njoftuar neve, pa na sjellë një vendim gjykate dhe pa asgjë, për të na zhvatur pronën. Ndërsa ne pretendojmë të gjitha dokumentet nga institucionet përkatëse, si nga arshiva e shtetit, si hipoteka, si dhe nga Komisioni i Kthimit të Kompensimit të Pronave. Në dosjen e Komisionit të Kthimit të Kompensimit të Pronave, ka rreth 20 pika përkatëse, që duhet të plotësojë një person për marrjen e pronës. Ferdinand Caka plotëson vetëm 2, ku njëri prej tyre është vërtetimi i pronësisë për një sipërfaqe, prej 90 m katrorë. Ndërsa neve nuk na jepet e drejta që ta privatizojmë, pavarësisht se e kishim këtë të drejtë sipas ligjit të vitit 1993. Pretenduesi nuk na la, na ka bllokuar me procese ligjore, të gjitha mundësitë për të privatizuar këtë godinë”, shprehet Pojani. Sipas familjeve, ka rreth 21 vjet që kjo çështje rri e bllokuar, prej suportit dhe korrupsionit që ka bërë Ferdinand Caka. Ata e akuzojnë pretenduesin publikisht. “Ferdinand Caka ka punuar në Gjykatë të Lartë dhe sot është avokat privat. Sot vjen edhe si avokat edhe si hamall, që bën nxjerrjen e plaçkave të banorëve të godinës. Jemi gjithë këto familje që jetojmë këtu, ndërsa zotëria pretendon se e ka të gjithë pronësinë. Përmbaruesit kanë ushtruar dhunë mbi banorët dhe finalja ka qenë deri në përdorimin e armëve të zjarrit nga punonjësit e policisë private. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në një publik të madh, duke shkaktuar panik. Si pasojë e kësaj ne u kundërpërgjigjëm, duke menduar se tani po lëmë kokën dhe nuk e menduan dy herë përleshjen mes tyre. Është qëlluar 3 herë në ajër për të na terrorizuar. Ka një afat kohor për daljen nga godina. Jo më larg se me datë 7 maj kemi procesin gjyqësor. I kemi kërkuar afat kohor. Njëkohësisht çështja është edhe në Gjykatën e Lartë, në Dhomën e Këshillimit, për rishqyrtim të vendimit. Banesat po lirohen me dhunë pa dëshirën tonë. Një pjesë e tyre kanë kundërshtuar të dalin, duke u ngujuar në banesa për gjatë gjithë ditës. Janë shprehur se vetëm të vdekur do të dalin”, tregojnë nën një zë banorët. Gjithashtu ata thonë se përmbaruesit kanë shkaktuar terror në apartamentet e tyre. Me leva dhe sende të forta, kanë shqyer dyert dhe xhamat e dritareve. Dhuna fizike ka qenë e përmasave të jashtëzakonshme.


 


Të ngujuarit


Luljeta Karaj është njëra prej banoreve e cila nuk ka pranuar të dalë jashtë. Ajo thotë se dokumentet janë manipuluar dhe procesi gjyqësor nuk ka përfunduar. “Sot (dje) rreth orës 9:00 të mëngjesit përmbaruesit erdhën të tensionuar. Më një dhunë të paparë verbale kërkuan që të dilnim jashtë. Nuk pranuam. Ata ishin të pajisur me sende të forta, leva dhe nuk denjuan që të dhunonin pronën tonë. Dera e shtëpisë sime është shqyer me forcë. Nuk u përmbajta, tentova që t’i ndalja, por ishin më të fortë se unë. Më kanë ushtruar dhunë fizike duke më lënë të nxira në pjesë të ndryshme të trupit. Skenat e dhunshme kanë shkaktuar panik te fëmija i vogël që ende nuk ka mbushur gjashtë muaj. Në përleshje morën pjesë edhe punonjësit e policisë private. Më vunë poshtë këmbëve. Ngjarjen e panë të gjithë banorët e zonës. Për të më shpëtuar nga duart e tyre, ndërhynë nipërit e mi. Dhuna ka qenë e tmerrshme. Genci, nipi im ka marrë një plagë të madhe në pjesën e kokës. Punonjësit e policisë private e qëlluan me qytën e pistoletës. Ai ndodhet në spital. Ndërsa nipin tjetër, Igli Lulja, e ka marrë policia. Ai nuk ka bërë asgjë. Thjesht kërkoi që të ndalte përmbaruesit. Gjyqi nuk ka mbaruar. Nuk e kuptoj se nga e gjen guximin ai që të vijë për të na nxjerrë jashtë. Po të na jepej mundësia e marrjes së kredisë, nuk do kundërshtonim kaq shumë, do largoheshim dhe gjithçka do të përfundonte. Nuk na jep kush kredi, sepse nuk plotësojmë kushtet. Unë nuk dal nga shtëpia, sepse personi që pretendon që është pronar, ka falsifikuar dokumentet, duke përfituar nga puna që ka pasur në Gjykatën e Lartë”, tregon e tmerruar gruaja e dhunuar, Luljeta Karaj. Në katin e parë të godinës, banon 71-vjeçarja Zeqine Meçani së bashku me bashkëshortin, Tomorrin. E moshuara nuk pranon të dalë nga banesa. Nga terrori që kanë ushtruar përmbaruesit dhe punonjësit e policisë private, i ka rënë të fikët. “Jam e moshuar dhe sytë sot më kanë parë terror. Më ra të fikët dhe erdhi ambulanca. Nuk dal e gjallë prej këtu. U thashë atyre që erdhën të na nxirrnin me forcë, që vetëm e vdekur mund të dal. Kam bërë gati edhe rrobat e vdekjes. Pranoj gjithçka, përveç daljes nga banesa. Nuk kam ku të shkoj gjëkundi. Djali i vetëm më vdiq dhe mbetëm qyqarë. Me pensionet që marrim ne, nuk na dalin për të blerë ilaçet. Nuk kemi para që të strehohemi në banesa të tjera”, tregon për momentet e tensionit 72-vjeçarja. Përveç saj, ka edhe familje të tjera që kanë kundërshtuar daljen nga godina.


 


Të plagosurit


Pasditen e djeshme, 6 persona kanë përfunduar në spital nga përleshjet e banorëve me përmbaruesit dhe policinë private. Njëri prej tyre ka marrë plagë në kokë, prej goditjeve me qytën e pistoletës, ndërsa pesë të tjerëve u ka rënë të fikët dhe janë dërguar me ambulancë në spital, për mjekim. Familja Aliu ka bërë rezistencë deri në fund, në daljen nga godina. Ajo ishte strehuar në katin e nëndheshëm të objektit dhe përgjatë gjithë ditës kishte kërcënuar përmbaruesit me jetë, nëse do të guxonin që t’i nxirrnin. Në fund të ditës, forcat e policisë së bashku me përmbaruesit kanë ndërhyrë për t’i nxjerrë me forcë. Si pasojë e kësaj, ata kanë pasur komplikacione shëndetësore dhe janë dërguar me urgjencë në spital. Personat që kanë pësuar gjendje të fikëti, janë identifikuar si Kajtan, Vera, Myfit dhe Drita Aliu, që të gjithë nga e njëjta familje.


 


Pesë deputetë, debat me nëndrejtorin e policisë


Për të neutralizuar situatën e dalë jashtë kontrollit, pranë godinës kanë shkuar me dhjetëra forca policie. Ata kanë rrethuar godinën trekatëshe, duke vendosur shirita që shërbejnë për “skena krimi”. Në prezencë të tyre, përmbaruesit kanë vijuar nxjerrjen e mobilieve nga apartamentet. Duke parë situatën, deputetët e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, Shegushe Ligori, Besnik Bare, dhe Pirro Lutaj, kanë shkuar për të komunikuar nga afër me banorët e ngujuar. Deputetët nuk janë lejuar që të futen në godinë e për pasojë ata janë debatuar me policinë mbi ngjarjen, përreth 15 minuta. Më e tensionuar situata ka qenë mes Saimir Tahirit dhe zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.


 


Banorët, kallëzim penal për përmbaruesit 


Banorët e nxjerrë me dhunë nga godina 3-katëshe, thonë se do t’i drejtohen prokurorisë për ushtrim dhune nga përmbaruesit dhe policia private. Sipas tyre, njëri prej efektivëve të agjencisë së sigurisë private ka qëlluar me armë në ajër. Në mbështetje të banorëve të dhunuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, duke u shprehur se do ta ndjekin rastin në fjalë hap pas hapi, në lidhje me pretendimet e 14 familjeve.