BariSërish tonelata me drogë nga Shqipëria drejt Italisë. Policia e Barit ka sekuestruar sot një sasi prej 1.270 kilogramë kanabis sativa në portin e këtij qyteti.


Lënda narkotike është gjendur në një kamion, i cili kishte mbërritur nga Shqipëria. Sipas policisë, mjeti është kontrolluar me ndihmën e një makine me rreze X, pasi autoritetet doganore dyshonin se në brendësi të tij kishte mall të paligjshëm.


Skanimi tregoi një deformim struktural në rimorkio, pas kabinës pranë motorit. Menjëherë pas kontrollit u gjendën 1.777 pako marijuanë ,e me një peshë e cila shkonte në total rreth 1.270 kilogramë.


Sipas një vlerësimi paraprak të bërë nga policia italiane, nëse lënda narkotike do të shitej në treg, do të kapte vlerën e 13 milionë eurove.


Policia puljeze ka arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili është një shqiptar 34-vjeçar.


31 maj, 2014 (gazeta-shqip.com)