Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso shprehu besimin se Shqipëria do të bëjë të mundur marrjen e statusit të vendit kandidat për këtë vit, por theksoi se politika duhet tregojë vendosmërinë, duke mos kursyer asnjë lëvizje të mundshme për të përmbushur këtë qëllim të rëndësishëm për vendin tonë.

Deklaratat e Barrosos u bënë gjatë konferencës së përbashkët me presidentin Bujar Nishani në Bruksel, ku personaliteti i lartë europian shprehu edhe një herë mbështetjen që i jep vendit tonë në realizmin e kësaj iniciative.


“Përpjekjet mes qeverisë dhe opozitës kanë dhënë tashmë rezultate dhe bëj thirrje që të vazhdohet me konsensusin për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Nxis aktorët politikë të mbajnë konsensus për realizimin e reformave. Nuk duhen kursyer asnjë lëvizje dhe asnjë përpjekje për të përmbushur reformat, për të luftuar korrupsionin”, – deklaroi Barroso.


Nga ana e tij, presidenti i vendit, Bujar Nishani e njohu Barroson me progresin e bërë nga vendi ynë në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve të vëna nga ana e BE, si reformat, dialogu politik në parlament apo përpjekjet për heqjen e imunitetit dhe reformat në gjyqësor.


“Së shpejti, KE dhe presidenti Barroso do të kenë dhe Shqipërinë mes tyre. Përmenda arritjet në drejtim të reformave, si kodin zgjedhor i miratuar me konsensus, Avokati i Popullit, rishikimi i reformës parlamentare, rezultate konkrete sa i përket luftës kundër krimit, luftën kundër korrupsioni. Do të kontribuoj për të siguruar shpirtin e bashkëpunimit mes partive”, – u shpreh Nishani.


Kreu i shtetit shqiptar, gjithashtu, e garantoi presidentin e BE se vendi ynë do të vijojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon.

17 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)