Starova: Unë kandidat për Bashkinë e Elbasanit. Madhi: Kemi kohë deri më 21 prill


Gramshi – PD konfirmoi Kodhel Calën, si kandidatin e saj për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen për kryetar të Bashkisë së Gramshit


PBDK-ja – Me përfaqësuesit e PD-së, është rënë dakord që të pranohen kandidatët e saj në Bashkinë e Këlcyrës dhe Delvinës.


PDK-ja – Në takimet që ai ka zhvilluar, Nard Ndoka duket se ka arritur të bindë demokratët për përfaqësimin e opozitës me kandidatin e partisë së tij në Bashkinë Vau i Dejës


PLL-ja – Edhe pse ende asgjë nuk është vendosur, duket se demokratët do ta pranojnë pjesërisht kërkesën e kreut të PLL-së, Sulejman Gjana, për të kandiduar në Krujë dhe Burrel


HERION MESI


Basha aleatet_1Dilema e përfaqësimit të opozitës në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, ashtu si dhe në të gjitha proceset zgjedhore, do të zgjidhet në minutën e fundit. Edhe pse në ditët e fundit kur pritet zyrtarizimi i të gjithë kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijon takimet me krerët e partive aleate për të gjetur një zgjidhje të pranuar nga të gjithë për realizimin e kandidimit të përbashkët me partitë që duan të jenë pjesë e koalicionit të djathtë. Basha nuk u ka dhënë aleatëve asnjë përgjigje përfundimtare lidhur me kërkesat e paraqitura për mundësinë e përfaqësimit në garën për kryetarë të disa bashkive me kandidatët e tyre, duke e shtyrë për minutën e fundit mbylljen e procesit të negociatave që ka nisur prej një jave. Edhe pse nuk ishte i pranishëm që kryedemokrati zhvilloi mbrëmjen e djeshme në selinë blu, i mandatuari nga kreu i PR-së, Fatmir Mediu, për të zhvilluar bisedimet me PD-në, Arian Madhi theksoi se bisedimet nuk janë mbyllur akoma, pasi ka ende kohë që palët të gjejnë dakordësi mes tyre lidhur me kërkesat e republikanëve për kandidimin e saj si pjesë e koalicionit opozitar. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Madhi u shpreh i bindur se zgjidhja e situatës së krijuar gjatë këtyre ditëve, ka kohë deri më datë 21 prill, që është data e fundit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. “Askush nga ne nuk ka deklaruar se bisedimet janë mbyllur, përkundrazi ato vazhdojnë në ritme të larta për shkak edhe të limitive kohore që janë dhe deri më datë 21 që është dhe data e fundit besoj se do të kemi arritur një marrëveshje me të gjithë ata që kanë dëshirë dhe vullnetin, dhe do të vazhdojnë deri në minutën e fundit, në mënyrë që përfaqësimi të jetë sa më dinjitoz. Ne jemi të vendosur për kriteret teknike të kandidatëve dhe kemi vullnetin që të bashkëpunojmë së bashku me partitë e tjera për t’i elaburuar të gjitha resurset tona”, tha Arian Madhi. Ndërkohë, në bisedimet që ai zhvilloi me kreun PDK-së, Nard Ndokën, Basha mësohet se ka rënë dakord për një përfaqësim me kandidatë të përbashkët në garën e 21 qershorit, duke lënë të kuptohet një tërheqje e Ndokës nga kërkesat e tij fillestare, i cili kërkoi përfaqësimin e partisë së tij në të paktën 6 bashki të vendit. Me sa duket, Basha do t’i japë Ndokës Bashkinë e Vaut të Dejës në Qarkun e Shkodrës dhe jo atë të Lezhës. Ndërkohë, do të shqyrtohet sërish edhe kërkesa e Ndokës për Bashkinë e Rrëshenit, për të cilën nuk është vendosur akoma. Ndërkaq, një tjetër tërheqje duket se është shënuar nga Lëvizja e Legalitetit, e cila nga tri bashki që kërkoi fillimisht, nga burime brenda selisë blu, mësohet tashmë se ajo pretendon të marrë një më pak, atë të Krujës dhe të Burrelit, dy bashki ku kjo parti pretendon për një mbështetje të gjerë. I kontaktuar mbrëmjen e djeshme nga gazeta “Shqip”, menjëherë pas takimit që zgjati rreth 1 orë që ai zhvilloi me kreun e PD-së, Lulzim Basha, kreu i PLL-së u shpreh disi i rezervuar mbi detajet e bisedës, por nga ana tjetër pohoi që bisedimet mes tyre do të vijojnë edhe në ditët në vijim, pasi siç tha ai, asgjë nuk është mbyllur akoma. Ndryshe nga të vegjlit e tjerë, duket se i vetmi që ka zgjidhur dilemën e përfaqësimit në garën e 21 qershorit është kreu i PBKD-së, Artur Roshi, ku partia e tij do të përfaqësohet në dy bashki të vendit, atë të Këlcyrës dhe atë të Delvinës. Për gazetën “Shqip” Roshi theksoi se në marrëveshje është rënë dakord që në Këlcyrë PDKD-ja të ketë të drejtën e kryetarit, ndërsa në Delvinë atë të nënkryetarit të kësaj bashkie, gjithmonë në rast fitoreje të koalicionit të djathtë. Ndërsa kreu i PBL-së, Arjan Starova, ka deklaruar se në negociatat me Bashën është vetafruar si kandidat për Bashkinë e Elbasanit.


 


SHKRIME TË TJERA ME INTERES

[related_posts limit=”5″]